BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko në konferencën për shtyp të vendimmarrjes së politikës monetare të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë

Data e publikimit: 01.11.2017

 

Në mbledhjen e sotme, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim Raportin Tremujor të politikës monetare.

Analiza e paraqitur në të, sugjeron se aktiviteti ekonomik në vend ka vijuar të përmirësohet gjatë tremujorit të dytë e të tretë, i ndikuar nga një ambient i jashtëm i favorshëm, nga përmirësimi i besimit të agjentëve ekonomikë, si dhe nga kushte më të mira financimi në vend. Nga ana tjetër, presionet e përgjithshme inflacioniste janë ende të zbehta dhe inflacioni shënoi rënie në tremujorin e tretë.

Kjo tendencë divergjuese, e raportuar edhe në dy komunikimet e mëparshme të politikës monetare, tregon se ekonomia shqiptare vazhdon të operojë nën potencial dhe se inflacioni vazhdon të mbetet objekt i goditjeve të vazhdueshme të ofertës.

Informacioni i ri dhe përditësimi i parashikimeve nuk kanë ndryshuar kahun e pritur të zhvillimeve ekonomike e financiare, por kanë shtyrë në kohë vlerësimin tonë për kthimin e ekonomisë në ekuilibër dhe të inflacionit në objektiv. Kjo ecuri ka konfirmuar përshtatshmërinë e qëndrimit aktual të politikës monetare, si dhe ka theksuar nevojën për një politikë monetare më akomoduese gjatë horizontit afatmesëm.

Në përfundim të diskutimeve mbi analizën dhe parashikimet e paraqitura, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit.

Më lejoni të shpjegoj më në detaje konkluzionet e raportit dhe arsyet e këtij vendimi.

 dsc6647 - konf 1

Inflacioni regjistroi një normë mesatare vjetore prej 1.7% në tremujorin e tretë të vitit, duke shënuar rënie nga vlerat e dy tremujorëve paraardhës. Ky ngadalësim ka pasqyruar kryesisht rënien e inflacionit të ushqimeve, si pasojë e rritjes së ofertës vendase, e mbiçmimit të kursit të këmbimit dhe e ngadalësimit të inflacionit të këtyre produkteve në tregjet e huaja.

Në terma makroekonomikë, Banka e Shqipërisë vlerëson se ngadalësimi i inflacionit ka ardhur si pasojë e goditjeve të ofertës, efekti i të cilave pritet të jetë i kufizuar në intensitet dhe i shkurtër në kohë. Megjithatë, vlerat e ulëta të inflacionit bazë sugjerojnë se, ndonëse në rritje, presionet afatmesme mbi inflacion mbeten ende të dobëta. Përmirësimi i aktivitetit ekonomik në vend e ka sjellë ekonominë shqiptare më pranë ekuilibrit, e ilustruar kjo nga rënia e normës së papunësisë dhe nga tendenca rritëse e shkallës së shfrytëzimit të kapaciteteve nga biznesi. Megjithatë, ekonomia shqiptare vazhdon të operojë ende poshtë potencialit, çka vijon të frenojë presionet për rritje të pagave dhe të kostove të prodhimit.

Sipas të dhënave të INSTAT-it, ekonomia shqiptare u rrit me 4.1% gjatë tremujorit të dytë të vitit, një ritëm ky i përafërt me atë të tremujorit të parë. Kjo rritje u mbështet nga zgjerimi i kërkesës së brendshme private, nga përmirësimi i bilancit të shkëmbimeve tregtare me jashtë, si dhe nga rritja e shpenzimeve publike dhe nivelet e larta të investimeve të huaja direkte gjatë kësaj periudhe. Të dhënat e tërthorta të disponuara sugjerojnë se aktiviteti ekonomik ka vijuar të rritet me ritme të përafërta edhe gjatë tremujorit të tretë.

Ecuria pozitive e aktivitetit ekonomik në vend vazhdon të përfitojë nga politika jonë monetare stimuluese, e cila ruan një mjedis financiar me norma të ulëta interesi dhe me likuiditet të bollshëm. Ajo është ndihmuar gjithashtu nga politika fiskale konsoliduese, e cila ul primet e rrezikut dhe rrit hapësirat për financimin e sektorit privat. Banka e Shqipërisë vlerëson se këta faktorë do të vazhdojnë të ndihmojnë rritjen ekonomike, kthimin e ekonomisë në ekuilibër dhe të inflacionit në objektiv.

