BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit Sejko gjatë prezantimit të Raportit Vjetor të Bankës së Shqipërisë për vitin 2014 në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave, 29 prill 2015

Data e publikimit: 29.04.2015

 

I nderuar zoti Kryetar i Komisionit,

Të nderuar zonja dhe zotërinj deputetë,

Në prezantimin tim të parë si Guvernator i Bankës së Shqipërisë, e ndjej të nevojshme të shpreh konsideratat e mia për rëndësinë dhe punën e këtij Komisioni. Banka e Shqipërisë dhe unë personalisht jemi tërësisht të angazhuar për krijimin dhe ruajtjen e një klime bashkëpunimi, në interes të zhvillimit të qëndrueshëm dhe afatgjatë të vendit.

Më lejoni të shpreh një vlerësim të përgjithshëm për punën e institucionit. Banka e Shqipërisë i ka përmbushur me sukses detyrat e saj ligjore dhe angazhimet institucionale gjatë vitit 2014 dhe ka qenë një aktor vendimtar në ruajtjen e stabilitetit monetar dhe financiar të vendit. Gjithashtu, ajo ka dhënë kontribut për zhvillimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të tregjeve financiare, ndonëse është përballur me një ambient ekonomik dhe financiar sfidues.

***

Në fillim të fjalës sime do të doja të ndalesha pikërisht tek objektivat e saj kryesorë dhe situata ekonomike e financiare në vend.

Vëmendja kryesore e Bankës së Shqipërisë gjatë vitit 2014 është përqendruar në dy drejtime kryesore:

   i. adresimi i presioneve të ulëta inflacioniste;

   ii. ruajtja e stabilitetit financiar, veçanërisht në drejtim të administrimit të rrezikut të kreditit.

Për këta dy objektiva kryesorë të aktivitetit të saj, rezultatet kanë qenë pozitive, çka është evidentuar edhe në raportet e partnerëve tanë ndërkombëtarë.

Një vlerësim pozitiv lidhur me punën e Bankës së Shqipërisë u konfirmua dhe gjatë Takimeve të Pranverës me guvernatorët dhe ministrat e financave, të zhvilluara në selitë e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, në Washington.

Paralelisht me drejtimet kryesore, gjatë vitit 2014, Banka e Shqipërisë ka përmbushur me sukses detyrat e saj ligjore në drejtim të mirëmbajtjes dhe përmirësimit të sistemit të pagesave, të administrimit të rezervës valutore, si dhe të hartimit dhe publikimit të statistikave monetare dhe atyre të bilancit të pagesave. Gjithashtu, Banka e Shqipërisë ka punuar për mbështetjen e integrimit evropian dhe përafrimin ligjor e rregullativ me acquis communautaire të Bashkimit Evropian, për përmirësimin e komunikimit, rritjen e edukimit financiar të publikut, si dhe për forcimin e kapaciteteve të saj kërkimore, analizuese dhe parashikuese.

Përshkrimi i detajuar i kësaj veprimtarie gjendet në Raportin Vjetor të depozituar pranë Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, sipas afateve të përcaktuara. Ndaj, gjatë fjalës sime, do të ndalem shkurtimisht në disa drejtime të punës dhe arritjeve të institucionit gjatë vitit të shkuar, për të vijuar më tej me sfidat me të cilat përballet ekonomia shqiptare dhe drejtimet kryesore të punës së Bankës së Shqipërisë në të ardhmen.


1. Politika monetare dhe stabiliteti i çmimeve

Objektivi kryesor i Bankës së Shqipërisë është arritja dhe ruajtja e stabilitetit të çmimeve. Përmbushja e tij nënkupton ruajtjen e inflacionit vjetor në nivelin 3.0%. Strategjia e politikës sonë monetare është ajo e inflacionit të shënjestruar, ndërsa regjimi i kursit të këmbimit është ai i luhatjes së lirë. Politika monetare e Bankës së Shqipërisë orientohet nga e ardhmja; ajo synon të jetë një politikë elastike, e balancuar dhe transparente.

