BANKA E SHQIPËRISË

DEKLARATË PËR SHTYP
Mbi ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në tregun e parasë dhe në tregun valutor gjatë tremujorit të katërt të vitit 2013

Data e publikimit: 05.06.2014

 

1.1 Operacionet e tregut të hapur

Ndërhyrjet në tregun e parasë gjatë tremujorit të katërt të vitit 2013 përfshijnë operacione të tregut të hapur për injektim të likuiditetit dhe operacione të përhershme me qëllim strukturimin e portofolit të BSH-së.

Sasia totale e likuiditetit të injektuar ka rezultuar mesatarisht 16.05 miliardë lekë, kundrejt 17.38 miliardë lekë që ishte në tremujorin e tretë. Likuiditeti mesatar për tremujorin e fundit të vitit 2013 ka luhatje minimale krahasuar me 1 vit më parë, kur kjo vlerë ishte 16 mld lekë. 
 
Për injektimin e likuiditetit, Banka e Shqipërisë përdori instrumentin e saj kryesor, marrëveshjen e anasjelltë të riblerjes me maturim njëjavor, mesatarisht 11.43 miliardë lekë në javë*, shoqëruar njëkohësisht me marrëveshje të anasjelltë riblerjeje me maturim njëmujor, mesatarisht 1.92 miliardë lekë në javë*. Në javën e fundit të vitit, përkrah operacioneve njëjavore dhe njëmujore, u përdor edhe instrumenti ?marrëveshje e anasjelltë riblerjeje me maturim tremujor?. Operacioni injektues njëditor është përdorur vetëm në një rast, me qëllim korrigjimin e sasisë së likuiditeti në sistem në ditët e fundit të mbajtjes së rezervës së detyruar, në datë 20.12.2013.

Me qëllim strukturimin e portofolit të BSH-së, është synuar ulja e zotërimeve në bono 3 dhe 6-mujore në nivel jo më të lartë se 70% e totalit të emetuar, kompensuar kjo me rritje në emetimet 12-mujore. Gjatë tremujorit të fundit të vitit 2013, janë kryer katër ndërhyrje në treg të hapur për blerje të bonove të thesarit 12-mujore të sapoemetuara, duke plotësuar kështu uljen e riinvestimit në treg primar në bono 6-mujore për shumën 400 milionë lekë, si dhe uljen neto të portofolit të mbartur nga tremujori i kaluar për 40 milionë lekë.

1.2 Përdorimi i instrumenteve mbështetëse

Depozita njëditore është përdorur gjatë tremujorit të fundit të vitit në total në 21 raste, mesatarisht për 0.49 miliardë lekë, ndërkohë që në tremujorin e kaluar ky instrument është përdorur në 64 raste duke regjistruar një mesatare për rreth 1.98 miliardë lekë. Përveç fundit të periudhës së mbajtjes së rezervës, depozita njëditore është përdorur pothuaj rregullisht gjatë muajit tetor, në kushtet e përqendrimit të lartë të tepricave, përtej hapësirës së lejuar për tregtim ndërbankar.

Kredia njëditore ka regjistruar rënie të ndjeshme në shumën e përdorimit gjatë tremujorit të fundit të vitit, duke regjistruar 4 raste përdorimi, mesatarisht për 0.25 miliardë lekë. Gjatë tremujorit të tretë të vitit, ky instrument u përdor në 3 raste, mesatarisht 2.30 miliardë lekë.