BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit Sejko në Workshopin e 9-të të Kërkimeve Ekonomike në Evropën Juglindore “Rikonceptimi i politikave ekonomike dhe metodologjive të bankave qendrore”

Data e publikimit: 04.12.2015

 

Të nderuar të ftuar, pjesëmarrës në workshop, zonja dhe zotërinj,

Është privilegj për mua t’ju drejtohem të gjithë të pranishmëve në Workshop-in e 9-të të Kërkimeve Ekonomike në Evropën Juglindore të organizuar në Tiranë. Sipas traditës së këtij workshop-i, ne përpiqemi të plotësojmë nevojën për kërkime me atë për risi në politika. Më lejoni të them se duke gjykuar nga prezantimet dhe pjesëmarrja në këtë workshop, kam besim se ai do të përmbushë angazhimet dhe pritshmëritë e tij dhe do të na ofrojë të gjithëve leksione të dobishme dhe praktike.

.foto workshop_copy_1.

Është e rëndësishme të vihet në dukje panorama e vështirë ekonomike globale dhe rajonale në të cilin zhvillohet ky workshop. Recensioni global mbetet ende i pranishëm. Themelet evropiane u tronditën nga ngjarjet në Greqi si dhe nga ato në Spanjë, Portugali dhe Itali, dhe mbeten të brishta. Zhvillimet e fundit nga Lindja e Mesme janë vështirësi shtesë në këtë periudhë dhe reduktojnë më shumë burimet e disponueshme. Si rrjedhim, aktivitetit ekonomik mund t’i duhet një kohë më e gjatë që t’i rikthehet ditëve të veta më të mira. Pavarësisht faktit se rajoni ynë ia ka dalë të qëndrojë në anën pozitive të rritjes ekonomike, vështirësitë shpejt mbërritën dhe tek ne. Rritja e ekonomisë dhe e të ardhurave nuk ruajnë më ritmet e dikurshme dhe inflacioni vazhdon të thyejë rekorde të reja të ulëta.

Bankingu qendror ka marrë përsipër pjesën e tij të sfidave dhe të vështirësive. Lehtësimi i vazhdueshëm standard i politikës monetare u shoqërua me ndërhyrje të politikës mikro dhe makroprudenciale. Madje u sollën në vëmendje dhe u zbatuan ndërhyrje të tilla si programi i lehtësimit sasior në zonën euro. Megjithatë ekonomia e përgjithshme duket ende e ngadaltë për të reaguar në mënyrën e duhur.

Për më tepër, çështja nuk ka të bëjë vetëm me politikën monetare. Ndërhyrjet jo-standarde (politika mikro dhe makroprudenciale) kërkojnë vëmendje të veçantë dhe shpërndarje të burimeve me qëllimin për të administruar si duhet zbatimin dhe efektin e tyre mbi ekonominë në përgjithësi. Për më tepër, ruajtja e stabilitetit financiar kërkon përfshirje më të lartë të bankave qendrore për të parandaluar ndikimet e mundshme të tërthorta negative të sektorit financiar në fusha të tjera të ekonomisë.

Vështirësitë e përgjithshme ekonomike e kanë vënë bankingun qendror në një udhëkryq në lidhje me parimet, politikat dhe administrimin e saj. Nga ana tjetër, megjithëse kërkesa për të ruajtur stabilitetin e çmimeve mbetet e pranishme, rreziqet nuk vijnë vetëm nga inflacioni. Luhatjet e kursit të këmbimit kanë sjellë rreziqe të tjera, veçanërisht në ekonomitë ku mbizotërojnë transaksionet në monedhë të huaj.

Për më shumë, sfidat e stabilitetit financiar janë të pranishme dhe në nivel më të lartë. Reagimi i kërkesës për kredi ndaj nxitjes së vazhdueshme të politikës monetare ka qenë i dobët, duke reflektuar pritshmëritë e ulëta të konsumatorëve dhe bizneseve për zhvillimet e ardhshme. Lehtësimi i mëtejshëm i kërkesave të përgjithshme për të marrë kredi nuk ka pasur ndikimin e pritshëm dhe kjo mund të shihet në dinamikat e fundit të përbërësve të kërkesës agregate. Pa diskutim, agjentët financiarë janë ata që kërkojnë fitimin dhe është detyrë e tyre të kërkojnë dhe të gjejnë klientë alternativë nëse konsumatorët e fundit tradicionalë nuk janë të gatshëm ose nuk janë të angazhuar për kredi të re. Jo vetëm kjo, por nevoja për financim do të nxisë gjithashtu konsumatorët finalë të kërkojnë dhe të gjejnë burime alternative. Kjo e ngre çështjen në nivele më strategjike të lidhura me shpërndarjen efektive të kredisë dhe me informalitetin.

Mangësitë e shpërndarjes kanë tendencën të intensifikohen në kohë krizash duke reflektuar zakonisht një situatë mbikreditimi në sektorë të caktuar, të cilët kanë pak të ngjarë të japin efekte të ndikimeve të tërthorta në pjesën tjetër të ekonomisë. Nga ana tjetër, sektorët që janë me të vërtetë produktivë, mund të mbeten të veçuar nga burimet financiare, duke pasur kështu më pak nxitje për të ecur përpara. Madje dhe më keq, këta sektorë mund t’u drejtohen huadhënësve informalë për të plotësuar nevojat e tyre financiare. Gjithashtu, ky është një aktivitet që gjallërohet në kohë krizash dhe duke qenë se është plotësisht i pamonitoruar, ai mund ta dëmtojë në mënyrë të rrezikshme dhe ta ulë aftësinë e rregullatorëve financiarë për të ndikuar ekonominë në shkallë të gjerë.

Pasi kemi përmendur të gjitha këto argumente, do të doja t’i rikthehesha aktivitetit tonë dhe të vë në dukje se si sfidat e përmendura më lart janë përkthyer në sfida për kërkimin ekonomik në bankingun qendror.  Jam shumë i gëzuar që të gjitha çështjet janë trajtuar në panelet e ndryshme të këtij workshop-i.  Megjithëse ende duhet t’i dëgjojmë prezantimet,  kam bindjen se sugjerimet për implikime politikash zbatuese që do të burojnë nga këto prezantime do të jenë kuptimplota dhe të rëndësishme. Gjithsesi mbetet pyetja: a janë këto sugjerime praktike dhe a mund të përshtaten me lehtësi?

Kjo pyetje përbën sfidën kryesore për kërkimin si për këtë workshop, ashtu edhe në përgjithësi. Është  detyra juaj të arrini një ekuilibër ndërmjet cilësive akademike të kërkimit dhe cilësive të tij praktike. Cilësitë akademike do të garantojnë një standard kërkimi të pasuruar me gjetje dhe këndvështrime metodologjike të reja. Nga ana tjetër, modelet praktike do t’u mundësojnë politikëbërësve t’i zbatojnë plotësisht dhe me lehtësi propozimet që ju paraqisni.

Kjo është një nga pritshmëritë kryesore që unë kam nga ky workshop dhe kam besim se do të përmbushet në fund të këtyre dy ditëve.

Pa humbur kohë, dëshiroj t’ju uroj një mirëseardhje të ngrohtë dhe t’ju përgëzoj të gjithëve për punën që keni bërë dhe për praninë tuaj sot këtu.

Faleminderit!