BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM
Njoftim mbi hedhjen në qarkullim të kartëmonedhës 1000 Lekë, me kurs ligjor, emetim i vitit 2011

Data e publikimit: 28.05.2013

 

Në mbështetje të ligjit nr. 8269, datë 23.12.1997 “Për Bankën e Shqipërisë”, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, me vendimin nr. 48, datë 29.06.2011, miratoi rishtypjen e kartëmonedhës shqiptare me kurs ligjor, me vlerë nominale 1000 Lekë.

Në zbatim të këtij vendimi, Banka e Shqipërisë njofton publikun se në datën 3 qershor 2013 do të hidhet në qarkullim kartëmonedha shqiptare me vlerë nominale 1000 Lekë, me kurs ligjor, emetim i vitit 2011.

Kartëmonedha e re, me vlerë nominale 1000 Lekë, emetim i vitit 2011, ka të njëjtat pamje dhe përmasa me kartëmonedhën  me vlerë nominale 1000 Lekë, emetim i vitit 1996, hedhur në qarkullim më 11.07.1997 dhe rishtypjeve të saj të vitit 2001, hedhur në qarkullim më 08.04.2002 dhe të vitit 2007, hedhur në qarkullim më 14.11.2008. 

Ndryshimet me emetimin e fundit janë ndryshimi i fillit të sigurisë, i cili bëhet nga 1.5 mm,  2 mm, viti i emetimit në trupin e kartëmonedhës që do të jetë 2011 dhe firma e drejtorit të Departamentit të Emisionit.
 
Duke filluar nga data 3 qershor 2013, kartëmonedha  me vlerë nominale 1000 Lekë, me kurs ligjor, emetim i vitit 2011, do të përdoret si mjet pagese paralelisht me të gjitha kartëmonedhat ekzistuese në qarkullim të kësaj prerjeje, të emisioneve të mëparshme.

Informacione të mëtejshme, mund të merren nga publikimet e Bankës së Shqipërisë, pranë çdo banke tregtare dhe zyre të këmbimit valutor që zhillon aktivitet në Shqipëri.