BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Zëvendësguvernatores së Parë të Bankës së Shqipërisë, zj. Elisabeta Gjoni në aktivitetin “Inovacioni në sektorin bankar”, 14 maj 2015

Data e publikimit: 14.05.2015

 

Mirëmëngjes dhe mirëserdhët në Bankën e Shqipërisë për të diskutuar mbi inovacionin në sektorin bankar.

Ministria e Inovacionit së bashku me Bankën e Shqipërisë, nën kujdesin e veçantë të Ministres Harito dhe të Guvernatorit Sejko, si dhe në bashkëpunim me Shoqatën Shqiptare të Bankave organizojnë këtë aktivitet si një përqasje gjithëpërfshirëse bashkëpunimi dhe rrahje mendimesh midis aktorëve kryesorë të inovacionit në shërbimet financiare.

E nderuar zj. Ministre, i nderuar kryetar i Bordit Drejtues së Shoqatës së Bankave, të nderuar ambasadorë, përfaqësues të sektorit privat, kolegë, ju shpreh mirënjohjen e Bankës së Shqipërisë për angazhimin dhe bashkëpunimin tuaj në zhvillimin e këtij aktiviteti.

Ne po jetojmë në një epokë të re për bankingun që shpesh cilësohet si një revolucion i heshtur i mënyrës si i bëjmë gjërat, si jetojmë, i cili shtron sfida për çdo aktor zhvillues apo influencues.

Njerëzit e përdorin teknologjinë për mënyrat e reja të komunikimit që ajo ofron, për formimin e grupeve sociale, blerjet online dhe pse jo edhe për përdorimin e shërbimeve bankare e financiare! Sigurisht, kjo nënkupton një spektër të gjerë veprimesh: që nga sigurimi online i pasqyrës së gjendjes së llogarisë e deri tek kreditimi, transfertat e pagesat nga platforma elektronike nga institucione të ndryshme nga bankat, paraja dixhitale apo monedha virtuale. Bota fizike dhe ajo dixhitale po ndërthuren me shpejtësi. Por kur diskutojmë sot për inovacionin financiar çfarë nënkuptojmë? Kur flasim për teknologjinë financiare ( Fin Tech), një ekspert i fushës shprehet se Fin Tech nuk duhet të jetë domosdoshmërish një koncept teknikisht shumë i komplikuar apo i sofistikuar. Fin Tech mbështet bizneset për të qenë më efektivë dhe sistemet për të funksionuar më shpejt e më mirë, apo thjesht për t’ua bërë jetën më të thjeshtë individëve/bizneseve nëpërmjet përdorimit të shërbimeve financiare efikase.

Roli i autoriteteve shtetërore në përqafimin dhe mbështetjen e ndryshimeve dhe të inovacionit është vendimtar. Vende të përparuara si Britania e Madhe e dëshmojnë këtë. Nuk është rastësi që në Mbretërinë e Madhe, vëllimi i transaksioneve është rritur me 74% nga viti 2008, krahasuar me 27% rritje për gjithë botën apo 13% për Silicon Valley. Suksesi britanik ndër të tjera shpjegohet dhe nga një mbështetje e gjerë me strategji dhe programe qeveritare, që nga regjimi i kasave, i iniciativave për inkurajimin e investimeve dhe përcaktimi i kuadrit rregullator, që krijon shanse suksesi për iniciativat e reja, mundësi aksesi në të dhënat e kreditit për bizneset e vogla, në sistemin e pagesave si dhe pjesëmarrje të barabartë në konkurrencën e lirë.

ǒmund të bëjë Banka Qendrore? Ajo që Banka e Shqipërisë ka në vizionin e saj (si rregullatore) është të influencojë të ardhmen, pra të krijojmë një ambient sa më të përshtatshëm për gjallërimin e inovacioneve financiare dhe modernizimin e infrastrukturës financiare. Regjimi ynë rregullator synon të jetë pro inovacionit, të jetë një katalizator pozitiv dhe jo një barrierë.

Ne synojmë të jemi avangardë për një infrastrukturë financiare moderne. Por eksperienca tregon se teknologjia është gjithnjë një hap përpara dhe përhapet me shpejtësi. Teknologjia nuk njeh kufij dhe ne si rregullatorë s’na mbetet gjë tjetër veçse të adaptojmë rregulla e ligje që këto teknologji të përdoren nga konsumatori, individ apo biznes, por njëkohësisht dhe të jemi vigjilentë për rreziqet që shoqërojnë këto teknologji të reja. Gjetja e një balance të artë ndërmjet promovimit të ideve inovative dhe prudencës rregullative përbën një nga sfidat më të mëdha të fushës.