Ekonomia shqiptare po përballet prej disa kohësh me një mjedis të dobët ekonomik. Edhe gjatë vitit 2014, politika jonë monetare është hartuar dhe zbatuar në kontekstin e presioneve të ulëta inflacioniste dhe të një rritjeje ekonomike nën potencial. Inflacioni mesatar vjetor i vitit 2014 rezultoi në nivelin 1.6%, duke qenë më i ulët se norma mesatare prej 1.9% e shënuar një vit më parë. Nivelet e ulëta të inflacionit u diktuan kryesisht nga presionet e ulëta të gjeneruara nga ekonomia e brendshme. Gjithashtu, ato u ndikuan edhe nga inflacioni i ulët i partnerëve tanë tregtarë dhe nga pritjet e ulëta për inflacionin të agjentëve ekonomikë.

Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave (INSTAT), ekonomia shqiptare u rrit me 1.9% gjatë vitit 2014, kundrejt rritjes me 1.5% të shënuar një vit më parë. Rritja ekonomike u mbështet kryesisht nga kërkesa e brendshme dhe – me përjashtim të sektorit të ndërtimit – ajo u reflektua në zgjerim të aktivitetit në të gjithë sektorët e ekonomisë. Rritja e aktivitetit ekonomik përfitoi nga kushtet e lehtësuara të financimit dhe nga përmirësimi i besimit dhe i bilanceve të sektorit real e financiar të ekonomisë. Këta faktorë ndihmuan në rritjen e konsumit dhe të investimeve private.

Duke përjashtuar pagimin e detyrimeve të prapambetura, politika fiskale ka pasur natyrë konsoliduese gjatë vitit 2014. Nga ana tjetër, shkëmbimet tregtare me jashtë nuk kanë gjeneruar impulse pozitive në rritjen ekonomike. Pavarësisht ritmit më të lartë të rritjes, ekonomia shqiptare vazhdoi të mbetet nën potencial. Kjo situatë ka sjellë shfrytëzim jo të plotë të kapaciteteve prodhuese dhe ka diktuar norma papunësie përtej nivelit ekuilibër. Siç kemi përmendur dhe më parë, kapacitetet e lira në tregun e punës sjellin rritje të ulët të pagave, të kostove të prodhimit, si dhe të çmimeve finale në ekonomi. Këto fenomene kanë qenë të pranishme në Shqipëri gjatë vitit 2014.

Në opinionin e Bankës së Shqipërisë, kërkesa agregate është problemi kryesor me të cilin përballet ekonomia shqiptare, ndaj dhe adresimi i saj ka kërkuar rritjen e stimulit makroekonomik. Duke reflektuar sa më sipër, politika jonë monetare ka marrë një karakter gjithnjë e më stimulues. Banka e Shqipërisë uli tre herë normën bazë të interesit gjatë vitit 2014, duke e zbritur atë nga 3.0% në 2.25%, - e më tej në 2.0% në tremujorin e parë të vitit 2015.

Operacionet tona monetare kanë konsistuar në injektimin e vazhdueshëm të likuiditetit në sistemin bankar, deri në afatin maksimal ligjor prej 3 muajsh. Mesatarisht, injektimi nga Banka e Shqipërisë gjatë vitit 2014 rezulton 24.52 miliardë lekë (likuiditet) kundrejt 17.31 miliardë lekësh në vitin 2013. Krahas reduktimit të normës bazë, Banka e Shqipërisë vazhdimisht ka sinjalizuar se politika monetare do të jetë lehtësuese edhe për periudhën në vijim. Ky komunikim verbal është pjesë e instrumenteve jotradicionale të politikës monetare. Ai ka synuar të rrisë sigurinë e agjentëve ekonomikë mbi drejtimin e pritur të politikës monetare dhe t’iu mundësojë atyre zgjatjen e horizontit kohor të vendimeve për kredi dhe investime.

Mekanizmi i transmetimit të politikës monetare ka vazhduar të shfaqë dobësi, veçanërisht përsa i takon rritjes së kreditimit. Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë ka kombinuar stimulin e saj monetar me politika lehtësuese makroprudenciale. Paralelisht me instrumentet e politikës monetare të renditura më sipër, Banka e Shqipërisë ka vazhduar të aplikojë kërkesa të lehtësuara rregullative edhe gjatë vitit 2014. Këto masa kanë zgjeruar hapësirat në bilancin e bankave për kredi, kanë ulur koston e ndërmjetësimit dhe kanë nxitur ristrukturimin e kredive.

