BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në takimin rajonal të Bankës së Shqipërisë në qarkun e Fierit

Data e publikimit: 03.02.2012

 

Të nderuar pjesëmarrës,

Është nder dhe privilegj i veçantë të ndodhem këtu para jush, për të ndarë së bashku disa mendime dhe ide në lidhje me stadin aktual të zhvillimit të ekonomisë në tërësi dhe të zonës suaj më në veçanti. Takimet rajonale tashmë janë bërë një traditë e konsoliduar në filozofinë tonë të komunikimit me publikun. Ne besojmë se ato shërbejnë për të përmbushur objektivat e Bankës së Shqipërisë, nëpërmjet një shpjegimi më të mirë të vendimmarrjes së politikës monetare. Ky komunikim i drejtpërdrejtë përveçse rrit transparencën e vendimmarrjes sonë, ka dhe një funksion tjetër: atë të edukimit të publikut. Në fund të fundit, ne besojmë se falë këtij komunikimi mundësohet një eficiencë më e madhe në transmetimin e vendimeve të politikës monetare në ekonomi.

Gjithsesi, nuk mund të rri pa shprehur disa nga përshtypjet personale që kam krijuar gjatë viteve për Fierin dhe banorët e tij.

Qyteti juaj është një udhëkryq i rëndësishëm që lidh zonën e ulët të vendit me jugun, përfshirë edhe rivierën e Jonit. Kjo, mendoj se përbën një pikë të fortë, një avantazh krahasues në raport me shumë qytete të tjera të vendit. Jo vetëm kaq.

foto takimi rajonal ne fier copy 1 4747 0

Fieri ka një dalje të gjerë në detin Adriatik, duke filluar nga grykëderdhja e lumit Seman në veri dhe deri në grykëderdhjen e lumit Vjosa në jug. I gjithë territori është pjesë e ultësirës së Myzeqesë, një nga fushat më pjellore të Shqipërisë, ndërkohë që flasim për rajonin naftëmbajtës të vendit. E fundit, dhe që mendoj është më e rëndësishmja, ka të bëjë me njerëzit e kësaj zone që historikisht janë shquar si punëtorë të mëdhenj, paqësorë dhe mikpritës. Sinqerisht, më besoni se jam i kënaqur që ndodhem këtu mes jush.

Të nderuar pjesëmarrës,

Ekonomia jonë ka vazhduar të ketë ecuri pozitive, e cila është manifestuar në terma të rritjes pozitive, në terma të inflacionit të ulët, në terma të stabilitetit të monedhës e të qëndrueshmërisë fiskale dhe financiare.

Sektori financiar i vendit, i dominuar nga sistemi bankar, ka rritur ndërmjetësimin financiar të shprehur në rritjen e depozitave dhe shtimin e kredisë për ekonominë. Nga ana tjetër, ai gëzon shëndet të plotë financiar, i cili shprehet kryesisht në terma të mjaftueshmërisë së kapitalit, gjendjes së likuiditetit dhe rezultatit financiar të tij.

Gjatë gjithë kohës, Banka e Shqipërisë, ka monitoruar me kujdes zhvillimet në sistemin bankar, duke kryer dhe testet e rezistencës (ndryshe njihen si stress test-e), nga të cilat rezulton se të gjitha bankat janë të afta të përballojnë goditje nga më ekstremet dhe të vazhdojnë veprimtarinë e tyre normalisht. Nga ana tjetër, Banka e Shqipërisë ka qenë shumë e vëmendshme edhe në drejtim të ecurisë së ekonomisë.

Siç mund të keni dëgjuar, javën që kaloi Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë uli përqindjen e interesit me 0.25 pikë përqindje. Ishte ulja e tretë radhazi e bërë prej nesh me synimin e mirëpërcaktuar për të mbështetur dhe nxitur më shumë aktivitetin ekonomik të vendit. Rritja ekonomike e ndikuar nga kriza e paprecedentë e ekonomisë botërore në përgjithësi dhe e Eurozonës më në veçanti, mbetet nën ekuilibrin e vet afatgjatë. E kam fjalën për rritjen potenciale të ekonomisë ose më thjesht, nivelin me të cilin ekonomia jonë do të rritej në qoftë se do të shfrytëzonte të gjitha kapacitetet e saj prodhuese.

Në analizat tona jemi munduar të gjejmë arsyet e kësaj ecurie, pasojat si dhe disa nga masat që do të ndihmonin në zbutjen e këtij problemi. Në vijim do të doja të ndaja me ju disa nga përfundimet tona.

