BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Pyetje-përgjigje të konferencës për shtyp të Guvernatorit, 06.08.2015

Data e publikimit: 10.08.2015

 

Pyetje: Ju përmendët uljen e kredive me probleme. Doja të dija diçka më shumë. Çfarë ka ndodhur? Ka pasur fshirje bilancesh? Dhe pyetja e dytë: ju keni ulur vazhdimisht normën bazë të interesit dhe kjo është reflektuar më shumë në uljen e normave të interesit të depozitave sesa në ato të kredive. Është krijuar një lloj diference më e madhe mes tyre, ndërkohë që bankat raportojnë fitime të larta. Si e shpjegoni këtë dhe a keni ndonjë masë tjetër?

Përgjigje: Për pyetjen e parë, që kishte të bënte me kreditë me probleme, është e vërtetë ajo që ju konstatuat. Ka pasur një fshirje të kredive nga bilancet e bankave të nivelit të dytë, si pasojë e planit të masave të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë. Një nga pikat që ne kemi kërkuar të zbatohet nga bankat është pastrimi i bilanceve nga kredi të cilat janë konsideruar të humbura, e që kanë mbi 3 vjet që nuk shlyhen. Nuk ka kuptim që bankat të vazhdojnë t'i mbajnë në bilancet e tyre këto kredi. Kalimi i tyre jashtë bilancit do të lehtësonte gjendjen ekonomiko-financiare të bankave dhe do të rriste optimizmin dhe vendimmarrjen e tyre pozitive në drejtim të një kredidhënie të mëtejshme.

Megjithatë, fakti që këto kredi janë fshirë nga bilanci nuk do të thotë që janë falur; ato përsëri vazhdojnë të jenë në ndjekje. Ato nuk rezultojnë në bilance, por gjithsesi janë në pasqyrat financiare të bankave. Duhet të jemi të qartë për këtë, që të mos japim mesazhin e gabuar. Këto kredi trajtohen njëlloj si të gjitha kreditë e tjera me vonesë.

Vlera e kredive të fshira nga bilancet e bankave është rreth 8 miliardë lekë, duke sjellë rënien e kredisë me probleme në nivelin 20.8%. Kjo është një shifër mjaft pozitive dhe tregon një trend pozitiv në përmirësimin e situatës së kredisë me probleme.

Ndërkohë, përveç pastrimit të bilanceve, kemi dhe dy faktorë të tjerë që kanë ndikuar pozitivisht. Së pari, rritja e tepricës së kredisë në masën 2.4 % në terma vjetorë, ndikon në raportin e kredive me probleme, pasi flasim për një raport të shprehur në përqindje. Rritje kredie është shënuar si për individët ashtu edhe për bizneset, por ajo ka qenë më e lartë në rastin e kredisë për individë.

Së dyti, performanca e vetë portofolave të kredisë ka qenë pozitive në të gjithë segmentet e biznesit, pasi kemi shlyerje dhe përmirësim të disa kredive, por dhe ristrukturim të tyre nga ana e bankave.

Duke pasur parasysh të gjithë këta faktorë, kemi një rënie të kredisë me probleme, tendencë të cilën synojmë ta mbajmë edhe në periudhat në vijim. Dua të theksoj - meqë është rasti dhe momenti - se ka një plan masash gjithëpërfshirës, ku janë angazhuar Banka e Shqipërisë, të gjithë agjencitë publike dhe aktorët e përfshirë në këtë proces. Ky plan masash është zhvilluar bashkë me qeverinë shqiptare. Ne kemi parë një angazhim shumë serioz nga ana e qeverisë në drejtim të të gjithë hapave lidhur me zbatimin e këtij plani masash. Banka e Shqipërisë ka filluar zbatimin e disa masave gjatë fillimit të këtij viti, ndërkohë që plani i plotë është finalizuar rreth dy javë më parë, midis Kryeministrisë dhe Bankës së Shqipërisë. Në funksion të këtij plani masash, siç e përmenda dhe në deklaratë, ne presim që të kemi rënie të mëtejshme të kredisë me probleme, gjë që do të ndikojë edhe në rritjen e kreditimit në ekonomi.

Për pyetjen e dytë, lidhur me normat e interesit të depozitave dhe ndikimin që ato kanë, do të thosha se ky është një fenomen i cili nuk është vetëm shqiptar. Banka e Shqipërisë ka zbatuar uljen e normave të interesit në funksion të një politike monetare lehtësuese për të nxitur kreditimin, investimet dhe rritjen ekonomike.