Tregjet financiare vazhdojnë të karakterizohen nga norma të ulëta interesi. Tendenca rritëse e yield-eve të bonove të thesarit nuk ka ndikuar kostot e kreditimit të sektorit privat, të cilat - edhe gjatë tremujorit të tretë - kanë mbetur në nivelet e tyre më të ulëta historike. Në përgjigje të tyre, kredia për sektorin privat u rrit me mesatarisht 3.1% gjatë tremujorit të tretë, pothuajse tërësisht si pasojë e zgjerimit me 9.7% të portofolit të kredisë në lekë. Një aspekt pozitiv i tremujorit të tretë ishte rritja e kërkesës për kredi, veçanërisht në segmentin e korporatave. Po ashtu, standardet e kreditimit të sektorit privat janë lehtësuar, megjithëse këto standarde vazhdojnë të mbeten relativisht konservatore.

Duke gjykuar mbi tendencat aktuale të zhvillimit dhe balancën e faktorëve mbështetës, Banka e Shqipërisë vlerëson se perspektiva afatmesme e zhvillimit ekonomik të vendit mbetet pozitive. Përmirësimi i ambientit ekonomik pritet të sjellë kthimin e inflacionit në objektiv, brenda gjashtëmujorit të parë të vitit 2019.

Në raport me raundin e kaluar, Banka e Shqipërisë ka riparë lehtësisht për lart parashikimin e rritjes ekonomike gjatë gjithë horizontit trevjeçar të parashikimit, ndërkohë që parashikimi i kthimit të ekonomisë në ekuilibër dhe i kthimit të inflacionit në objektiv janë shtyrë disi në kohë.

Projeksioni i një rritjeje më të lartë ekonomike është ndikuar nga rishikimi për lart i vlerësimit për ritmin potencial të rritjes, në përgjigje të përmirësimeve strukturore të ndodhura në ekonominë shqiptare. Në të njëjtën kohë, rishikimi për lart i potencialit shtyn në kohë parashikimin tonë për kthimin e ekonomisë në ekuilibër dhe të inflacionit në objektiv. Ai nënkupton se, krahasuar me vlerësimet tona të mëparshme, kapacitetet prodhuese të ekonomisë janë më të mëdha dhe shfrytëzimi i plotë i tyre do të kërkojë një kohë më të gjatë. Gjithashtu, sa i takon inflacionit, shtyrja në kohë e përmbushjes së objektivit pasqyron edhe nevojën për absorbimin e plotë të goditjeve të ofertës dhe për shuarjen e efekteve frenuese që vijnë nga ecuria mbiçmuese e kursit të këmbimit.

Projeksionet e mësipërme faktorizojnë forcimin e kahut stimulues të politikës monetare gjatë gjithë horizontit afatmesëm. Ato mbeten, gjithashtu, të kushtëzuara nga materializimi i pritjeve për një ambient të jashtëm më të favorshëm dhe për një rikuperim më të shpejtë të aktivitetit kreditues në vend. Rënia në nivelin 14.78% e raportit të kredive me probleme në muajin shtator tregon se bilancet e sektorit bankar po përmirësohen dhe se rreziku i kreditit po vjen drejt reduktimit.

Në këtë kontekst, Banka e Shqipërisë gjykon se rritja e kërkesës për kredi duhet të ndiqet nga politika më të favorshme dhe largpamëse kreditimi nga sektori bankar. Në të kundërt, zhbalancimi i mëtejshëm i kërkesës dhe ofertës për kredi do të frenonte ritmin e rritjes ekonomike dhe do të ishte një mundësi e humbur për sektorin bankar.

***

Duke gjykuar mbi analizat dhe parashikimet e skenarit bazë, të shtjelluara më sipër, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se qëndrimi aktual i politikës monetare vijon të mbetet i përshtatshëm. Në këto rrethana, ai vendosi:

  •  Të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 1.25%;
  • Të mbajë të pandryshuar normat e interesit të depozitës dhe të kredisë njëditore, respektivisht në nivelet 0.25% dhe 2.25%.

Gjithashtu, në bazë të informacionit të disponuar, Këshilli Mbikëqyrës konstaton se:

  • Intensiteti i stimulit monetar nuk do të zbutet para tremujorit të katërt të vitit 2018. Politika monetare stimuluese e ndjekur nga Banka e Shqipërisë ka pasur efekte pozitive në nxitjen e kërkesës agregate, në rritjen e aktivitetit ekonomik dhe në rritjen graduale të inflacionit drejt objektivit;
  • Balanca e rreziqeve mbi parashikimet tona po vijon të zhvendoset në kahun e poshtëm, si në afatin e shkurtër dhe në atë të mesëm. Në këto rrethana, Këshilli Mbikëqyrës gjen me vend të theksojë se, në rast të materializimit të goditjeve të mëtejshme apo të ndikimit të mundshëm negativ të tyre mbi pritjet për inflacionin, përmbushja e objektivit të inflacionit mund të kërkonte një qëndrim edhe më akomodues të politikës monetare. Në përgjigje të tyre, Këshilli Mbikëqyrës do të ishte i gatshëm të merrte në konsideratë lehtësime të mëtejshme të kësaj politike.