Do ta filloj analizën mbi gjendjen ekonomiko – financiare të vendit, duke u ndalur pak në atë që ne e kemi vlerësuar si shkaktarin dhe burimin kryesor të rreziqeve për të ardhmen: krizën e rëndë ndërkombëtare. Situata e partnerëve tanë është produkt i zhvillimeve në ekonominë globale, e cila po përjeton një periudhë të vështirë për sa i përket stabilitetit makroekonomik dhe atij financiar. Borxhet e larta të qeverive dhe të individëve kanë kufizuar aftësinë e shumë prej ekonomive të zhvilluara për të kryer shpenzime dhe investime, duke ndikuar negativisht aktivitetin ekonomik dhe aftësinë e tyre për të paguar borxhet.

Shumë përfaqësues të respektuar të akademisë dhe biznesit, e gjejnë shkakun e krizës (borxhet dhe bilancet e rënduara të qeverive dhe të individëve) pikërisht te globalizimi dhe te konkurrenca që ai ka krijuar. Përgjithësisht, vendet e zhvilluara për arsye të kostove kanë humbur avantazhet historike në prodhimin e mallrave dhe shërbimeve, duke zëvendësuar të ardhurat e munguara me borxh, të cilin tashmë duhet ta paguajnë.

Përse janë këto zhvillime të rëndësishme për ekonominë tonë?

  • Së pari, është e nevojshme të kuptojmë se këto vende të zhvilluara janë partnerët tanë kryesorë tregtarë. Ato janë përdoruesit kryesorë të eksporteve tona dhe njëkohësisht janë burimet e importeve të mallrave të konsumit dhe të lëndëve djegëse.
  • Së dyti, këto ekonomi janë investuesit kryesorë në ekonominë dhe sistemin financiar shqiptar.
  • Së treti, këto vende janë ekonomitë ku jeton e punon emigracioni shqiptar.
  • Së katërti, ne besojmë se një efekt tjetër lidhet me faktorin psikologjik, i cili shfaqet në formën e hezitimit të konsumatorëve dhe bizneseve për të konsumuar dhe investuar.

Rrjedhimisht, vështirësitë e fqinjëve-partnerë konvertohen në vështirësi për ekonominë shqiptare. Çdo shkurtim i shpenzimeve të konsumit dhe të investimeve, qofshin këto private apo shtetërore, do të shkaktojë shkurtim të investimeve në Shqipëri nga këto ekonomi, rënie të kërkesës për eksporte, rënie të dërgesave nga emigrantët, me pak fjalë rënien e të gjithë elementëve të kërkesës agregate në Shqipëri. Kjo do të shkaktonte rënien e prodhimit, krijimin e kapaciteteve të lira, përkeqësimin e bilanceve të kompanive, të individëve dhe një sërë fenomenesh të tjera negative.

Aktualisht, ekonomia shqiptare gjeneron afërsisht gjysmën e potencialit të rritjes së saj ekonomike. Kjo diferencë, e cila në terminologjinë tonë njihet si “hendeku i prodhimit”, shpjegohet pjesërisht me vështirësitë e partnerëve tanë.

Përveç faktorëve që përmenda më sipër, rënia e ritmit të rritjes ekonomike, lidhet edhe me ngadalësimin e aktivitetit të disa industrive që deri dy vite më parë gjeneronin një pjesë të rëndësishme të rritjes ekonomike.

Këto industri veprojnë në sektorin e mallrave të patregtueshme, që do të thotë se produkti që krijohet mbetet në ekonominë vendase, pra nuk mund të tregtohet në tregjet globale. Për të qenë më i qartë, e kam fjalën për sektorin e ndërtimit dhe të gjithë zinxhirin e aktiviteteve ekonomike që ushqen atë.

Ngadalësimi i aktivitetit ekonomik ose e thënë ndryshe prania e hendekut negativ të prodhimit, të çon në përfundimin se në ekonomi ka kapacitete prodhuese të lira. Sipas analizave të fundit këto kapacitete kanë çuar në rënien e presioneve inflacioniste në ekonomi. Në këtë situatë, politika e Bankës së Shqipërisë ka qenë stimuluese, duke u përpjekur të zvogëlojë kostot e ndërmjetësimit financiar (duke ndikuar në mënyrë indirekte koston e kredisë) për të nxitur më shumë investimet dhe konsumin, e përmes tij edhe aktivitetin ekonomik. Përveç kësaj, ne e kemi furnizuar sistemin bankar dhe ekonominë shqiptare me të gjithë likuiditetin monetar të kërkuar prej tyre, në përmbushje të aktivitetit tregtar e ekonomik. Gjithashtu, nëpërmjet politikës së suksesshme monetare ne kemi përmbushur objektivin tonë të inflacionit të ulët dhe kemi garantuar një ambient të qëndrueshëm makroekonomik e financiar. Kjo qëndrueshmëri, e cila përbën thelbin e misionit të një banke qendrore moderne, u mundëson familjeve, bizneseve e institucioneve financiare të ndërmarrin vendime financiare dhe iniciativa biznesi, në prani të një sigurie më të lartë për të ardhmen.