Banka e Shqipërisë ka hartuar një kuadër rregullator të pagesave i cili i hapi dyert zhvillimit e modernizimit. Ky kuadër siguron që të gjitha bankat apo ofruesit e tjerë të shërbimeve financiare të kenë akses në sistemin e pagesave në mënyrë të barabartë dhe transparente, duke kontribuar në zhvillimin e një industrie konkurruese të pagesave dhe pa asimetri.

Banka e Shqipërisë e vlerëson kontributin e teknologjisë e inovacioneve të shërbimeve financiare si mbështetje për arritjen e objektivave strategjikë të saj për përfshirjen financiare (ose siç njihet kohët e fundit financial inclusion) dhe reduktimin e përdorimit të parasë fizike në ekonomi. Këta objektiva i shërbejnë në mënyrë të qenësishme si transmetimit të politikës monetare, ashtu dhe ruajtjes së stabilitetit financiar. Eksperienca ndërkombëtare ka treguar se përdorimi i mjeteve inovative në sektorin bankar dhe atë financiar, kontribuojnë në reduktimin e kostove sociale në një ekonomi nga 1 deri në 2% të PPB-së. Kjo shifër mund të jetë akoma dhe më e lartë në rastin e Shqipërisë, ku përdorimi i cash-it në ekonomi konsiderohet në nivele relativisht të larta.

Më lejoni të theksoj disa nga zhvillimet e konsiderueshme të sistemit bankar.

Në ditët e sotme përdorimi i shërbimeve bankare jo vetëm nga bizneset por dhe nga individët është gjithnjë në rritje, kryesisht në tregun e pagesave ku përshtatja e teknologjisë së informacionit në zhvillimin e produkteve dhe shërbimeve bankare evidentohet si më e prekshme.

Gjatë viteve të fundit vihet re një rritje në përdorimin e kartave bankare, të cilat tashmë përdoren jo vetëm për shërbime bazike por dhe si mjet pagese. Kjo është  shoqëruar dhe me zhvillimin e infrastrukturës së nevojshme, si PoS dhe ATM. Referuar të dhënave nga bankat, aktualisht numri i PoS-ve dhe ATM-me ka arritur në respektivisht 6.427 dhe 811. Spikat shtimi i konsiderueshëm i POS-eve fizike, me 19% në vitin 2014 krahasuar me vitin 2010, si dhe rishtazi, shtimi i shërbimeve virtuale nëpërmjet zhvillimit të infrastrukturës për realizimin e tregtisë elektronike.

Zgjerimi i infrastrukturës për përdorimin e kartave është shoqëruar dhe me një rritje të konsiderueshme të kartave të kredit dhe të debitit në qarkullim, ku në vitin 2014 rezultojnë të jenë lëshuar 777.195 karta debiti dhe 84.824 karta krediti ose në terma relativë, me një rritje respektivisht me 103% dhe 20%, krahasuar me vitin 2010. Pavarësisht nga inovacionet, edhe në botë kartat vazhdojnë të mbeten instrumente shumë të leverdishme, të preferuara dhe të sigurta. (Ndërkohë që këto tendenca dëshmojnë progres, në Britani statistikat flasin për rënie të vëllimit të transaksioneve me karta, si rezultat i transaksioneve elektronike me celular apo të tjera.)

Një zhvillim tejet i konsiderueshëm në këtë kuadër është dhe përdorimi gjithnjë e më i madh i shërbimeve elektronike bankare si home-banking. Kështu, gjatë viteve të fundit është vënë re një përdorim më i lartë i këtyre shërbimeve dhe një zgjerim i spektrit të përdoruesve, jo vetëm nga bizneset, të cilat ishin dhe target grupi në fillesat e ofrimit të këtij shërbimi, por tashmë edhe nga individët. Numri i llogarive të aksesueshme nga interneti në fund të vitit 2014 ishte 145.211, krahasuar me 27.368 në fund të vitit 2010, shoqëruar me një katërfishim të transaksioneve të kryera nëpërmjet këtyre llogarive.

Nxitja e përdorimit të instrumenteve të pagesave është reflektuar edhe në rritjen e aktivitetit të sistemeve të klerimit dhe të shlyerjes të operuara nga Banka e Shqipërisë. Sistemi i shlyerjes AIPS rezulton të ketë një shtim të aktivitetit të tij në vitin 2014 me një vlerë rreth 1.5 herë më të lartë, krahasuar me fillesat e këtij sistemi në vitin 2004. Gjithashtu, rritje të konsiderueshme ka reflektuar dhe sistemi i klerimit AECH, ku vlera e transaksioneve të kleruara në këtë sistem gjatë vitit 2014 rezulton 10 herë më e lartë se vlera e transaksioneve të kleruara në vitin 2005, vit në të cilin u krijua ky sistem. Kontribut në nxitjen e përdorimit të sistemit të klerimit dhe atij të shlyerjes vlerësohet të kenë dhënë dhe masat e marra nga Banka e Shqipërisë në mars të vitit 2011, të cilat synuan reduktimin e komisioneve që mbartin përdoruesit e pagesave në lekë.

