BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbledhja e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë e datës 12 shtator 2007

Data e publikimit: 12.09.2007

 

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në mbledhjen e tij të datës 12 shtator 2007 mori në shqyrtim "Aktivitetin depozitues dhe kreditues të sistemit bankar në Shqipëri për gjashtëmujorin e parë të vitit 2007" dhe konkludoi se:

Aktiviteti depozitues dhe kreditues në Shqipëri ka njohur dinamikë relativisht të lartë në gjysmën e parë të vitit. Në prani të kërkesës së sektorit privat për mjete monetare, sistemi bankar ka qenë aktiv në rolin ndërmjetësues në ekonomi. Sistemi bankar ka ruajtur ritmet e larta të kreditimit të ekonomisë ndërsa ambienti makroekonomik i qëndrueshëm dhe konkurrenca midis bankave ka mundësuar kanalizimin e flukseve monetare në formën e depozitave bankare. Normat në rritje të interesave të depozitave kanë luajtur rol pozitiv në këtë tendencë. Në prani të ecurisë së qëndrueshme të normave të interesit të kredive vërehet një prirjeje e lehtë rënëse e kostos së ndërmjetësimit financiar.

Treguesit kryesorë të kredisë dhe depozitave

2002

2003

6-mujori I

2004

2005

2006

2007

(në për qind)

Raporti kredi / depozita

13.5

15.7

19.0

28.5

37.4

44.1

Rritja vjetore e parasë gjerë

5.9

7.6

13.1

14.0

16.7

14.8

(në për qind ndaj M3)

Depozita gjithsej

68.6

72.1

72.8

74.1

75.8

78.0

Kredi gjithsej për ekonominë

9.3

11.3

13.8

21.1

28.4

34.4

Të drejta neto ndaj qeverisë

58.8

56.2

51.8

46.7

41.8

40.9

(në për qind ndaj PBB)

Kredia për ekonominë

6.2

7.4

9.1

14.6

20.1

25.0

Depozita gjithsej

45.8

47.3

48.2

51.2

54.7

56.8

Burimi: Banka e Shqipërisë.

Aktiviteti depozitues dhe kreditues në Shqipëri karakterizohet nga disa tendenca kryesore gjatë gjysmës së parë të vitit 2007.

Gjashtëmujori i parë i vitit 2007, është karakterizuar nga një kontribut i qëndrueshëm i kredisë për ekonominë në kërkesën për para. Portofoli i kredisë së sistemit bankar në fund të muajit qershor 2007 arriti në 234.7 miliardë lekë. Rritja mesatare mujore e tepricës së kredisë për gjashtëmujorin e parë rezulton 7.2 miliardë lekë, kundrejt rreth 6.4 miliardë lekë në gjashtëmujorin paraardhës.

  • Portofoli i kredisë për individët përbën 35.1 për qind të totalit të kredisë duke shënuar rritje krahasuar me fundin e vitit 2006, ku ajo përbënte 33.4 për qind. Ritmi vjetor i rritjes prej rreth 65 për qind e kredisë për pasuri të paluajtshme nuk ka ndryshuar. Kredia për bizneset prej 65 për qind të portofolit, është e denominuar në valutë në masën 81 për qind.
  • Sektori më i kredituar i ekonomisë shqiptare mbetet tregtia, e cila përbën 21 për qind të totalit të kredive, ose 1 pikë përqindjeje më pak se në vitin 2006. Gjithashtu, rënie në peshën e portofolit të kredive ka treguar kredia për industrinë përpunuese dhe ajo për bujqësinë. Vihet re se bankat kanë forcuar kreditimin e tyre për sektorin e ndërtimit, të shërbimeve edhe atë të prodhimit dhe të shpërndarjes së energjisë.
  • Në raport me PBB-në kredia për ekonominë vijoi tendencën rritëse. Vlerësohet se në fund të gjashtëmujorit të parë teprica e kredisë për ekonominë rregjistron rreth 25.6 për qind të PBB-së së parashikuar për gjithë vitin 2007. Angazhimi i bankave në aktivitetin kreditues ka rritur në mënyrë të ndjeshme edhe ndërmjetësimin financiar që ata ofrojnë për ekonominë. Në raport me totalin e aktiveve të sistemit bankar kredia arriti në 36 për qind nga 29 që përbënte një vit më parë.

