BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Pyetje-përgjigjet e konferencës së përbashkët për shtyp të Guvernatorit Sejko me misionin e FMN-së, MF-në dhe MZHETTS-në

Data e publikimit: 10.11.2015

 

Pyetje: Ministri Cani deklaroi se pjesa prej 150 milionë euro do të shkojë për huamarrjen e brendshme. Sa do të ndikojë kjo në rritjen e kreditimit të ekonomisë?

Guvernatori: Lidhur me eurobondin, sikurse dihet, destinacioni i të ardhurave të eurobondit është pjesërisht mbyllja e eurobondit ekzistues dhe pjesërisht rifinancimi i deficitit buxhetor. Ajo që ne kemi si shqetësim kryesor është ruajtja e tavanit të nivelit të borxhit dhe kjo gjë është dakordësuar me Ministrinë e Financave nën monitorimin e FMN-së.

Banka e Shqipërisë e shikon emetimin e eurobondit të ri si një hap pozitiv, në përputhje me politikën tonë monetare. Eurobondi krijon mundësi që likuiditeti i sistemit bankar të injektohet në ekonomi, pra teprica e likuiditetit është e lirë për ekonominë shqiptare. Ndikimi tjetër ka të bëjë edhe me normën e interesit. Në rast se nuk do të emetohej eurobondi, sikurse e kemi theksuar, mund të kishte probabilitet për një kosto më të lartë të fondeve në ekonomi.

Ulja e normës bazë të interesit, si pasojë e politikës monetare akomoduese të Bankës së Shqipërisë, synon të ulë kostot e fondeve në mënyrë që të ketë kanalizim të fluksit të likuiditetit në kanalin e kredisë. Pra, Eurobondi jo vetëm që ndikon në mbajtjen e nivelit të borxhit nën kontroll, por nga kahu tjetër ndikon dhe në rritjen e efektivitetit të kanalit të kredisë.

Pyetje: Kur flisni për një ambient të qetë që do t’i shërbente rritjes ekonomike dhe kur flisni për më shumë transparencë, çfarë nënkuptoni më konkretisht?

Guvernatori: Lidhur me ambientin ekonomik, do të ritheksoja përsëri atë çka thashë në deklaratën që sapo lexova: gjatë gjysmës së parë të vitit 2015, ekonomia ka pasur një rritje, në nivelet e deklaruara 2.8% në tremujorin e parë dhe 2.5% në tremujorin e dytë. Ndërkohë që ne si Bankë e Shqipërisë, bashkë me FMN-në, parashikojmë të njëjtat ritme rritjeje edhe për gjashtëmujorin e dytë, për pjesën e mbetur të vitit 2015.

Reformat e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë, synojnë kryesisht stimulimin e kreditimit, pra të kemi një mbështetje më të madhe të projekteve të ndryshme në ekonomi, të cilat më pas do të ndikonin në zhvillimin ekonomik të vendit. Në këtë aspekt, ne jemi optimistë, pavarësisht nga vështirësitë, ngërçet, situata dhe klima ekonomike që ekziston. Ne jemi optimistë se reformat dhe masat e ndërmarra nga ana jonë, në harmonizim edhe me politikën konsoliduese fiskale do të japin efekt dhe ekonomia do të vazhdojë të ruajë ritmet pozitive të rritjes, jo vetëm në gjysmën e dytë të vitit 2015, por edhe më tej në vitin 2016.

Tani, nuk do të doja të ndalesha në shifra konkrete, pasi bëhet fjalë për parashikime. Gjithsesi, dua të ritheksoj atë çka thashë në konferencën e fundit për shtyp. Në rast se ne do të kemi një trend pozitiv në vitin 2015 dhe ky trend do të vazhdojë të ruhet dhe në vitin e ardhshëm, kjo reflekton rezultatin e reformave të ndërmarra, si në kahun e ofertës ashtu edhe në atë të kërkesës. Ne si Bankë Qendrore, si autoritet rregullator dhe monetar, me politikën tonë monetare lehtësuese, i kushtojmë vëmendje kahut të ofertës. Pra, ne po përpiqemi dhe do të bëjmë çmos që kreditimi të vazhdojë të rritet në mënyrë të shëndetshme. Sigurisht kjo përpjekje bëhet duke mbajtur parasysh edhe stabilitetin financiar, duke përmbushur rolin tonë të rëndësishëm si mbikëqyrës dhe rregullator, për një sistem bankar të shëndetshëm. Pra, ne duhet të ndërmarrim reforma për një klimë biznesi dhe klimë ekonomike, ku bankat të jenë të shëndetshme dhe të ndikojnë më tej në rritjen ekonomike.