Kredibiliteti i bankës qendrore dhe i politikës sonë monetare është tashmë një realitet i prekshëm për Shqipërinë. Ai reflektohet në besimin që ka ekonomia ndaj monedhës së saj kombëtare dhe ndaj fuqisë së saj blerëse në të ardhmen. Investimi i bërë nga Banka e Shqipërisë për të fituar besimin e publikut ka kërkuar punë dhe mund nga ana jonë, por ai shpërblehet shumëfish me mundësitë më të mëdha që na jepen tashmë për të stimuluar ekonominë pa dëmtuar perspektivën e inflacionit në të ardhmen. Në këto kushte, Banka e Shqipërisë ka dhënë stimujt e nevojshëm ekonomikë dhe ka ende hapësirë për dhënien e stimujve shtesë monetarë, në një periudhë afatmesme. Politikat stimuluese përgjithësisht synojnë nxitjen e aktivitetit ekonomik dhe kërkesës së brendshme, në mënyrë që çmimet e konsumit në periudhën afatmesme të mbeten brenda objektivit të Bankës së Shqipërisë.

Kemi edhe arsye të tjera për të mbështetur rritjen ekonomike. Ne besojmë se në qoftë se ekonomia do të rritet me potencialin e saj, ndikimi do të jetë i ndjeshëm në përmirësimin e bilanceve financiare të sektorit publik, privat e të individëve. Për rrjedhim, do të përmirësohet aftësia e tyre për të shlyer detyrimet financiare të mbartura si dhe do të rritet aftësia e tyre për të marrë kredi të reja.

Mendoj se kjo është një nga sfidat, e cila do të mundësonte nga njëra anë rivendosjen e ekuilibrit makroekonomik në nivelin e para-krizës, dhe nga ana tjetër do të garantonte stabilitetin e sektorit financiar të ekonomisë në terma afatgjatë.

Në vazhdim do të ndalem në një argument tjetër, i cili lidhet me krizën aktuale por që përbën edhe një potencial zhvillimi, nëse e identifikojmë dhe e trajtojmë me shpejtësinë e duhur.

Kriza globale përveç efekteve negative ofron edhe disa mundësi, të cilat mendoj se është koha t’i evidentojmë me shpejtësi, për të përfituar prej tyre.

Më lejoni ta nis me një fakt të vitit të kaluar, i cili mendoj se ilustron këtë që sapo thashë. Ka një konstatim se Pranvera Arabe është një nga faktorët që ndikoi në rritjen e industrisë së fasonit në Shqipëri, duke bërë që performanca e kësaj dege jo vetëm të mos goditej nga kriza por të rriste aktivitetin. Me të drejtë dikush mund të thotë se Pranvera Arabe ndodh vetëm një herë.

Kjo është e vërtetë, por ajo që shikoj si një avantazh krahasues të ekonomisë tonë në raport me ekonomitë e shumë prej vendeve që tradicionalisht kryejnë përpunimin aktiv të materialeve të porositësit (industria e fasonit) është ende krahu i lirë i punës. Vendet si Kina, Turqia, Vietnami, etj. kanë rritur kostot e punës ndërkohë që duhet pranuar se kanë shkallë të lartë produktiviteti. Pra, ajo që duhet të bëjmë është të kualifikojmë fuqinë punëtore të këtyre sektorëve, me qëllim rritjen e produktivitetit. Mendoj se edukimi i fuqisë punëtore, rritja e kapitalit njerëzor, shtimi i politikave nxitëse për mbështetjen e këtyre sektorëve, është një rezervë dhe një potencial ku duhet të mbështetemi për të krijuar avantazhe konkurruese.

