BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Pyetje - përgjigjet e konferencës për shtyp të datës 5 tetor 2016

Data e publikimit: 05.10.2016

 

Pyetje: Qeveria ka lajmëruar se do të ketë rritje të pagave dhe pensioneve. Si do të ndikojë kjo në politikën monetare, a do të ketë një rritje të inflacionit edhe të normave të interesit? Më saktë, a ka një plan të koordinuar mes Bankës së Shqipërisë dhe qeverisë për këtë rritje?

Guvernatori: Rritja e pagave dhe pensioneve është e drejtë ekskluzive e qeverisë shqiptare. Paraprakisht ne jemi njoftuar që qeveria do të bëjë një rritje pagash dhe pensionesh. Në një shikim të parë, kjo rritje do të ndikonte në rritjen e konsumit. Ne e kemi theksuar që politika monetare lehtësuese e ndjekur nga Banka e Shqipërisë me qëllim rritjen e kreditimit, konsumit dhe investimeve nuk është e mjaftueshme pa ndërmarrë dhe reforma strukturore. Në këtë aspekt, ne e shohim rritjen e pagave dhe pensioneve si një faktor stimulues në drejtim të rritjes së konsumit. Por, nga ana tjetër, ne si Bankë e Shqipërisë jemi të interesuar për ruajtjen e balancave makroekonomike, uljen e deficitit buxhetor dhe vazhdimin e konsolidimit fiskal. Ne nuk e kemi parë planin e qeverisë për pritshmërinë e rritjes së pagave dhe pensioneve, pra akoma nuk kemi një draft final të buxhetit. Do të duhet të shohim këtë draft në mënyrë që të japim një opinion më të saktë dhe në atë moment do të gjykojmë nëse rritja në shifra do të ishte e pranueshme, gjithmonë në raport me këto parametra dhe këto objektiva të Bankës së Shqipërisë, pra ruajtjen e konsolidimit fiskal, mbajtjen e uljes së nivelit të deficitit buxhetor dhe të uljes së borxhit. Për sa kohë që do të ruhen këto parametra, sigurisht që rritja e pagave dhe e pensioneve është një e drejtë dhe një atribut ekskluziv i qeverisë shqiptare.

Pyetje: Si e parashikon Guvernatori i Bankës së Shqipërisë ecurinë e kreditimit deri në fund të vitit 2016 ?

Guvernatori: Sipas të dhënave që ne kemi për fundin e muajit gusht, duke hequr efektin e fshirjes së kredive nga bilanci, kredia u rrit në nivelin 2.7% - kredia totale ku përfshihet kredia në lek dhe kredia në valutë. Vitin e kaluar, kredia u rrit në nivelin 3%. Këtë vit, ne presim një rritje të kredisë në nivelin mbi 3 %, pra një rritje më të lartë të kreditimit se sa niveli i vitit të kaluar, gjithmonë duke hequr efektin e fshirjes së kredive nga bilanci pasi kjo merret si tepricë.

Ne jemi të kënaqur të theksojmë rritjen e kredisë në lek, në monedhën vendase, në raport me rritjen e kredisë në valutë. E theksova edhe gjatë fjalës time që kreditimi në lek për periudhën deri në muajin gusht ka qenë në nivelin 6.9%, kundrejt një rritje prej 2.3% në valutë. Kjo vërteton transmetimin e mirë të politikës monetare të ndjekur nga ana e Bankës së Shqipërisë. Njëkohësisht, ajo ndikon dhe në situatën e stabilitetit financiar pasi shmang rrezikun e kursit të këmbimit valutor në performancën e kredive.

Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko në konferencën për shtyp të vendimmarrjes së politikës monetare të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, 5 tetor 2016