Sigurisht që çdo veprim ka anën e tij pozitive dhe negative. Synimi ynë është të rrisim optimizmin në tregje, por nga ana tjetër, kjo politikë sjell dhe uljen e normave të interesit dhe të kursimeve. Ndërsa ulja e normave të interesit të kursimeve do të nxiste një sjellje më optimiste të individëve dhe bizneseve në drejtim të konsumit dhe të investimeve.

Ne jemi të vetëdijshëm, sikurse janë edhe të gjitha bankat qendrore të shteteve perëndimore dhe lindore, që norma e kursimeve bie, por kjo përkthehet në investime më të larta, në frymëmarrje ekonomike, në një impuls të ri financiar për të mbështetur një perspektivë më të mirë ekonomike. Vetë gjallërimi i ekonomisë, në një moment të dytë, pasi masat e politikës monetare lehtësuese të jepnin efektet e tyre në ekonomi, do të çonte në rritjen e normave të interesit. Për të qenë më konkret, parashikimet tona na imponojnë qëndrimin në territorin aktual të paktën deri nga mesi i vitit 2016. 

Kjo është rruga që ndiqet nga të gjitha bankat qendrore evropiane dhe ato joevropiane; në të njëjtën linjë shkon dhe Banka e Shqipërisë me politikën e saj monetare. Fakt është që kredia në lekë është rritur me 7.5% mbi bazë vjetore, dhe kjo rritje e kredisë është drejtpërdrejt rezultat i politikës monetare lehtësuese që ne kemi ndjekur: mbajtjes së normës bazë të interesit në nivelin më të ulët historik.

Pyetje: Çfarë ka ndryshuar në marrëdhëniet institucionale Banka e Shqipërisë-Qeveri gjatë një harku kohor prej një viti? A është ndërmarrë ndonjë nismë ligjore mes jush? Dhe së dyti si e shpjegoni faktin që me gjithë disbursimin e gati 500 milionë eurove nga ana e qeverisë për shlyerjen e detyrimeve ndaj biznesit, kredia e keqe mbetet ende problematike. A keni ju ndonjë evidencë se ku kanë shkuar këto para dhe ç'pjesë e tyre ka dalë jashtë vendit?

Përgjigje: Lidhur me pyetjen e parë, në raport me marrëdhëniet ligjore të Bankës së Shqipërisë me Qeverinë, në rast se ju kuptova siç duhet, nuk ka ndryshuar gjë. Marrëdhëniet midis institucionit të Bankës së Shqipërisë dhe Qeverisë janë të sanksionuara me ligj. Ne si Bankë Qendrore kemi qenë tepër korrekt dhe strikt për zbatimin e këtyre marrëdhënieve në raport me ligjin. Pra, e gjithë marrëdhënia ka qenë ligjërisht korrekte nga ana e të dy krahëve.
Lidhur me pyetjen e dytë, mbi shlyerjen e detyrimeve ndaj bizneseve, unë e kam trajtuar edhe në raste të mëparshme. Është e vërtetë që shlyerja e detyrimeve nga ana e qeverisë shqiptare, si një hap mjaft pozitiv në mbështetje të gjendjes ekonomike dhe financiare të bizneseve, nuk ka ndikuar në nivelin e pritshëm, në shlyerjen e detyrimeve ndaj bankave dhe në uljen e pritshme të kredive me probleme.

Në gjykimin tonë, kjo ka ndodhur pasi bizneset kanë pasur mjaft detyrime dhe mjaft nevoja për likuiditet. Nevojat e tyre për likuiditet kanë qenë në nivele më të larta mesa duket, dhe kanë preferuar të shlyejnë në radhë të parë nevojat më akute, pavarësisht se bankat kanë qenë në listën e kreditorëve. Nuk ka pasur nga ana e bizneseve një përcaktim në listën e prioriteteve të shlyerjes së detyrimeve të prapambetura.

Një gjë është e sigurt, që kreditë me probleme dhe gjendja e bizneseve në detyrime, do të ishin shumë herë më keq, në rast se këto detyrime nuk do të ishin shlyer. Gjendja financiare e bizneseve dhe korporatave, ndaj të cilave qeveria ka pasur detyrime, është përmirësuar ndjeshëm pas shlyerjes së detyrimeve nga ana e qeverisë dhe kjo është reflektuar padyshim edhe në raportin që këto biznese kanë me bankat.