Një mundësi tjetër që na jepet nga kriza botërore është thithja e kapitaleve më të mëdha për zhvillimin e vendit. Është një fakt tashmë i njohur se teknologjia dhe kapitali financiar tentojnë të lëvizin drejt sektorëve, drejt degëve dhe drejt vendeve, të cilët ofrojnë të ardhura më të larta mbi investimin. Në opinionin tim personal por edhe sipas një analize të detajuar të ekonomisë shqiptare, Shqipëria e ofron gjithnjë e më shumë një destinacion të tillë.

Natyrisht që rreziku i perceptuar në tregjet botërore, jo vetëm për Shqipërinë por për të gjitha vendet e rajonit, është i lartë. Megjithatë, ne duhet të prezantojmë qartë avantazhet tona konkurruese në tregjet ndërkombëtare dhe të vazhdojmë të punojmë me reformën strukturore, për të çliruar sa më shumë potenciale e energji zhvillimi.

Një leksion tjetër i nxjerrë nga kriza është se konsumi duhet riorientuar nga mallrat e importit drejt prodhimit vendas. E kam adresuar edhe më parë çështjen e shkurtimit të listës së importeve nëpërmjet zëvendësimit me produkte vendase, çka duhet të jetë përparësia e modelit të ri të rritjes ekonomike të vendit.

Për këtë qëllim, ndoshta është momenti që të shihet me përparësi edhe organizimi i skemave financuese për mbështetjen e sektorëve të prodhimit të mallrave të tregtueshme. Më konkretisht, e kam fjalën për institucione financiare zhvillimi në mbështetje të sektorëve të bujqësisë, industrisë së agrobiznesit, industrisë nxjerrëse dhe asaj përpunuese, ku ekonomia jonë ofron avantazhe konkurruese. Përfitimet ekonomike nga këto institucione financiare për prodhimin vendas shkojnë përtej kostove të ulëta të financimit.

Këto institucione janë të specializuara, i njohin mirë ekonomitë në zhvillim dhe sektorët përkatës. Përveç financimit, ato kanë dhe ofrojnë ekspertizë teknike e financiare për të rritur efektivitetin, transparencën, punësimin dhe menaxhimin në sektorët që mbështesin; për të stimuluar prodhimin vendas; për të rritur punësimin dhe përmes tyre, për të stimuluar balancimin e deficiteve të sektorit të jashtëm.

Riorientimi i kapaciteteve të lira të punës, kapitalit dhe interesit privat e atij publik drejt këtyre avantazheve, ofron zgjidhjen e njëkohshme për shumë nga problemet, me të cilat përballet ekonomia jonë. Ky riorientim përbën thelbin e modelit të rritjes ekonomike dhe duhet të jetë objektivi kryesor i politikave dhe stimujve ekonomikë edhe në rang lokal.

Aktiviteti ekonomik i rajonit të Fierit është një shembull i përsosur që provon suksesin e orientimit drejt sektorëve prodhues të mallrave të tregtueshme. Fieri ka përgjithësisht një rritje ekonomike mbi mesataren e ekonomisë shqiptare dhe është rajoni i dytë (pas prefekturës së Tiranës) për nga rëndësia në kontributin e rritjes reale të PBB-së, dhe në peshën e përgjithshme ndaj totalit të PBB-së.

Njëkohësisht, ai gëzon një nivel punësimi rreth 4% më të lartë se niveli mesatar i punësimit në ekonominë shqiptare. Këta tregues ekonomikë dëshmojnë rezultatet e drejtpërdrejta të avantazheve konkurruese që ofron rajoni i Fierit në raport me rajonet e tjera ekonomike të vendit.

Kjo performancë mbështetet nga një grup karakteristikash që garantojnë larmi prodhimi në nivel industrie me tregtueshmëri të lartë. Me fjalë të tjera, Fieri paraqet avantazhe konkurruese si më poshtë:

  • Pozicion të favorshëm gjeografik: pozicioni në pjesën perëndimore të Republikës së Shqipërisë - që prej lashtësisë, qyteti antik i Apolonisë ka qenë qyteti i dytë më i madh i territorit ilir dhe pika e fillimit të rrugës Egnatia, e cila lidhte Romën me Bizantin. Ky pozicion i favorshëm gjeografik i ka dhënë qytetit dhe rrethinave një prioritet në zhvillimin ekonomik-tregtar-kulturor që nga lashtësia.
  • Pasuri natyrore: Fieri, i favorizuar nga pozita gjeografike në Ultësirën Perëndimore është i pasur në toka bujqësore dhe pasuri natyrore, kryesisht në naftë dhe bitum.
  • Përqendrim dhe shumëllojshmëri industriale: Fieri ka qenë dhe mbetet një zonë me prodhim industrial të diversifikuar në nxjerrje dhe përpunim nafte, ndërtim, bujqësi dhe përpunim të produkteve bujqësore. Përqendrimi i komplekseve industriale dhe bujqësore ka ndikuar në përqendrimin e kapitalit njerëzor dhe atij financiar.

