BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Banka e Shqipërisë dhe Universiteti i Oksfordit organizojnë seminarin me temë “Ankorimi i politikave ekonomike në Evropën Juglindore: Roli i institucioneve evropiane dhe ndërkombëtare”

Data e publikimit: 15.05.2014

 

Në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit mes Bankës së Shqipërisë dhe Universitetit të Oksfordit, nënshkruar në shtator të 2010-ës, në datë 9 maj 2014, u organizua në Oksford, Mbretëri e Bashkuar, seminari me temë “Ankorimi i politikave ekonomike në Evropën Juglindore: Roli i institucioneve evropiane dhe ndërkombëtare”.

oxford 2014 foto grupi 6599 0

Në seminarin e organizuar bashkërisht nga Banka e Shqipërisë dhe Universiteti i Oksfordit merrnin pjesë akademikë nga Universiteti i Oksfordit, përfaqësues nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, nga bankat qendrore të rajonit si dhe nga Banka e Shqipërisë.

Në fjalën e mbajtur në këtë seminar, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë z. Ardian Fullani u ndal në evoluimin e koncepteve teorike dhe praktike të vendimmarrjes në fushën e politikave ekonomike. “Këto politika së bashku me reformat strukturore në tregjet e punës e të kapitalit si dhe integrimi ekonomik, janë një domosdoshmëri për nxitjen e rritjes së qëndrueshme dhe arritjen e stabilitetit makrofinanciar për ekonomitë në zhvillim. Vazhdimi i këtyre reformave dhe suksesi i tyre kërkon ndërveprimin dhe koordinimin e institucioneve vendase e të atyre ndërkombëtare.” – theksoi z. Fullani në fjalën e tij.

Gjatë qëndrimit të tij në Oksford, Guvernatori Fullani zhvilloi dhe një takim me Presidenten e StAntony'sCollege, Prof. Margaret MacMillan, me të cilën diskutuan mbi rëndësinë e vijimësisë së bashkëpunimit mes dy institucioneve në fushën e kërkimit shkencor.