Ne jemi duke kryer një studim për të kuptuar më mirë arsyet, por në vija të përgjithshme është kjo që ju thashë.

Pritshmëritë tona për të ardhmen janë pozitive dhe këto lidhen me ambientin e përgjithshëm dhe klimën ekonomike. Në varësi të klimës së përgjithshme të biznesit, ne presim që të ketë rritje të kërkesës për kredi nga bizneset, si dhe rënie të peshës specifike të kredisë së keqe.

Pyetje: Ju thatë në fillim të deklaratës tuaj se treguesit ekonomikë dhe financiarë, i referohem këtu sidomos treguesve fiskalë, janë në rënie, por kjo do të jetë një situatë kalimtare. Në cilët tregues bazohet Këshilli Mbikëqyrës dhe ju, kur thoni se kjo do jetë një situatë kalimtare?

Përgjigje: Sikurse e theksuam në deklaratën e Politikës Monetare të Këshillit Mbikëqyrës, ne presim një rritje më të lartë ekonomike në vitin 2016 dhe 2017. Siç e përmenda, kushtet e financimit do të vijnë në përmirësim. Efektet e politikës monetare lehtësuese do të ndihen, sikurse i kemi ndjerë në rritjen e kredisë në lekë, e cila ka pasur rritje. Mbështetja me kredi do të stimulojë rritjen ekonomike.

Ndërkohë, si pasojë e përmirësimit të pritshëm të klimës së biznesit në Eurozonë në përputhje me parashikimet e Bankës Qendrore Evropiane, si dhe marrëveshjes së bërë së fundi midis shtetit grek dhe kreditorëve, situata në rajon dhe ajo e shteteve partnere, ku përfshihet Italia dhe shtete të tjera me të cilat ne kemi bilanc aktiv tregtar pritet që të vijë në përmirësim. Ne presim dhe rritje të nivelit të investimeve të huaja e të brendshme në Shqipëri.

Këto janë elementët kryesorë në të cilët ne bazojmë opinionin tonë se situata e 6-mujorit të dytë të vitit 2015, do të jetë kalimtare. Në vitin 2015, rritja ekonomike prej 3% mund të korrektohet për poshtë, si rezultat i zhvillimeve në ekonominë greke. Potencialisht, ne mendojmë se ndikimi do të jetë më i fortë në gjashtëmujorin e dytë, kryesisht i lidhur me aktivitetin tregtar dhe fluksin e remitancave. Megjithatë, dua të theksoj se eksportet me Greqinë gjatë muajve të fundit janë rritur në 5.5%, në vend që të binin.

Parashikime të sakta nuk ka, por koha ka treguar se shifrat faktike kanë qenë pranë parashikimeve tona. Pra, gjatë gjysmës së dytë të vitit 2015 ne presim të kemi një rritje ekonomike më të mirë sesa ajo e vitit të kaluar, por ndoshta më pak sesa niveli 3%. Kjo rritje ekonomike do të vijë duke u shtuar në bazë të faktorëve që unë përmenda (rritja e investimeve të huaja dhe të brendshme, si dhe klima e përmirësuar e biznesit në rajon dhe në Shqipëri në vitet e ardhshme).

Pyetje: Vetëm një ditë më parë qeveria rishikoi buxhetin, duke shkurtuar shpenzimet. Çfarë impakti pritet të ketë kjo në ekonomi dhe mendoni se është një lëvizje e duhur në këtë moment?

Përgjigje: Qeveria ka bërë një rishikim të buxhetit për vitin 2015. Ky rishikim kishte të bënte me korrektimin e shpenzimeve në përputhje me realizimin e të ardhurave. Ndonëse të ardhurat fiskale janë 5.5% më të larta se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ato kanë regjistruar një mosrealizim në raport me planin e të ardhurave për vitin 2015. Në bashkëpunim me FMN-në, qeveria vendosi të rishikojë buxhetin, si të ardhurat ashtu edhe shpenzimet, pasi duhej që niveli i ulët i të ardhurave në raport me planin të kompensohej me një reduktim shpenzimesh.