Rrethi i Fierit ka gjeneruar rreth 6.1% të totalit të depozitave në sistemin bankar, ndërkohë që ka përfituar si kredi vetëm 28% të totalit të depozitave në rang rrethi. Shkallë ndërmjetësimi kjo, e cila flet vetë. Duket se vëmendja dhe mbështetja që sektori bankar i ka dhënë këtij rrethi nuk është në përpjesëtim të drejtë me kapacitetet. Kjo gjendje nuk është vetëm mungesë e vëmendjes nga ana bizneseve por edhe nga ana e bankave. Është e domosdoshme që biznesi dhe bankat të ulen dhe të bashkëbisedojnë për të ndërtuar ide dhe projekte të reja, me përfitim të përbashkët.

Në përfundim, dua të sjell në vëmendjen tuaj edhe një problem tjetër. Gjatë kohës së përgatitjes për këtë takim, hasëm vështirësi në gjetjen e një informacioni të dobishëm statistikor që ilustron aktivitetin demografik dhe ekonomik të rrethit tuaj. Nga këndvështrimi i mundësive, statistikat e raportuara nuk e bëjnë qarkun të dallueshëm apo të krahasueshëm me rajonet e tjera brenda apo jashtë vendit.

Për shembull, me interes do të ishte një informacion i detajuar në lidhje me kapacitetet e lira në bujqësi dhe industri; rendimentin mesatar; burimet e pashfrytëzuara në tregun e punës, nivelin e edukimit dhe kapitalin njerëzor; kostot për njësi pune, njësi kapitali dhe ato për njësi të produkteve përfundimtare; çmimet e faktorëve të tjerë të prodhimit e kështu me radhë. Mungesa e këtyre treguesve e bën të vështirë, për të mos thënë të pamundur, analizën dhe krahasimin e planeve të biznesit që potencialisht mund të paraqiten pranë institucioneve financiare ose pranë partnerëve të tjerë vendas apo të huaj.

Nuk duhet harruar se në epokën globale, konkurrenca e vërtetë për rajonin e Fierit nuk janë rajonet e tjera të Shqipërisë por ato të ngjashme të ekonomive evropiane dhe të vendeve në zhvillim. Aktualisht ne nuk konkurrojmë me këto ekonomi sepse nuk jemi pjesë e tregut global dhe nuk do të kemi mundësi të jemi pjesë e tij, për sa kohë nuk “kuotohemi” në kohë reale me të njëjtën metodologji e me të njëjtit tregues që mundësojnë krahasimin e kostove dhe mundësive.

Krijimi i këtyre treguesve, përllogaritja e tyre dhe listimi në tregjet përkatëse do të krijonte kushtet për të vlerësuar realisht avantazhet konkurruese që ofron rrethi juaj. Ndihma që autoritetet vendore mund të japin në identifikimin e avantazheve konkurruese dhe prezantimin e statistikave me karakter lokal, janë ndoshta investimi më i mirë që autoritetet vendore do të jepnin për zhvillimin rajonal dhe kombëtar.

Sot më shumë se kurrë e gjithë vëmendja e ekonomisë botërore është drejtuar nga tregjet, si vlerësuesit më të saktë të avantazheve konkurruese në ekonominë globale. Zhvillimet në këto tregje po sjellin një rikonfigurim të fuqive ekonomike në planin global.

Prirjet e reja tregtare dhe financiare po shkojnë në favor të shfrytëzimit të burimeve natyrore dhe avantazheve krahasuese, përmes investimeve në ekonomitë në zhvillim, për t’i importuar më pas në formën e produkteve përfundimtare, të gatshme për konsum. Këto përbëjnë avantazh për ekonominë shqiptare, e cila me reformat e mëdha strukturore që janë kryer (ku do të veçoja privatizimet, burimet e saj natyrore dhe njerëzore, kreativitetin dhe shpirtin sipërmarrës), i ka të gjitha mundësitë dhe duhet të bëhet pjesë aktive e tregut rajonal dhe më gjerë e atij global. Jam optimist dhe besoj në ekonominë tonë dhe potencialin e saj.

Duke ju falënderuar për vëmendjen, mirëpres komentet tuaja.