BANKA E SHQIPËRISË

KONFERENCË PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë z. Ardian Fullani në konferencën për shtyp mbi vendimmarrjen e politikës monetare të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, 26 maj 2010

Data e publikimit: 26.05.2010

 

Në mbledhjen e tij të datës 26 maj 2010, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin Mujor të Politikës Monetare. Pasi u njoh me zhvillimet më të fundit ekonomike dhe financiare në vend si dhe me projeksionet e tyre për të ardhmen, në përfundim të diskutimeve, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 5.25%.

Muajt e parë të vitit 2010 janë karakterizuar nga përmirësimi i aktivitetit ekonomik në nivel botëror, i ilustruar nga rritja e shpejtë e ekonomive të vendeve në zhvillim dhe nga rritja e moderuar e ekonomive në një pjesë të vendeve të zhvilluara. Rigjallërimi ekonomik është shoqëruar me rritjen e aktivitetit tregtar, ndërkohë që bankat qendrore dhe autoritetet fiskale kanë vijuar të mbështesin kërkesën agregate nëpërmjet politikave lehtësuese.

Pavarësisht prirjes rritëse të çmimeve të mallrave bazë, presionet inflacioniste vazhdojnë të jenë ende të ulëta, si rrjedhojë e hendekut negativ të prodhimit. Megjithatë, ngjarjet e javëve të fundit kanë treguar se ekonomia e Eurozonës dhe ajo botërore karakterizohen ende nga pasiguri të larta për të ardhmen. Në veçanti, situata fiskale është kthyer në fokusin e diskutimeve ekonomike dhe politike. Marrja e masave të menjëhershme dhe konkrete, të cilat garantojnë qëndrueshmërinë afatgjatë të borxhit publik duket se do të kushtëzojë ndjeshëm zhvillimet e ardhshme. Tregjet financiare botërore kanë reaguar me nervozizëm ndaj këtyre zhvillimeve, duke u karakterizuar nga një volatilitet i lartë dhe një rritje e primeve të rrezikut në gjithë harkun e instrumenteve, tregjeve dhe agjentëve financiarë.

Duke iu rikthyer ekonomisë vendase, treguesit më të fundit sasiorë e cilësorë tregojnë për një ecuri të ngadaltë të ekonomisë në muajt e parë të vitit 2010. Ngadalësimi i kërkesës së brendshme është kompensuar nga një ecuri pozitive dhe në rritje për eksportet shqiptare.

Presionet e brendshme inflacioniste kanë qenë të ulëta dhe inflacioni i çmimeve të konsumit në rënie. Tregjet monetare paraqiten më të qeta, të karakterizuara nga tendenca rënëse e normave të interesit, përmirësim i situatës së likuiditetit të sistemit bankar dhe një ecuri më e qëndrueshme e kursit të këmbimit. Megjithatë, kreditimi i ekonomisë vazhdon të ruajë ritme të ulëta rritjeje.

Vlerësime të tërthorta dhe paraprake sugjerojnë se ritmet e konsumit privat kanë qenë të përmbajtura, të kushtëzuara nga burime më të kufizuara të financimit të tij dhe nga orientimi më i madh i konsumatorëve drejt kursimit. Shkalla e ulët e shfrytëzimit të kapaciteteve në ekonomi, ritmet e ulëta të kredisë për investime dhe rënia e importit të mallrave kapitale e të ndërmjetme sinjalizojnë për një tkurrje të investimeve private edhe gjatë tre muajve të parë të këtij viti. Kërkesa për mjete monetare e sektorit privat vazhdon të jetë e ulët, duke reflektuar ngadalësimin e aktivitetit ekonomik.

Pastruar nga efekti i kursit të këmbimit, ritmi vjetor i rritjes së kreditimit për këtë sektor u ngadalësua më tej në 4.8% në muajin mars. Kërkesa e bizneseve për kredi vazhdon të jetë burimi i vetëm i rritjes së kreditimit, ndërkohë që kredia për individë vijon të tkurret në terma vjetorë për të pestin muaj radhazi. Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe janë dhënë edhe sinjalet e para për një lehtësim të kushteve të kreditimit nga ana e bankave, por ky hap është ndërmarrë vetëm për bizneset e mëdha.

Stimuli fiskal ka patur ritme më të përmbajtura në katërmujorin e parë të vitit, duke dhënë një kontribut më të ulët në aktivitetin ekonomik gjatë kësaj periudhe. Politika fiskale ka vijuar të ruajë një karakter stimulues, por në një masë më të vogël se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Deficiti buxhetor rezultoi 5.3 miliardë lekë, duke u ngushtuar në masën 47% në terma vjetorë. Aktiviteti i ulët ekonomik është pasqyruar në rritjen e ulët prej rreth 3% të të ardhurave buxhetore gjatë katër muajve të parë të vitit.

Nga ana tjetër, shpenzimet buxhetore regjistruan një reduktim me rreth 2% nga niveli i shënuar një vit më parë. Banka e Shqipërisë vijon të tërheqë vëmendjen se, megjithë ndikimin pozitiv afatshkurtër që mund të gjenerojë stimuli fiskal, qëndrueshmëria afatgjatë e sektorit publik duhet të mbetet udhërrëfyesi kryesor i politikës fiskale. Mësimi i nxjerrë nga situata aktuale problematike që ka përfshirë shumë shtete të Bashkimit Evropian, është domosdoshmëria për konsolidimin e financave publike dhe për këtë qëllim marrja e masave të rëndësishme korrektuese në një kohë sa më të shpejtë, është një objektiv me rëndësi strategjike.