Sigurisht që ky është vendimi i duhur, pasi ajo që është më e rëndësishmja dhe kryesorja për të cilën dhe Banka e Shqipërisë është e interesuar si element bazë është ruajtja e deficitit buxhetor. Sikurse e kemi vënë re nga ndryshimet në buxhet, deficiti buxhetor, të cilin ne ndjekim me shumë vëmendje, është mbajtur i pandryshueshëm. Këto masa të marra nga qeveria do të diskutohen edhe njëherë me misionin e radhës të FMN-së në tetor, ku ne do të dalim përsëri në konferencë për shtyp si zakonisht dhe do të bëjmë një shpjegim edhe më të detajuar dhe të hollësishëm të këtij plani masash.

Pyetje: Në raportin e Bankës së Shqipërisë, të paktën për tremujorin e dytë, thuhej se standardet e kreditimit për biznesin janë lehtësuar/përmirësuar, ndërkohë që është biznesi ai që nuk ka interes për kredi. Por, në fakt biznesi është i shqetësuar dhe ankohet se janë bankat e nivelit të dytë në vend ato që i kanë shumë të shtrënguara kushtet e kredisë, madje bëjnë edhe përzgjedhje në dhënien e kredive, duke i detyruar bizneset të shkojnë të marrin kredi në vendet fqinje, ku interesat janë më të ulëta dhe burokracitë janë edhe më të pakta.

Përgjigje: Nuk jam shumë i sigurt sesa biznesi është drejtuar për kredimarrje tek bankat e vendeve fqinje. Ka disa pengesa ligjore-administrative për bizneset shqiptare, të cilat në radhë të parë lidhen me kolateralin dhe pastaj me disa elementë të tjerë.

Megjithatë, do t'i përgjigjem drejtpërdrejt pyetjes lidhur me qëndrimin e bankave ndaj kreditimit të biznesit dhe cilat janë arsyet përkatëse.

Aftësia kredituese e bankave në Shqipëri është e influencuar nga dy elementë. Elementi i parë është gjendja e kredive me probleme. Pavarësisht progresit të shënuar muajin e fundit, gjendja ende e lartë ul nivelin e optimizmit të bankave në vendimmarrje për një kredidhënie të suksesshme. Elementi i dytë lidhet me politikën dhe strategjitë e bankave mëma në nivel rajonal, në përshtatje me objektivat e zhvillimit për vende të caktuara ku ato operojnë dhe kriteret e rrezikut që ato aplikojnë.

Sipas parimeve klasike të sistemit bankar, duhet të plotësosh kriteret për të marrë një kredi. Në rast se ke borxhe dhe detyrime të papaguara, një gjendje financiare jopremtuese si biznes, sigurisht që banka nuk do të të mbështesë me kredi. Në kushtet e një klime të vështirë ekonomike, mjaft biznese kanë bilance problematike dhe klasifikohen të pakalueshëm për të marrë kredi. Kjo lidhet me klimën e përgjithshme të biznesit, që nuk është vetëm në Shqipëri, por është një fenomen rajonal dhe më gjerë.

Ne jemi duke punuar me bankat në njërin krah, si dhe me bizneset në krahun tjetër në mënyrë që ta zgjidhim këtë ngërç gradualisht, duke i dhënë frymëmarrje bizneseve. Por nuk mund t'u kërkojmë bankave të zbusin kriteret e rrezikut, pasi bankat punojnë me depozitat e individëve dhe relaksimi i kritereve të rrezikut do të kishte një marrje përsipër rreziku kundrejt disa bizneseve me probleme. Pra, duhet të jemi edhe të kujdesshëm, por dhe të shtyjmë bankat drejt kreditimit të ekonomisë.

Qëllimi ynë si Bankë Qendrore është që nga njëra anë të kemi banka të shëndetshme, sa më serioze, korrekte, prudente pasi ato operojnë me kursimet e popullatës dhe nga ana tjetër të kemi rritje ekonomike. Ky është një mision jo i lehtë, është një sfidë, por ne jemi duke përparuar dhe shifrat, pavarësisht se graduale, tregojnë që kemi bërë hapa pozitivë përpara. E ardhmja do të tregojë se do të kemi përparime të mëtejshme, ndonëse graduale. Vlerësimi ynë i shprehur në deklaratë është që ne presim një rritje të moderuar të kredisë gjatë vitit 2015 për bizneset dhe një rritje më optimiste të kredisë gjatë dy viteve të ardhshme.