Politikat lehtësuese të Bankës së Shqipërisë kanë qenë relativisht të suksesshme. Ato janë reflektuar në uljen e përgjithshme të normave të interesit, në uljen e primeve të rrezikut në tregje, në përmirësimin e treguesve të likuiditetit të sistemit bankar dhe të sektorit privat, si dhe në përmirësimin e aktivitetit kreditues në monedhën vendase. Norma e interesit për kredinë në lekë ka zbritur në minimumet historike dhe ka favorizuar rritjen e aktivitetit kreditues në lekë. Banka e Shqipërisë vlerëson se këto zhvillime kanë ndihmuar stimulimin e kërkesës së brendshme dhe janë reflektuar në prirjen rritëse të inflacionit bazë gjatë vitit.

Megjithatë, përcjellja e stimulit monetar në ekonomi vazhdon të vuajë nga oreksi i ulët për rrezik, nga dobësi strukturore të ekonomisë shqiptare dhe nga zhvillimet e pafavorshme në ekonomitë e huaja. Për këta faktorë, të cilët janë jashtë ndikimit të politikës monetare, do të ndalem më gjatë në pikën e tretë të kësaj pjese.


2. Stabiliteti financiar dhe mbikëqyrja bankare

Ligji për Bankën e Shqipërisë na ngarkon me detyra për mbështetjen e stabilitetit financiar të vendit. Për përmbushjen e tyre, Banka e Shqipërisë rregullon dhe mbikëqyr veprimtarinë e sistemit bankar, mbikëqyr dhe stimulon zhvillimin e infrastrukturës së pagesave, si dhe ushtron funksionin e huadhënësit të instancës së fundit.

Sistemi bankar tregoi likuiditet të bollshëm dhe nivele të mira kapitalizimi gjatë vitit të shkuar, si dhe përmirësim të përfitueshmërisë. Vëllimi i aktiveve të sistemit bankar shënoi rritje, si rezultat i zgjerimit të lehtë të portofolit të kredisë dhe portofolit të investimeve në tituj të borxhit të qeverisë. Banka e Shqipërisë vlerëson se sistemi ka një ekspozim të ulët ndaj rrezikut të likuiditetit dhe atij të tregut dhe analizat tona dhe ushtrimet e provës së rezistencës tregojnë se sistemi financiar është në tërësi i qëndrueshëm.

Nga ana tjetër, rreziku kryesor ndaj të cilit ekspozohen bankat është rreziku i kredisë. Në dhjetor 2014, kreditë me probleme përbënë 22.8% të portofolit të kredisë dhe pavarësisht se ky raport është përmirësuar nga viti i kaluar, ai qëndron ende në nivele të larta. Si rrjedhojë, masat tona makroprudenciale kanë mbështetur dhe nxitur në vazhdimësi rritjen dhe rigjallërimin e kreditimit, por duke theksuar mbajtjen në nivele të larta të prudencialitetit dhe synuar paralelisht frenimin e kredive me probleme.

Gjatë vitit 2014, puna e Bankës së Shqipërisë në drejtim të ruajtjes së stabilitetit financiar dhe forcimit të mbikëqyrjes bankare, është përqendruar në katër drejtime kryesore:


- Adresimi i rrezikut të kredisë


Rreziku i kredisë është monitoruar nëpërmjet ekzaminimeve rigoroze të portofolit të kredive të bankave individuale, duke synuar evidentimin e faktorëve që kanë ndikuar në përkeqësimin e cilësisë së kredive dhe marrjen e masave përkatëse.

Duke nisur nga maji 2013, hynë në fuqi disa masa të natyrës kundërciklike/makroprudenciale, të cilat ofrojnë stimuj rregullativë për të orientuar përdorimin e burimeve financiare të bankave drejt ekonomisë së vendit, si edhe për të nxitur ristrukturimin e kredisë që në fazë të hershme të ciklit të saj. Gjithashtu, Banka e Shqipërisë ka qenë aktive në identifikimin e propozimeve për ndryshimet e nevojshme në Kodin e Procedurës Civile, për përmirësimin e procesit të ekzekutimit të kolateralit dhe këto ndryshime kanë hyrë në fuqi nga shtatori 2013.

Më tej, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, është qartësuar procesi i trajtimit tatimor në rastin e fshirjes nga bilanci të kredive të humbura, përmes miratimit të ndryshimeve përkatëse ligjore. Në vijim të këtij qartësimi tatimor, Banka e Shqipërisë miratoi ndryshime rregullative, të cilat nxisin dhe mbështesin procedurat për pastrimin e bilanceve të bankave nga kreditë me probleme.

