BANKA E SHQIPËRISË

KONFERENCË PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë z. Ardian Fullani, në konferencën për shtyp mbi vendimmarrjen e politikës monetare të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, 31 gusht 2010

Data e publikimit: 31.08.2010

 

Në mbledhjen e datës 31 gusht 2010, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin Mujor të Politikës Monetare. Pasi u njoh me zhvillimet më të fundit ekonomike dhe financiare në vend si dhe me projeksionet e tyre për të ardhmen, në përfundim të diskutimeve, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 5.00%.

***

Të dhënat nga ekonomia botërore konfirmojnë rimëkëmbjen progresive të aktivitetit ekonomik. Politikat monetare e fiskale stimuluese kanë ndikuar në rritjen e kërkesës për mallra e shërbime si dhe në zgjerimin e aktivitetit tregtar. Rezultatet e vrojtimeve dhe parashikimet për të ardhmen sugjerojnë një përmirësim të mëtejshëm të treguesve ekonomikë, duke sinjalizuar se ekonomia botërore do të vazhdojë të fuqizohet. Presionet inflacioniste në nivel botëror mbeten të kontrolluara dhe normat e interesit të bankave qendrore vazhdojnë të jenë në nivelet më të ulëta historike. Tregjet financiare janë karakterizuar nga një luhatshmëri e lartë e normave të interesit, e çmimeve të produkteve financiare dhe e vëllimeve të tregtimit.

Kjo luhatshmëri ka reflektuar nga njëra anë sinjalet pozitive që vijnë nga ekonomia reale dhe rezultatet inkurajuese të stress-test-eve të bankave të mëdha, dhe nga ana tjetër pasigurinë e rrjedhur prej niveleve në rritje të borxhit publik. Në nivel politik, debati që karakterizon autoritetet ekonomike private dhe publike është përcaktimi i masës dhe kohëzgjatjes së duhur të stimulit makroekonomik. Përgjigjja që do të marrë dilema e mbështetjes së ekonomisë, pa cënuar primet e rrezikut dhe ekuilibrat afatgjatë të saj, do të kushtëzojë ndjeshëm ecurinë e ekonomisë botërore dhe perspektivat e rritjes afatshkurtër e afatmesme të Shqipërisë.

Si rrjedhojë e gjallërimit të kërkesës, çmimet e lëndëve të para kanë vazhduar të shfaqin prirje rritëse gjatë muajve të fundit. Veçanërisht, çmimi i grurit në tregjet botërore shënoi një rritje të fortë në muajin gusht, pas luhatjes së raporteve të kërkesës e ofertës dhe kufizimit të eksporteve nga një prej vendeve kryesore prodhuese. Përcjellja e tyre në inflacionin total në Shqipëri pritet të jetë e dobët, por ajo do të mbetet objekt monitorimi në muajt në vazhdim.

Ekonomia shqiptare ka vijuar të karakterizohet nga përmirësimi gradual i treguesve ekonomikë, duke konfirmuar një aktivitet në rritje - por relativisht të ngadaltë - të saj. Statistikat zyrtare flasin për norma pozitive rritjeje në tremujorin e parë të vitit, ndërkohë që rezultatet e vrojtimeve të besimit dhe të dhëna të tjera të tërthorta sugjerojnë për vazhdimësinë e këtyre ritmeve edhe në tremujorin e dytë.

Aktiviteti ekonomik në Shqipëri është mbështetur nga rritja e kërkesës së jashtme dhe e eksporteve shqiptare, ndërsa kërkesa e brendshme ka patur një rritje më të ngadaltë. Kjo ecuri është reflektuar në një rritje më të shpejtë të sektorit të industrisë dhe të shërbimeve, ndërkohë që sektori i ndërtimit dhe ai i bujqësisë kanë patur një kontribut të ulët në rritjen ekonomike. Ajo është shoqëruar gjithashtu me krijimin e kapaciteteve të pashfrytëzuara në ekonominë shqiptare dhe presione të ulëta inflacioniste nga kërkesa e brendshme. Stimuli monetar ka qenë i përshtatshëm për të akomoduar një aktivitet ekonomik në rritje, por pa krijuar zgjerim të tepërt të likuiditetit. Në prani edhe të pritjeve të ankoruara inflacioniste, ky ambient ekonomik ka ndikuar në absorbimin e goditjeve mbi inflacion të ardhura nga faktorë të ofertës. Për rrjedhojë dhe në përputhje me pritjet tona, inflacioni ka ardhur në rënie gjatë vitit 2010. Inflacioni vjetor i çmimeve të konsumit rezultoi 3.4% në muajin korrik. Kjo normë inflacioni është shkaktuar kryesisht nga rritja e çmimeve të administruara, e çmimeve bazë në tregjet ndërkombëtare dhe nënçmimi i monedhës vendase. Këta faktorë të ofertës pritet të kenë ndikim kalimtar në ecurinë e inflacionit, duke mos u përkthyer në presione të qëndrueshme inflacioniste.