Megjithatë, dëshiroj të theksoj se hapësirat për përmirësim dhe ngushtim të hendekut midis tregut shqiptar dhe tregjeve të vendeve të zhvilluara, por deri-diku dhe të atyre të vendeve të rajonit, janë ende të mëdha dhe duhet të përbëjnë sfidën tonë të përbashkët për të ardhmen.

Në kuadër të nxitjes së tregut drejt këtyre shërbimeve inovative, Banka e Shqipërisë në rolin e rregullatorit dhe katalizatorit ka ndërmarrë një sërë masash kohët e fundit. Më konkretisht, krijimi i bazës ligjore dhe rregullative për institucionet e parasë elektronike, i cili u pasua dhe nga licencimi i institucionit të parë të këtij lloji në mars të vitit 2015, është një premisë për prezantimin e shërbimeve inovative në tregun shqiptar të pagesave. Rregullimi i veprimtarisë së këtyre institucioneve është bazuar në praktikat evropiane jo vetëm në kuadër të aderimit të Shqipërisë drejt tregut të përbashkët evropian, por dhe si një nga zgjidhjet më optimale në terma të sigurisë dhe efikasitetit në nivel ndërkombëtar.

Hov në zhvillimin e tregut vlerësohet të japë edhe liberalizimi i tregut të sistemeve të pagesave nëpërmjet ligjit për sistemet e pagesave. Ky kuadër ligjor krijon hapësirat e nevojshme për sipërmarrjen private, por njëkohësisht vendos standarde në terma të sigurisë dhe efikasitetit, dhe vlerësohet të mbështesë zhvillimin e infrastrukturës moderne financiare. Këtë e dëshmon dhe licencimi i operatorit të parë të skemës kombëtare të pagesave me kartë, i cili luan njëkohësisht edhe rolin e procesorit lokal, dhe shpresojmë të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në promovimin e përdorimit të kartave si mjet pagese. Ndërkohë, Banka e Shqipërisë ka vendosur si prioritet afatshkurtër krijimin e bazës rregullative dhe operimin e sistemeve private për klerimin dhe shlyerjen e pagesave.

Këtë vit u finalizua krijimi i sistemit qendror të regjistrimit dhe shlyerjes së letrave me vlerë të qeverisë AFISAR, i cili përbën një infrastrukturë që krijon premisa për zhvillimin e tregut të letrave me vlerë, duke i bërë këto asete më likuide dhe për rrjedhojë promovon përdorimin e tyre në shkëmbimet tregtare në ekonominë vendase.

Banka e Shqipërisë është e vetëdijshme se nevojat për ndërhyrje të mëtejshme dhe më të programuara mbeten ende të mëdha duke konsideruar shkallën e ulët të penetrimit të shërbimeve financiare apo të inovacioneve të fushës. Potencialet për instrumente e mekanizma të reja janë të mëdha për bankat, por edhe për operatorë e ofrues të ndryshëm shërbimesh.

Në kuadër të arkitekturës institucionale dhe duke kuptuar nevojën për një bashkërendim të përpjekjeve në nivel kombëtar, në vitin 2014, Banka e Shqipërisë miratoi bazën rregullative për krijimin dhe organizimin e Komitetit Kombëtar të Pagesave në përbërje të të cilit janë Ministria e Inovacionit, Ministria e Ekonomisë, Ministria e Brendshme dhe përfaqësues të sistemit bankar. Ky komitet, i cili parashikohet të mblidhet së afërmi, vlerësohet se do të ndihmojë ndjeshëm në promovimin e bashkëpunimit dhe ndërveprimit, për rritjen e sigurisë, qëndrueshmërisë dhe efikasitetit të sistemit kombëtar të pagesave në Shqipëri.

Duke uruar sot një bashkëbisedim sa më të hapur e frytdhënës shpreh interesin, besoj jo vetëm timin, për të dëgjuar me mjaft vëmendje dhe shpresoj të adresohen edhe çështje si:

  • Ndryshimet që do të adoptojnë bankat për pagesat në 5-10 vitet e ardhme, apo dhe
  • Barrierat, problemet, oportunitet dhe rreziqet që kufizojnë progresin.
  • Pikëpamjet e bankave tradicionale për pagesat me celular të ofruara nga kompani celulare dhe vlerësimin e shkallës së përgatitjes së bankave për kooperim apo konkurrim.  
  • Tendencat e reja për rritjen e sigurisë së pagesave. ǒvend zënë elementët biometrikë? 

Urime e faleminderit për punën që bëni. Ju jeni pjesë e së ardhmes. Të gjithë presim me interes se çfarë inovacionesh do të diskutojmë në takimin tjetër të një bashkëbisedimi të vazhdueshëm.