Në bashkëpunim me Bankën Botërore, vëmendje e veçantë i është kushtuar zgjidhjes së rasteve të ekspozimeve të mëdha të klientëve, kur këto janë në më shumë se një bankë, ndërkohë që, me mbështetjen e Fondit Monetar Ndërkombëtar, po punohet për ndërtimin e një strategjie të përbashkët, me qëllim adresimin e plotë të kredive me probleme.

Së fundi, duke synuar të ruajë faktorët nxitës të kreditimit, Banka e Shqipërisë zgjati afatin e masave stimuluese makroprudenciale edhe për vitin 2015. Analizat tona tregojnë se në tërësi këto masa, të cilat kanë adresuar si stokun ashtu edhe fluksin e kredive me probleme, kanë dhënë efekt pozitiv në drejtim të uljes së kredive me probleme dhe niveleve të kreditimit.


- Përmirësimi i kuadrit rregullator dhe përafrimi me standardet rregullative të Bazel II


Përmirësimet e kuadrit mbikëqyrës e rregullator gjenden të detajuara në Raportin Vjetor. Megjithatë, në këtë prezantim dua të evidentoj dy ndryshime të rëndësishme:

   i. miratimin e rregullores “Për raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit”, e cila shënon kalimin nga standardi “Bazel I” në Akordin e Ri të Kapitalit, të njohur edhe si “Bazel II”;
   ii. hartimin e dokumentit të ri të Politikës së Mbikëqyrjes, i cili siguron monitorim dhe administrim më eficient të rreziqeve të sistemit bankar.


- Plotësimi i rekomandimeve të FSAP


Rekomandimet e Programit të Vlerësimit të Sektorit Financiar (FSAP) kanë shërbyer si udhërrëfyes për përmirësimin e kuadrit rregullator dhe mbikëqyrës të sistemit bankar. Zbatimi i tyre është përqendruar tek përmirësimi i monitorimit të rreziqeve të sistemit bankar dhe i adresimit të tyre. Disa prej rekomandimeve janë bërë pjesë e detyrimeve institucionale në kuadrin e zbatimit të instrumentit të kredisë për politikat e zhvillimit (DPL) të Bankës Botërore dhe në tremujorin e parë të vitit 2014, Banka e Shqipërisë përmbushi të gjitha kriteret për të cilat ishte përgjegjëse.

- Bashkëpunimi me institucionet e tjera

Duke e parë ruajtjen e stabilitetit financiar si përgjegjësi e ndarë midis disa institucioneve mbikëqyrëse në vend, Banka e Shqipërisë ka bashkëpunuar ngushtë me Ministrinë e Financave, Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare (AMF) dhe Agjencinë e Sigurimit të Depozitave (ASD) për parandalimin dhe administrimin e situatave të jashtëzakonshme në sistemin financiar. Ky bashkëpunim është institucionalizuar në kuadër të Grupit Këshillimor të Stabilitetit Financiar. Bashkëpunimi me AMF-në është shtrirë edhe në drejtim të organizimit të inspektimeve të përbashkëta pranë bankave dhe shoqërive administruese të fondeve të përbashkëta.

Gjithashtu, kemi qenë dhe jemi të angazhuar të adoptojmë praktikat dhe standardet më të mira ndërkombëtare, duke vazhduar të bashkëpunojmë ngushtë me partnerët tanë lokalë si dhe ata strategjikë si FMN-ja, BQE-ja, bankat e tjera qendrore të Bashkimit Evropian, BB-ja, FSVC-ja si dhe organizata të tjera të njohura.


3. Perspektiva dhe problemet e zhvillimit ekonomik

Të nderuar zonja dhe zotërinj,
Banka e Shqipërisë vlerëson se cikli i rritjes ekonomike shënoi një pikë kthese gjatë vitit 2014. Gjatë viteve në vijim, ekonomia shqiptare parashikohet të lëvizë në një trajektore rritëse, çka do të mundësojë edhe kthimin e ekonomisë në ekuilibër dhe të inflacionit në objektiv në një periudhë afatmesme. Një pjesë e faktorëve fondamentalë që do të mbështesin këtë rritje, si kushtet e lehtësuara të financimit dhe stabiliteti monetar e financiar i vendit, janë të pranishëm.