Kjo dinamikë ka kushtëzuar dhe do të vazhdojë të kushtëzojë ecurinë e inflacionit edhe në periudhën e ardhshme. Në mungesë të goditjeve të papritura nga ana e ofertës, projeksionet tona e vendosin normën vjetore të inflacionit pranë objektivit 3% të Bankës së Shqipërisë në periudhën afatmesme.

Konsumi privat vlerësohet të ketë dhënë kontribut pozitiv në aktivitetin ekonomik në tremujorin e dytë.

Kjo ecuri dëshmohet nga forcimi i ritmit të rritjes së të ardhurave tatimore, të cilat kanë në bazë të tyre nivelin e konsumit në ekonomi, nga rritja e importit të mallrave të konsumit, si dhe konfirmohet nga treguesit e përmirësuar të besimit të konsumatorit. Bilancet përgjithësisht të shëndosha financiare të familjeve shqiptare bëjnë të mundur një reagim të shpejtë të tyre ndaj përmirësimit të klimës aktuale dhe perspektivës makroekonomike, rritjes së të ardhurave të disponueshme, dhe rënies së pasigurisë. Nga ana tjetër, mundësia e familjeve për të financuar konsumin e tyre nëpërmjet kredisë bankare paraqitet problematike, për sa kohë që aksesi i tyre në kreditë konsumatore dhe hipotekare paraqitet në rënie.

Investimet private po i kthehen gradualisht ritmeve rritëse, por në nivele dukshëm më të ulëta se ato të mëparshmet. Klima më pozitive e besimit të bizneseve; mbështetja në rritje me kredi bankare; rritja e shfrytëzimit të kapaciteteve në ekonomi; dhe rritja e importit të mallrave kapitale dhe atyre të ndërmjetme, sugjerojnë se niveli i investimeve private është rritur gjatë muajve të fundit. Tregues të besimit evidentojnë pritje pozitive edhe për tremujorin e tretë të vitit, duke mbështetur vlerësimet tona për një nxitje të kërkesës agregate nga sektori privat.

Sektori publik ka shënuar frenim të ekspansionit fiskal, që prej fillimit të tremujorit të dytë. Deficiti buxhetor në fund të muajit korrik rezultoi 23.1 miliardë lekë, nivel ky i cili është rreth 42% më i ulët se një vit më parë. Të ardhurat buxhetore janë rritur me 3.7% në terma vjetorë, ndërkohë që shpenzimet janë tkurrur me 5.1%.

Në veçanti, shpenzimet kapitale vijojnë të shënojnë ritme negative rritjeje, duke qenë në linjë me programin e Ministrisë së Financave për kontrollin e shpenzimeve buxhetore dhe reduktimin e investimeve publike për vitin 2010.

Banka e Shqipërisë gjykon se respektimi i nivelit të deficitit dhe të borxhit publik në programin e rishikuar buxhetor do të ndihmojë në ruajtjen e ekuilibrave ekonomikë. Administrimi me kujdes i huamarrjes nga publiku do të gjenerojë presione rënëse mbi primet e rrezikut dhe mbi normat afatgjata të interesit, duke krijuar më tepër hapësira për nxitjen e aktivitetit kredidhënës për sektorin privat. Gjithashtu, ai do të rritë fleksibilitetin e politikës fiskale në horizontin afatmesëm dhe afatgjatë.

Eksportet neto kanë vazhduar të rrisin kontributin e tyre në kërkesën agregate edhe në tremujorin e dytë të vitit. Kjo ecuri është diktuar nga rritja vjetore prej 86% e eksporteve kundrejt rritjes prej vetëm 6% të importeve gjatë kësaj periudhe. Këto zhvillime janë materializuar në ngushtimin e mëtejshëm të deficitit tregtar, i cili është tkurrur me rreth 14% në terma vjetorë. Ngushtimi i deficitit tregtar është shoqëruar me presione më të ulëta në tregun valutor dhe një ecuri më të qëndrueshme të kursit të këmbimit.