Duke balancuar zhvillimet e mësipërme, rritja e shpejtë e eksporteve ka dhënë një kontribut pozitiv në kërkesën totale dhe në rritjen e ekonomike. Gjatë tremujorit të parë të vitit 2010, eksportet janë rritur me 45.1% në terma vjetorë, ndërsa importet regjistruan një rënie vjetore prej rreth 2.3%.

Rritja e përshpejtuar e eksporteve dhe rënia e importeve me ritme më të moderuara sollën tkurrjen me rreth 17.1% të deficitit tregtar, duke ndjekur prirjen e vënë re edhe gjatë gjysmës së dytë të vitit 2009. Raporti i mbulimit të importeve nga eksportet shënoi vlerën 35.4%, rreth 11.6 pikë përqindje më shumë se një vit më parë. Zhvillimet e mësipërme në sektorin e jashtëm të ekonomisë kanë vendosur një balancë më të qëndrueshme të kërkesës dhe ofertës për valutë të huaj, duke kontribuar në një qëndrueshmëri më të madhe të vlerës së monedhës vendase gjatë muajve të fundit. Nevojitet që ky moment pozitiv të fitojë qëndrueshmëri në afat të mesëm, nëpërmjet zbatimit të përshpejtuar të politikave mbështetëse ekonomike.

Ambienti ekonomik dhe zhvillimet monetare kanë krijuar një ambient me presione të moderuara inflacioniste. Inflacioni vjetor në muajin prill rezultoi 3.5%, duke shënuar një ulje prej 0.4 pikësh përqindje krahasuar me muajin mars. Rikthimi i inflacionit brenda objektivit të Bankës së Shqipërisë ishte një zhvillim i pritshëm, i parashikuar kohë më parë.

Gjatë muajve të fundit, inflacioni i çmimeve të konsumit në Shqipëri është shkaktuar më së shumti nga rritja e çmimeve të administruara, nga tendenca rritëse e çmimeve në konjukturën botërore dhe nga efektet prapavepruese të nënçmimit të kursit të këmbimit në inflacion. Në mungesë të efekteve të raundit të dytë në inflacion, efekti i këtyre faktorëve ashtu siç ishte parashikuar rezulton të jetë kalimtar. Presionet e brendshme inflacioniste mbeten të ulëta, ashtu si ilustrohet nga ecuria e inflacionit bazë dhe e atij të çmimeve të mallrave të patregtueshme. Vlerat e këtyre komponentëve të rëndësishëm të inflacionit qëndrojnë përkatësisht në 1.2 dhe 2.4% në muajin prill. Kjo tendencë pritet të vijojë edhe në të ardhmen e afërt, për sa kohë që ekonomia shqiptare do të vijojë të karakterizohet nga nivele të ulëta të shfrytëzimit të kapaciteteve, nga një ekspansion i kontrolluar i treguesve monetarë dhe nga pritje të ankoruara inflacioniste.

Banka e Shqipërisë, në funksion të përmbushjes së objektivit të saj për inflacionin, ka ndjekur një politikë monetare të kujdesshme, duke ofruar likuiditetin e duhur në treg në përputhje me nevojat e ekonomisë. Tregjet financiare janë shfaqur të qëndrueshëm, me norma në rënie të interesit, luhatshmëri të ulët dhe reduktim të primeve të rrezikut. Zhvillimet monetare gjatë muajit mars kanë konfirmuar zgjerimin e mëtejshëm të ofertës monetare në ekonomi, e cila u rrit me 10.2% në terma nominalë vjetorë. Kjo ecuri është mbështetur nga rënia e nivelit të parasë jashtë bankave dhe nga rritja e qëndrueshme e depozitave në sistemin bankar.

Gjatë diskutimeve të tij, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë arriti në përfundimin se presionet inflacioniste në ekonominë vendase pritet të jenë të balancuara në afat të mesëm.

Në kushtet kur veprimi i përkohshëm i presioneve nga kahu i ofertës pritet të shuhet, presionet joinflacioniste si rrjedhojë e hendekut negativ të prodhimit nga kahu i kërkesës vlerësohet të përcaktojnë luhatjen e inflacionit rreth objektivit të Bankës së Shqipërisë për inflacionin. Në të njëjtën kohë, pritjet e agjentëve ekonomikë për inflacionin në horizontin afatmesëm mbeten të ankoruara.

Në përfundim të diskutimeve, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 5.25%. Ky vendim është në përputhje me përmbushjen e objektivit të inflacionit në një periudhë afatmesme dhe siguron në të njëjtën kohë kushtet e nevojshme monetare për mbështetjen e zhvillimit të shëndetshëm të ekonomisë. Në të ardhmen, Banka e Shqipërisë do të vijojë të ndjekë me kujdes zhvillimet në inflacion dhe në treguesit e tjerë të zhvillimit ekonomik, duke analizuar nevojën dhe hapësirën për një reagim të politikës monetare.

Prononcimi për Vendimin e Këshillit të Ministrave "Për shitjen e pronës shtetërore ish - hotel Dajti