BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi veprimtaritë e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, zotit Ardian Fullani, gjatë zhvillimit të mbledhjeve të Pranverës të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore

Data e publikimit: 29.04.2010

 

Në datat 23 - 25 prill 2010, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në krye të një delegacioni të Bankës së Shqipërisë, mori pjesë në mbledhjet e Pranverës të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Grupit të Bankës Botërore, të zhvilluara në Uashington, SHBA.

Këto mbledhje janë të përvitshme dhe zhvillohen në formën e një forumi të hapur, ku pjesëmarrësit diskutojnë mbi zhvillimet e fundit në ekonominë botërore dhe prezantojnë situatën makroekonomike të vendeve përkatëse si dhe pikëpamjet e tyre. Këtë vit në qendër të diskutimeve kanë qenë e ardhmja dhe përgjigja e politikave ekonomike në situatën aktuale dhe strategjitë paskrizë.

Guvernatori Fullani zhvilloi disa takime, ku veçojmë ato me z. Murilo Portugal, Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i FMN-së; z. Arrigo Sadun, Drejtor Ekzekutiv për Shqipërinë në FMN; z. Leslie Lipschtz, Drejtor i Institutit të FMN-së; z. Jose Vinals, Këshilltar Financiar dhe Drejtor i Departamentit të Tregjeve Monetare dhe Kapitale; z. Gerwin Bell, Shefi i Misionit të FMN-së në Shqipëri; z. Marek Belka, Zëvendësdrejtor i Departamentit Evropian në FMN; si dhe me z. Philippe le Houreou, Zëvendëspresident i Bankës Botërore për Rajonin e Evropës dhe të Azisë Qendrore; z. Shahbaz Mavadatt, Drejtor për Rajonin e Evropës dhe të Azisë Qendrore në BB; zj. Jane Armitage, Drejtore dhe Koordinatore Rajonale për Evropën Juglindore në BB; z. Giovanni Manjoni, Drejtor Ekzekutiv për Shqipërinë në BB; etj..

2010 04 25 imf annual meetings 3223 0

Gjatë këtyre takimeve, Guvernatori ka njohur të pranishmit me situatën aktuale makroekonomike dhe me masat e marra nga Banka e Shqipërisë për minimizimin e efekteve të krizës botërore, si dhe i është përgjigjur interesit të tyre për çështje të ndryshme të ekonomisë shqiptare. Nga drejtuesit e FMN u vlerësua kujdesi, maturia dhe profesionalizmi i Bankës së Shqipërisë në menaxhimin e situatës së krijuar nga efektet e krizës.

Gjatë qëndrimit të tij në Uashington, Guvernatori Fullani, mori pjesë edhe në tryezën e dialogut të organizuar nga Qendra e Ekselencës në Financë (Center of Excellence in Finance) dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar me temë “Forcimi i ankorave të brendshme në ndihmë të strategjive të daljes nga kriza”. Në këtë tryezë merrnin pjesë guvernatorët e bankave qendrore, ministrat e financave dhe përfaqësues të tjerë të lartë të vendeve të Evropës Juglindore, si dhe përfaqësues të lartë nga FMN dhe institucionet të tjera financiare ndërkombëtare.

Diskutimet e kësaj tryeze u ndalën në politikën fiskale të post krizës, duke i vënë një theks të veçantë hartimit dhe zbatimit të një rregulli të qartë dhe funksional fiskal, duke i parë si ankora të brendshme në funksion të procesit të anëtarësimit evropian.

Kjo tryezë u pasua nga mbledhja e 10-të vjetore e Bordit Mbikëqyrës të CEF, e cila është kryesuar nga z. Ardian Fullani, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë. Në këtë mbledhje anëtarët e Bordit Mbikëqyrës miratuan Raportin Vjetor dhe Pasqyrat Financiare të CEF për vitin 2009, si dhe u informuan rreth Planit të Punës të CEF-it për periudhën 2010-2011.

Gjithashtu, Guvernatori Fullani ka zhvilluar takime dhe me drejtues të lartë të Rezervës Federale në New-York dhe të Korpusit të Vullnetarëve për Shërbimet Financiar (FSVC), ku është diskutuar mbi bashkëpunimin dypalësh dhe asistencën teknikë që Banka e Shqipërisë mund të përfitojë nga këto institucione.