BANKA E SHQIPËRISË
Banka e Shqipërisë

DEKLARATË E BANKËS SË SHQIPËRISË
Deklarata e Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2010

Data e publikimit: 20.04.2011

 

Në mbështetje të kërkesës së nenit 69 të ligjit nr. 8269, datë 23.12.1997 "Për Bankën e Shqipërisë", i ndryshuar, dhe të nenit 8 të ligjit nr. 9962, datë 18.12.2006 "Për bankat në Republikën e Shqipërisë", për të informuar Kuvendin e Republikës së Shqipërisë dhe Këshillin e Ministrave, si edhe për të tërhequr vëmendjen e institucioneve financiare dhe të publikut mbi gjendjen e sistemit financiar në vend dhe rreziqet potenciale që mund të kërcënojnë qëndrueshmërinë e tij, Banka e Shqipërisë publikon këtë deklaratë periodike. Kjo deklaratë është pjesë përbërëse e Raportit të Stabilitetit Financiar për të njëjtën periudhë.

Në fund të gjashtëmujorit të dytë të vitit 2010, gjendja e sistemit financiar dhe e sektorit bankar vlerësohet e qëndrueshme. Sektori bankar ka zgjeruar më tej veprimtarinë dhe ka rritur peshën e tij në ekonominë e vendit. Treguesit e rezultatit financiar janë përmirësuar në krahasim me periudhën e mëparshme. Gjendja e kapitalizimit dhe e likuiditetit të veprimtarisë paraqitet e mirë. Nevoja për të përmirësuar cilësinë e kredisë, vijon të përfaqësojë sfidën kryesore me të cilën ndeshet sektori bankar. Rezultatet e ushtrimit të provës së rezistencës së sektorit bankar ndaj zhvillimeve të pafavorshme ekonomike dhe financiare të supozuara, tregojnë një aftësi të mirë të sektorit bankar për të përballuar këto goditje.

Qëndrueshmëria e sistemit financiar dhe e sektorit bankar, vlerësohet ndaj rreziqeve që mund t’i vijnë atij prej mjedisit ekonomik rrethues, si edhe prej vetë veprimtarisë së sistemit financiar.

Në përgjithësi, rreziqet që vijnë prej zhvillimeve të brendshme ekonomike për veprimtarinë e sistemit financiar, kanë ardhur në rënie. Ecuria e tyre është diktuar kryesisht prej ecurisë së kontrolluar të deficitit buxhetor dhe të atij tregtar, prej qëndrueshmërisë më të mirë të kursit të këmbimit dhe prej ecurisë në rënie të normave të interesit. Presionet inflacioniste kanë qenë të moderuara dhe pritjet e operatorëve ekonomikë për normën e inflacionit kanë qenë të përqendruara rreth objektivit të Bankës së Shqipërisë. Në tregun ndërbankar, likuiditeti ishte i përshtatshëm për të plotësuar kërkesat afatshkurtra të bankave tregtare. Tregu financiar ka funksionuar normalisht, ndonëse vëllimet e transaksioneve kanë qenë përgjithësisht më të ulëta. Gjendja financiare e bizneseve dhe e individëve rezulton e qëndrueshme, mbështetur në ecurinë e investimeve, e të ardhurave dhe të punësimit.

Në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2010, ekonomia botërore ka shfaqur rritje të qëndrueshme, në nivelin 4.7% në terma vjetorë. Vendet e zhvilluara kanë shënuar një rritje prej 2.9%, kundrejt 7.2% të vendeve në zhvillim. Ky kufizim i rritjes në vendet e zhvilluara ka ardhur kryesisht si pasojë e konsolidimit fiskal dhe tërheqjes së politikave stimuluese nga ana e autoriteteve publike. Kërkesa private për këto vende ka shfaqur përmirësim por kushtet e shtrënguara të kreditimit, nivelet e ulëta të treguesve të besimit të konsumatorit, si edhe kushtet jo të kënaqshme të tregjeve të punës kanë vazhduar të ndikojnë në ecurinë modeste të rritjes ekonomike. Sidoqoftë, presionet inflacioniste kanë qenë të kufizuara, në ndryshim nga vendet në zhvillim në të cilat rritja në aktivitetin ekonomik është shoqëruar me rritje të presionit mbi çmimet.