Stabiliteti ekonomik dhe ulja e kostove të financimit duhen mbështetur nëpërmjet ruajtjes së kuadrit aktual të politikave makroekonomike. Një grup tjetër faktorësh, si aktiviteti ekonomik në Eurozonë dhe gatishmëria për të marrë përsipër rrezik nga biznesi dhe sistemi financiar, pritet të vijnë në përmirësim.

Grupi i fundit i faktorëve mbështetës të rritjes, klima e biznesit në të gjitha dimensionet e saj dhe reformat strukturore të cilat zgjerojnë horizontet e zhvillimit dhe përafrojnë produktivitetin e punës me ato të vendeve të zhvilluara, duhen përmirësuar më tej, nëpërmjet punës sonë të përbashkët.

Do të doja të theksoja se tabloja e mësipërme përshkruan drejtimin e pritur të zhvillimit të vendit për dy-tre vitet e ardhshme, ndërkohë që në stadin aktual, Banka e Shqipërisë po ndjek me kujdes zhvillimet dhe vlerëson efektet që rrjedhin nga komponentë të këtij skenari.

Ecuria e aktivitetit kreditues në vend. Aktualisht, kredia vuan si nga kërkesa e dobët dhe jocilësore, ashtu edhe nga politika konservatore kreditimi të bankave. Ndaj, në gjykimin tonë, kredia do të shënojë një rritje modeste gjatë vitit 2015. Lidhur me sa më sipër, dëshiroj të ndaj me ju dy konsiderata.

Së pari, një pjesë e konservatorizmit të sistemit bankar buron nga zhvillimet në tregun financiar evropian dhe eliminimi i saj do të kërkojë natyrshëm kohën e vet. Por, një pjesë tjetër e këtij konservatorizmi buron nga rreziqet reale apo të perceptuara që ka aktiviteti kreditues në vend. Banka e Shqipërisë nuk mund të ofrojë e vetme zgjidhje për të gjitha çështjet që pengojnë kreditimin. Për këtë arsye, vlerësojmë se ulja sistematike e rrezikut të kreditit duhet të trajtohet si një çështje me interes kombëtar, e cila duhet të bëhet objekt i punës së koordinuar mes autoriteteve publike në vend.

Së dyti, përvoja evropiane dhe e jona aktualisht, tregon se rritja ekonomike e vendit nuk është e kushtëzuar nga ecuria e kreditimit në horizonte afatshkurtra. Megjithatë, në horizonte më të gjata kohore, qëndrueshmëria e rritjes ekonomike do të varet padyshim nga ecuria e kreditimit. Për këtë arsye, kujdesi jonë parësor duhet të jetë në ruajtjen dhe forcimin e shëndetit të sistemit tonë bankar, në mënyrë që ai të jetë i aftë t’i përgjigjet nevojave të ardhshme të ekonomisë për financim.

Banka e Shqipërisë po ndërmerr një rishikim tërësor të problemeve të kreditimit. Çështje të cilat në opinionin tonë mbeten për zgjidhje dhe kërkojnë bashkëpunimin e të gjithë politikëbërësve, janë trajtimi i kredive me probleme dhe konceptimi i faktorëve nxitës në banka për të kredituar në mënyrë të shëndetshme. Banka e Shqipërisë do të organizojë dy platforma të veçanta pune për secilën prej tyre, duke kërkuar të tërheqë bashkëpunimin e të gjithë aktorëve të interesuar.

Zhvillimet strukturore tek grupet bankare zotëruese. Siç e thashë më lart, këto burojnë si nga kërkesat e reja rregullative të Mekanizmit të Unifikuar Mbikëqyrës në nivel evropian, ashtu edhe nga zhvillimet ekonomike/financiare në vendet ku operojnë grupet bankare zotëruese.

Kërkesat për kapital më cilësor dhe për nivele më të larta të tij, të cilat qëndrojnë në themel të direktivave të reja evropiane në veprimtarinë bankare, kanë nxitur rishikimin nga bankat evropiane të modelit dhe të shtrirjes së veprimtarisë së tyre. Në terma më praktikë, kjo nënkupton që prania e filialeve të bankave të huaja në vendet e rajonit, po i nënshtrohet një vlerësimi të kujdesshëm, për të përcaktuar efektivitetin e tyre dhe vijimin e veprimtarisë. Ky proces nuk është domosdoshmërish shtrëngues për ekonomitë e rajonit, pasi ai mund të gjenerojë procese të konsolidimit bankar ose hyrje në treg të investitorëve të rinj.