Banka e Shqipërisë gjykon se, megjithëse inkurajuese, ritmet e deritanishme të rritjes së eksporteve do të jenë të vështira për t’u ruajtur. Për këtë arsye, qëndrueshmëria afatgjatë e pozicionit të jashtëm valutor të vendit do të kërkojë një sjellje më të kujdesshme ndaj deficitit tregtar dhe nxitjen e formave të qëndrueshme të hyrjes së kapitalit.

Përmirësimi i ngadaltë i kërkesës së brendshme është reflektuar në rritje të qëndrueshme të ofertës monetare. Ky tregues shënoi një rritje vjetore prej 10.1% në muajin qershor dhe vazhdon të mbështetet kryesisht nga kontributi i lartë i mjeteve valutore neto të sistemit bankar. Ndërkohë, zgjerimi i kredisë për sektorin privat vijon të shënojë ritme relativisht të ngadalta rritjeje, duke reflektuar si ecurinë e kërkesës ashtu dhe kriteret ende të shtrënguara të kreditimit.

Duke përjashtuar efektin e kursit të këmbimit, rritja vjetore e kredisë në muajin qershor arriti në 6.4%, nga 4.9% në fund të tremujorit të parë. Në këtë periudhë, ajo është diktuar kryesisht nga rritja e kredisë për biznese, ku peshën më të madhe e ka zënë kredia e akorduar për investime.

Rritja vjetore e depozitave prej 15.8% në muajin qershor ka sjellë përmirësimin e treguesve të likuiditetit të bilancit të sistemit bankar. Shtimi i likuiditetit në sistem, huamarrja e kontrolluar e sektorit publik në tregjet e brendshme financiare, ulja e primeve të rrezikut në të dhe pritjet e ankoruara inflacioniste, kanë kushtëzuar rënien e normave të interesit në tregjet financiare. E orientuar nga ulja e normës bazë të interesit në muajin korrik, rënia e normave të interesit të depozitave, dhe letrave me vlerë të qeverisë në muajin e fundit, pritet të ndihmojë në krijimin e kushteve më të përshtatshme për stimulimin e aktivitetit ekonomik.

Politika monetare e ndjekur nga Banka e Shqipërisë ka qenë e kujdesshme. Duke patur në vëmendje respektimin e objektivit për inflacionin, Banka e Shqipërisë uli me 0.25 pikë përqindjeje normën bazë të interesit në muajin korrik.

Ky lehtësim i kushteve monetare synoi t’i japë një stimul të mëtejshëm aktivitetit ekonomik, duke kontrolluar në të njëjtën kohë presionet inflacioniste dhe ekuilibrat e jashtëm të ekonomisë. Ajo është përcjellë në tregun financiar në segmentin afatshkurtër të tij, duke sjellë uljen e kostos së huamarrjes të bankave, si dhe norma më të ulëta interesi në tregun ndërbankar dhe në tregun primar të letrave me vlerë të qeverisë. Në muajt në vijim, lëvizja e politikës monetare duhet të transmetohet dhe në uljen e kostos së huamarrjes së sektorit privat. Në aspektin operacional, ne jemi të pranishëm në treg duke ofruar të gjithë likuiditetin e nevojshëm për funksionimin normal të sistemit bankar.

***

Gjatë diskutimeve të tij, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë konkludoi se, në mungesë të goditjeve të papritura, inflacioni i çmimeve të konsumit në periudhën afatmesme do të jetë në linjë me objektivin e Bankës së Shqipërisë për të. Gjithashtu, Këshilli Mbikëqyrës gjykon se kushtet monetare janë të përshtatshme për respektimin e këtij objektivi. Në përfundim të diskutimeve, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 5.00%.

Në të ardhmen, Banka e Shqipërisë mbetet e gatshme të veprojë duke faktorizuar ecurinë e faktuar dhe të pritshme të treguesve ekonomikë, në funksion të ruajtjes së stabilitetit të çmimeve dhe të konsolidimit të mëtejshëm të ekuilibrave makroekonomikë në vend.