BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko në Seminarin e nivelit të lartë me temë “Rishqyrtimi i bashkërendimit midis politikës monetare dhe politikës fiskale”, organizuar nga Banka e Sllovenisë në bashkëpunim me FMN

Data e publikimit: 20.05.2016

 

Në datat 19–20 maj 2016, Banka e Sllovenisë në bashkëpunim me Fondin Monetar Ndërkombëtar organizuan seminarin e nivelit të lartë me temë “Rishqyrtimi i bashkërendimit midis politikës monetare dhe politikës fiskale” në të cilin mori pjesë Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko. Në këtë seminar merrnin pjesë një numër i lartë guvernatorësh të bankave të ndryshme qendrore evropiane, brenda dhe jashtë Eurozonës, përfaqësues të spikatur të institucioneve ndërkombëtare dhe figura të njohura të botës akademike dhe financiare.

20 05 2016 498 gent sejko ne seminarin organizuar nga banka e sllovenise me fmn 8425 0

Ky seminar shërbeu si një platformë diskutimi për të shkëmbyer ide mbi bashkërendimin e politikës monetare dhe asaj fiskale, çështje kjo e cila përbën një interes të veçantë nga këndvështrimi i sfidave me të cilat po përballen bankat qendrore sot.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko mbajti një kumtesë në panelin “Zbatimi i politikës monetare kur hapësira fiskale është e kufizuar”, prezantuar nga z. Hans-Helmut Kotz, Profesor në Qendrën për Studime Financiare në Universitetin Goethe dhe drejtuar nga z. Dubravko Mihaljek, Drejtor i Analizës Makroekonomike në Bankën Ndërkombëtare të Rregullimeve.

Në fjalën e tij, Guvernatori Sejko diskutoi mbi kontributin dhe rolin e politikës monetare në kushtet e një politike fiskale konsoliduese referuar eksperiencës shqiptare. Në përfundim, Guvernatori iu përgjigj interesit të pjesëmarrësve, duke ndarë me ta pikëpamjet e tij mbi çështjet e ngritura.

Fjala e plotë 

Gjatë këtij seminari, Guvernatori Sejko pati rastin të zhvillojë takime me Guvernatorin e Bankës së Sllovenisë, z. Bostjan Jazbec, dhe guvernatorët e tjerë pjesëmarrës, në fokus të të cilave ishte zhvillimi i bashkëpunimit dhe diskutimi i çështjeve me interes të përbashkët.