BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Prezantohet Raporti i Tranzicionit të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim 2015-2016

Data e publikimit: 18.12.2015

 

Në datën 17 dhjetor 2015, në ambientet e Bankës së Shqipërisë, u prezantua Raporti i Tranzicionit i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), 2015-2016.

Në fjalën përshëndetëse të këtij aktiviteti, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, theksoi se Raporti i Tranzicionit ofron një udhërrëfyes koherent për formatimin e axhendës së zhvillimit të vendeve në tranzicion, duke nënvizuar problemet strukturore të rritjes dhe dobësitë makro e mikroekonomike të këtyre vendeve.

Lidhur me Shqipërinë, raporti paraqet disa sugjerime konkrete për ristrukturimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të sistemit financiar. “Ndër të tjera, ky sistem duhet të diversifikohet më tej në terma të segmenteve dhe produkteve të tij, si dhe duhet të bazohet më shumë në kursimet e brendshme. Gjithashtu, sektori bankar dhe bizneset duhet të tregohen më racionalë në strategjitë e tyre financiare.”- tha Guvernatori .

Gjithashtu, Guvernatori Sejko vlerësoi çështjet e prekura gjatë prezantimit si dhe gjetjet e vrojtimit për ngërçin e kreditimit, me të cilin po përballen aktualisht pothuajse të gjitha vendet në tranzicion. “ Në rastin e Shqipërisë, mund të themi se norma e interesit nuk është i vetmi faktor frenues për rritjen e kreditimit. Nga ana tjetër, kemi dhe një kërkesë të ulët agregate. Ne si Bankë e Shqipërisë po ndjekim një politikë monetare lehtësuese, me qëllim stimulimin e mëtejshëm të kreditimit, e cila është reflektuar në uljen e mëtejshme të normave të interesit.”, u shpreh Guvernatori.

Më pas, z. Peter Sanfey, Drejtori i Sektorit për Çështjet Ekonomike të Vendeve në BERZH, prezantoi Raportin e Tranzicionit të BERZH për periudhën 2015-2016.

Në përfundim, Guvernatori Sejko falënderoi dhe njëherë BERZH-in për kontributin e rëndësishëm dhe mbështetjen konkrete me investime financiare në fusha kyçe të ekonomisë së vendit tonë dhe e ftoi të vazhdojë të vlerësojë potencialet që ofron Shqipëria.

Fjala e plotë e Guvernatorit

Raporti i Tranzicionit BERZH 2015