BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Njoftim: Grupi më i madh bankar në Itali, Intesa Sanpaolo, bëhet aksioneri i ri i "Banka Veneto sh.a"

Data e publikimit: 27.06.2017

 

Vendimet e marra në fundjavë nga Banka e Italisë dhe Qeveria e Republikës së Italisë, kanë sjellë ristrukturim të plotë të veprimtarisë së grupit bankar "Veneto Banca". Pjesa më e mirë e veprimtarisë së këtij grupi, ku përfshihen edhe filialet e tij në Shqipëri dhe në disa vende të tjera, i kanë kaluar Bankës Intesa Sanpaolo, grupi më i madh bankar në Itali. Kjo është e konfirmuar edhe në njoftimin për shtyp të grupit bankar Intesa Sanpaolo të datës 26 qershor 2017.

Për sektorin bankar shqiptar, kjo do të thotë që "Banka Veneto sh.a", deri më parë e zotëruar plotësisht nga grupi bankar "Veneto Banca", tani do të zotërohet nga grupi bankar "Intesa Sanpaolo" dhe aktiviteti i saj do të bëhet pjesë e këtij grupi bankar. Ndryshimi i aksionerit do të ruajë treguesit e mirë të bankës dhe do të përmirësojë administrimin e saj. Si edhe në raste të tjera të ngjashme, ndryshimi i aksionerit do të jetë një proces i pandjeshëm për veprimtarinë e përgjithshme, për depozituesit dhe për klientët e tjerë të bankës.

Në këtë proces, krahas mbikëqyrjes nga afër, Banka e Shqipërisë do të ushtrojë kompetencat që i njeh ligji dhe kuadri rregullativ për rastin e ndryshimit të aksionerit të një banke.