Për sa i takon zhvillimeve në sistemin tonë financiar, konstatohet që veprimtaria e tij është zgjeruar gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit duke rritur peshën ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto në nivelin 85.7%. Aktivet e sektorit bankar u ngjitën në nivelin 990.6 miliardë lekë, duke zënë 94.5% të totalit të aktiveve të sistemit financiar. Pa përfshirë interesat për t’u arkëtuar, kredia u ngjit në nivelin 486.5 miliardë lekë duke shënuar një rritje prej 21.1 miliardë lekësh ose 4.5% kundrejt fundit të muajit qershor. Rritja vjetore e kredisë vlerësohet në masën 9.1%, ku rreth 7.1 pikë përqindje i takojnë rritjes së kredisë për bizneset. Depozitat e sektorit bankar u ngjitën në nivelin 805 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 9.3% kundrejt fundit të muajit qershor dhe prej 17.7% kundrejt një viti më parë. Ecuria e mirë e aktivitetit të sektorit bankar është mbështetur edhe nga mirëfunksionimi i infrastrukturës së sistemeve të pagesave. Aktivet likuide përfaqësuan 26% të totalit të aktiveve të sektorit bankar. Në nivel sektori, veprimtaria bankare vlerësohet e mirëkapitalizuar, ndonëse treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit ka zbritur lehtë në nivelin 15.4%. Rezultati financiar i sektorit bankar ishte pozitiv në vlerën 6.7 miliardë lekë, gati dy herë më i lartë se rezultati financiar i vitit 2009. Kthimi mbi aktivet, i kthyer në bazë vjetore, ka rezultuar në masën 0.72%. Në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ai ishte rreth 0.42%. Kthimi mbi kapitalin, i kthyer në bazë vjetore, ka rezultuar në masën 7.6%. Një vit më parë ky tregues ishte 4.6%. Rritja e rezultatit financiar është mbështetur prej rritjes së të ardhurave neto nga interesat dhe kontrollit më të mirë mbi kostot e veprimtarisë. Megjithatë, rezultati pozitiv financiar ka nevojë të ketë një shpërndarje më të mirë dhe të jetë më i lartë, për të mbështetur më mirë veprimtarinë e sektorit bankar.

Në lidhje me vlerësimin e rreziqeve me të cilat ndeshet sektori bankar, Banka e Shqipërisë realizon në mënyrë të vazhdueshme ushtrime që provojnë rezistencën e sektorit bankar ndaj zhvillimeve të pafavorshme të supozuara në disa tregues makroekonomikë dhe financiarë, më vete dhe të kombinuar.

Për sa i takon rreziqeve të tregut, rezultatet e këtyre ushtrimeve tregojnë për një ndikim të moderuar të rrezikut të drejtpërdrejtë të kursit të këmbimit, për shkak të vlerës së ulët të pozicionit të hapur në valutë të sektorit bankar. Në lidhje me rrezikun e normës së interesit, diferenca midis aktiveve dhe detyrimeve të ndjeshme ndaj normës së interesit, dikton një rrezik të ulët për afatet e maturimit deri në tre muaj. Rreziku shfaqet më i theksuar për afatet më të gjata të maturimit. Megjithatë, ushtrimi i provës së rezistencës tregon që ndikimi i këtij rreziku në treguesin e mjaftueshmërisë së kapitalit të sektorit bankar paraqitet i moderuar. Në këtë kuadër, rritja e fundit e çmimeve të ushqimeve, të energjisë dhe të lëndëve të para, mund të çojë në rritjen e normës së interesit në vende të ndryshme, për shkak të qëndrueshmërisë së ndikimit rritës mbi presionet inflacioniste. Në sektorin bankar shqiptar, për portofolin ekzistues të kredive me norma interesi të ndryshueshme, mundësia e rritjes së normës së interesit për kreditë, ndonëse mund të ndodhte në mënyrë graduale, do të shoqërohej me rritjen e ngarkesës për kredimarrësit duke ndikuar mbi aftësinë e tyre paguese. Për këtë arsye, bankat tregtare duhet ta konsiderojnë një mundësi të tillë në skenarët e tyre të rrezikut dhe duhet të jenë të gatshme të krijojnë në kohën e duhur rezervat përkatëse.