Zhvillimet ekonomike dhe financiare në vendet ku operojnë grupet bankare zotëruese, ndiqen me kujdes nga Banka e Shqipërisë. Ne kemi ndërmarrë me kohë disa masa, të cilat sigurojnë fuqizimin e treguesve të kapitalit dhe të likuiditetit, si dhe përmirësojnë rezistencën e bankave të veçanta dhe të sektorit në tërësi. Në nivel më operacional, po vazhdojnë të kryhen analiza periodike dhe procese të tjera, të cilat synojnë të realizojnë:
i. një vlerësim sa më profesional të gjendjes financiare dhe të rreziqeve në veprimtarinë e bankave të veçanta dhe të sektorit në tërësi;
ii. një kuadër sa më të plotë të trajtimit dhe të zbutjes së rreziqeve për stabilitetin e sistemit financiar.

4. Drejtimet kryesore të punës së Bankës së Shqipërisë në vitin 2015

Kjo ishte një përmbledhje e veprimtarisë së Bankës së Shqipërisë gjatë vitit 2014, si dhe e muajve të parë të drejtimit tim si Guvernator i saj, ndërkohë që, në përfundim të fjalës sime, do të doja të ndalesha shkurtimisht edhe tek objektivat kryesorë të këtij institucioni për vitin 2015, të cilët rrjedhin si nga detyrimet ligjore ashtu dhe strategjia afatmesme e zhvillimit të Bankës.

Së pari, vendimet e politikës monetare do të synojnë ankorimin e pritjeve inflacioniste pranë objektivit 3.0% të inflacionit. Parashikimet tona sugjerojnë se politika monetare do të vijojë të mbetet në kahun stimulues edhe në periudhën në vazhdim. Në gjykimin tonë, kushtet aktuale monetare janë të përshtatshme për kthimin e ekonomisë në ekuilibër dhe të inflacionit në objektiv. Megjithatë, brenda kuadrit ligjor që rregullon punën e institucionit, ne mbetemi të gatshëm të ndërmarrim të gjitha masat e duhura për respektimin e objektivit tonë për inflacionin.

Së dyti, politikat mbikëqyrëse do të synojnë forcimin e stabilitetit të sistemit bankar në vend.

Sfidat kryesore që kemi përpara për sektorin bankar shqiptar janë:

   i. sigurimi i një rikthimi të rritjes së qëndrueshme të aktivitetit kreditues;

  ii. përmirësimi i treguesve të cilësisë së aktiveve të bankave, në kuadër të masave të marra për pastrimin e bilanceve të tyre, të cilat pritet të kenë një ndikim pozitiv në efikasitetin operacional dhe kapacitetin ndërmjetësues të bankave;
  iii. zbutja e ndikimeve që burojnë nga rregullimet strukturore të imponuara ndaj grupeve bankare në Bashkimin Evropian (BE), në kuadër të uljes së ekspozimit në filialet e tyre jashtë BE-së.

Për ruajtjen e stabilitetit financiar në tërësi, do të synohet forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit me institucionet e tjera mbikëqyrëse financiare dhe me institucionet financiare ndërkombëtare.

Së treti, ndër objektivat e Bankës së Shqipërisë gjatë vitit do të jetë edhe forcimi i sistemit të administrimit dhe kontrollit të brendshëm, rritja e kapaciteteve institucionale sipas standardeve të BE-së. Paralelisht me to, Banka e Shqipërisë synon të rrisë transparencën me grupet e interesit dhe me publikun në tërësi, për komunikimin rreth veprimtarisë së saj. Në funksion të pavarësisë që ofron ligji organik i institucionit, rritja e transparencës nënkupton rritjen e llogaridhënies dhe të përgjegjshmërisë.

Do të doja ta mbyllja fjalën time duke theksuar se Banka e Shqipërisë është e bindur se mbështetja pa kushte në këto parime dhe efektiviteti i politikave të saj në ekonomi, do të forcojnë besimin e publikut tek integriteti institucional i bankës qendrore dhe do të shërbejnë pozitivisht në arritjen me sukses të të gjithë objektivave që ka institucioni.