BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Vendimmarrja e Këshillit Mbikëqyrës në mbledhjen e datës 6 gusht 2015

Data e publikimit: 06.08.2015

 

Në mbledhjen e tij të datës 6 gusht 2015, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, përveç vendimit për mbajtjen të pandryshuar të normës bazë të interesit në nivelin 2.00%, mori në shqyrtim dhe vendosi:

  • Miratimin e Raportit Tremujor të Politikës Monetare* 

Ky raport, si instrumenti kryesor i komunikimit të politikës monetare me publikun, analizon zhvillimet më të fundit ekonomike, monetare dhe financiare, si dhe evidenton faktorët që pritet të ndikojnë inflacionin në të ardhmen. Raporti komunikon gjykimet e Bankës së Shqipërisë mbi ecurinë e pritur të inflacionit.

Raporti i politikës monetare do të publikohet i plotë në ditët në vijim në faqen e internetit të Bankës së Shqipërisë www.bankofalbania.org.

  • Miratimin e rregullores “Për funksionimin e Komitetit të Auditit””.

Kjo rregullore përcakton qëllimin, objektivat, përgjegjësitë dhe parimet mbi të cilat do të orientohet dhe mbështetet veprimtaria dhe funksionimi i Komitetit të Auditit, si një hallkë e rëndësishme në zinxhirin e linjave ekzistuese të kontrollit të brendshëm dhe të jashtëm, duke përmirësuar më tej cilësinë e qeverisjes së Bankës së Shqipërisë. 

Rregullorja është hartuar në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe praktikat më të përparuara të kësaj fushe.

  • Miratimin e rregullores “Për veprimet me fondet në vlera monetare në Bankën e Shqipërisë”

Kjo rregullore sjell në një dokument të vetëm, tërësinë e procedurave të përmirësuara të cilat  duhet të ndiqen nga bankat tregtare në procesin e veprimeve me vlera monetare pranë Bankës së Shqipërisë. 

  • Miratimin e një ndryshimi në rregulloren “Mbi raportimet në Bankën e Shqipërisë sipas Sistemit Raportues të Unifikuar”

Sistemi Raportues i Unifikuar për bankat tregtare përbën tërësinë e formularëve, nëpërmjet të cilëve raportohen të dhëna dhe informacione nga bankat tregtare në Bankën e Shqipërisë. Ndryshimi i fundit i rregullores konsiston në shtimin e një formulari të ri raportimi, nëpërmjet të cilit do të merren të dhëna lidhur me pjesëmarrësit e drejtpërdrejtë dhe ata të tërthortë në kapitalin e bankës raportuese me jo më pak se 5%.

  • Dhënien e  miratimit paraprak për kryerjen e një veprimtarie financiare shtesë nga Banka Alpha Albania sh.a

Në bazë të këtij miratimi, Banka Alpha Albania do të ketë të drejtën të kryejë veprimtari financiare shtesë të ndërmjetësimit në sigurime, duke vepruar si broker në sigurime. 

* Raporti i referohet Deklaratës së politikës monetare të Bankës së Shqipërisë për gjashtëmujorin e parë të vitit 2015.