Në lidhje me rrezikun e likuiditetit, raporti midis aktiveve likuide dhe detyrimeve me afat deri në një vit tregon një situatë mjaft të mirë likuiditeti për veprimet në monedhën kombëtare, ndërkohë që shfaq nevojën për një monitorim të vazhdueshëm për pozicionin në euro. Gjithashtu, aktivet likuide të sektorit përballojnë në mënyrë të mjaftueshme vlerat që rezultojnë prej diferencave në strukturën e maturimit midis aktiveve dhe detyrimeve. Një formë tjetër e administrimit të nevojave afatshkurtra për likuiditet është huamarrja në tregun ndërbankar ose nga Banka e Shqipërisë. Përgjithësisht, kjo është një huamarrje e kolateralizuar dhe lloji e mjaftueshmëria e aktiveve që mund të shërbejnë si kolateral në këtë rast, është një tjetër element që duhet monitoruar për të vlerësuar aftësinë e bankave mbi plotësimin e nevojave të tyre për likuiditet në afat të shkurtër.

Rreziku i kreditit, i drejtpërdrejtë dhe i tërthortë, mbetet rreziku kryesor për sektorin tonë bankar, në kushtet kur në fund të vitit 2010 kreditë me probleme përfaqësonin 14.0% të portofolit të përgjithshëm të kredive. Ulja e cilësisë së kredisë është regjistruar si për bizneset ashtu edhe për individët. Aftësia e sektorit bankar për të përballuar me kapital vlerën e kredive me probleme neto, paraqitet më e dobësuar. Në përgjigje të këtyre zhvillimeve, sektori bankar ka rritur vlerën e fondeve rezervë, si edhe ka përmirësuar treguesit e mbulimit me kolateral të kredisë me probleme. Vlen të theksojmë që në tremujorin e katërt të vitit, është konstatuar një qëndrim më aktiv i bankave drejt kreditimit, një rigjallërim i kredisë për investime dhe ulja më e madhe e ritmit të rritjes së kredive me probleme në dy vitet e fundit. Ndonëse këto zhvillime duhet të konfirmohen edhe në periudhat e ardhshme, ato vlerësohen si sinjale paraprake që tregojnë për një stabilizim të mundshëm të ecurisë së treguesit të kredive me probleme.

Si konkluzion, ushtrimet e provës së rezistencës në formën e analizave të ndjeshmërisë dhe të skenarëve të ndryshëm, tregojnë që sektori bankar në tërësi, mbetet i qëndrueshëm ndaj goditjeve të ndryshme referuar mjaftueshmërisë dhe cilësisë së kapitalit. Megjithatë, ndjeshmëria e bankave individuale ndaj këtyre goditjeve është rritur. Për këtë arsye, në nivel individual, bankat tregtare duhet të vleresojnë qëndrueshmërinë e tyre ndaj skenarëve të ngjashëm, si edhe duhet të veprojnë paraprakisht në drejtim të forcimit të gjendjes së tyre të kapitalit dhe të kontrollit sa më të mirë të rreziqeve të veprimtarisë.

Si edhe më parë, në përputhje me sfidat me të cilat ndeshet veprimtaria bankare dhe në zbatim të objektivit ligjor për të siguruar një veprimtari të shëndetshme të sektorit bankar, Banka e Shqipërisë do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme operacionale dhe do të vlerësojë nevojën për plotësime e përmirësime në kuadrin rregullativ dhe mbikëqyrës.