Rritja vjetore e depozitave gjithsej të sistemit rezulton 17.4 për qind, kundrejt 11.7 për qind një vit më parë dhe 19.3 për qind në fund të vitit 2006.

  • Gjatë gjysmës së parë të vitit 2007, niveli total i depozitave shënoi 532 miliardë lekë, ose 21.4 miliardë lekë më tepër se në fund të vitit 2006. Mesatarja e rritjes vjetore të totalit të depozitave gjatë këtij gjashtëmujori është 19.4 për qind kundrejt 14.4 për qind në gjysmën e dytë të vitit 2006.
  • Struktura kohore dhe valutore e depozitave ka ruajtur prirjen e gjashtëmujorit të kaluar drejt depozitave me afat dhe atyre në valutë të huaj. Rritja mesatare vjetore e depozitave në valutë këtë gjysëmviti shënoi 31.1 për qind kundrejt 12.8 për qind që është rritja mesatare vjetore e depozitave në lekë. Ndërsa depozitat me afat shënuan një rritje vjetore mesatare prej 24 për qind kundrejt rritjes mesatare vjetore prej 8.4 për qind të depozitave pa afat.
  • Nga këndvështrimi i agjentëve ekonomikë, rezulton se individët kanë investuar 82.4 për qind të totalit të depozitave në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit 2007. Agjentët e tjerë ekonomik qeveria dhe sektori privat zënë peshë më të vogël në totalin e depozitave të sistemit financiar. Në fund të muajit qershor depozitat e sektorit shtetëror përbëjnë 3.9 për qind të totalit të depozitave, ndërsa depozitat e sektorit privat përbëjnë 13.7 për qind të totalit të depozitave.

Tendenca e përgjithshme e ecurisë së normave të interesit në tregun e depozitave ka njohur prirje rritëse të normave bazë të interesit sipas monedhave. Intensiteti i pasqyrimit të rritjes së normave bazë të euro dhe lek, ka qenë më i lartë në tregun e depozitave në lekë dhe euro.

  • Zhvillimet në aktivitetin depozitues të sistemit bankar kanë si faktorë përcaktues, midis të tjerave, diferencën e normave të interesave midis monedhës vendase dhe atyre në valutë. Prirja e përgjithshme konfirmon ngushtimin e diferencës së normave të interesave në lek dhe valutë në tregun e depozitave.
  • Aktualisht diferenca midis interesave të depozitave në lekë ndaj atyre në euro luhatet mesatarisht në intervalin 1.5-2.0 pikë përqindjeje. Spread-i midis normës bazë dhe interesit të depozitave në lekë dhe euro luhatet në rreth 1.0 pikë përqindjeje.
  • Normat e interesave të kredive kanë mbetur relativisht të pandryshuara. Rritja e normës bazë të interesit dhe, rrjedhimisht, e normës së depozitave të sistemit bankar është absorbuar nga bankat në formën e uljes së kostos së ndërmjetësimit. Normat e interesit të kredive në lekë janë luhatur në intervalin 12.5-13.5 për qind, sikurse në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2006. Në tregun e kredive në euro, normat e interesit kanë shënuar një rritje të lehtë prej 0.2-0.3 pikë përqindjeje.
  • Diferenca midis interesit të kredive ndaj atij të depozitave në lekë ka pësuar rënie nga mesatarisht 9.5 pikë përqindjeje në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2006, në rreth 8 pikë përqindje në periudhën janar-qershor të këtij viti. Rritja e normës bazë në lekë në tremujorët e fundit është transmetuar kryesisht në rritje të interesave të depozitave.
  • Kostoja mesatare e ndërmjetësimit në euro është luhatur në rreth 5.5 pikë përqindjeje. Megjithë sinjalet për ulje të kostos së ndërmjetësimit në lekë në këtë gjashtëmujor, struktura valutore e kredisë është e pandryshuar. Stoku i kredisë në valutë përbën rreth 71 për qind të stokut total të kredisë të sistemit bankar. Në periudhën afatgjatë, ulja e mëtejshme e kostos së ndërmjetësimit nëpërmjet rritjes së interesave të depozitave, dhe krijimin e burimeve monetare për sistemin bankar, përbën element stimulues të zhvendosjes së strukturës valutore të aktivitetit kreditues drejt kredive në lekë.