BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani në takimin me përfaqësues të agrobiznesit dhe të sektorit bankar, Lushnje 13 mars 2014

Data e publikimit: 13.03.2014

 

Të nderuar pjesëmarrës,

Është një kënaqësi për mua të marr pjesë sot në këtë takim së bashku me ju, për të diskutuar mbi një nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare - sektorin e bujqësisë. Për më tepër, fakti që ky takim mbahet në një prej zonave që ka një potencial të jashtëzakonshëm për zhvillimin e këtij sektori, siç është jo vetëm zona e Lushnjës, por i tërë qarku i Fierit, është shumë domethënës.

Nuk besoj se shpreh diçka surprizuese - sidomos për ata që punojnë në mënyrë të përditshme me sipërmarrjen – kur them se kriza ekonomike botërore e viteve të fundit, ka pasur një impakt tashmë lehtësisht të dallueshëm dhe në ekonominë shqiptare. Ritmi i rritjes ekonomike është ngadalësuar ndjeshëm, sidomos në 2 vitet e fundit. Parashikimet më të fundit flasin për një rimëkëmbje të lehtë në vitet në vazhdim, e ndihmuar nga përmirësimi i kushteve monetaro-financiare në vend, si dhe nga fakti që fqinjët tanë tregtarë, po ashtu, për herë të parë mbas disa vitesh po shfaqin shenja pozitive. Gjithsesi, pritshmëritë flasin për norma rritjeje më të ulëta në krahasim me vitet para krizës.

Në këto kushte, Banka e Shqipërisë ka promovuar një debat publik rreth modelit të ri të rritjes ekonomike, që para fillimit të krizës.

Qëndrimi i Bankës ka qenë i qartë dhe transparent për publikun, duke theksuar në mënyrë të vazhdueshme se burimet kryesore të rritjes ekonomike gjatë dy dekadave të tranzicionit po zvogëlohen ndjeshëm, dhe ekonomia shqiptare duhet të riorientohet drejt sektorëve të rinj në një të ardhme gjithmonë e më të afërt. Banka e Shqipërisë e sheh sektorin e bujqësisë - dhe në një kuptim më të gjerë tërë aktivitetin e agrobiznesit - si një nga sektorët kryesorë që duhet të jenë në krye të këtij riorientimi.

Prania ime sot këtu, prania e Bankës së Shqipërisë, duhet të shërbejë pikërisht si një konfirmim i rëndësisë që ky institucion i kushton diskutimit për modelin e ri të rritjes dhe rolit parësor që bujqësia duhet të luajë në të.


*   *   *


Viti 2013 ka qenë një vit mjaft i vështirë për ekonominë shqiptare. Kërkesa e brendshme, dhe si rrjedhojë rritja ekonomike, ka qenë në nivele nga më të ulëtat historike. Norma e inflacionit preku kufijtë e poshtëm të tolerancës së Bankës së Shqipërisë, ndërsa deficiti buxhetor dhe borxhi publik kanë pësuar një rritje të ndjeshme.

Ecuria ekonomike gjithashtu është shoqëruar nga pasiguritë rreth zhvillimeve ekonomike të jashtme - sidomos në vendet partnere - por dhe të asaj të brendshme, duke pasur parasysh që viti 2013 ishte një vit zgjedhor. Të gjitha këto kontribuan në një frenim dhe sjellje më të kujdesshme të agjentëve ekonomikë. Në treguesit e prodhimit të brendshëm u vunë re disa ndryshime të rëndësishme, ku vlen të theksohet se sektori i ndërtimit - një prej kontribuesve më të mëdhenj të rritjes ekonomike gjatë viteve 2000-2008 - tashmë shfaqet në tkurrje.

Për fat të mirë, sistemi bankar shqiptar vazhdon të mbetet solid dhe i mirëkapitalizuar.

Megjithë rritjen e kredisë me probleme, bankat kanë kapitalin e nevojshëm për t’u përballur me këtë fenomen. Dëshiroj të ndalem diçka më gjatë në këtë pikë.

Me të drejtë, ecuria e kredisë është në vëmendjen e të gjithë politikëbërësve dhe aktorëve ekonomikë. Ngadalësimi i rritjes ekonomike është shoqëruar me ngadalësim të fortë të aktivitetit kreditues. Arsyet janë të kuptueshme: nga njëra anë, biznesi ka ulur kërkesën për kredi duke mos qenë i sigurt për shitjen e produkteve të veta, dhe nga ana tjetër, bankat shfaqen më konservatore duke qenë të pasigurta për suksesin e plan-bizneseve të ndryshme.

Teoria dhe praktika botërore sugjerojnë se cikli i investimit dhe ai i kredisë ndjekin ecurinë e kërkesës agregate. Me fjalë të tjera, ne do të kemi një rikuperim të qëndrueshëm të kreditimit vetëm në momentin që do të kemi një rikuperim të qëndrueshëm të rritjes ekonomike.

Megjithatë, sikurse e kemi deklaruar dhe më parë, ne mendojmë se brenda realitetit shqiptar ka vend për një ecuri më të mirë të kredisë. Kanalizimi i kursimeve në investime fitimprurëse dhe mbështetja me kredi e biznesit është arsyeja e ekzistencës së sistemit bankar. Këtë mesazh e kemi theksuar në vazhdimësi dhe e kemi mbështetur me hapa konkretë, të cilët kanë ulur koston e financimit të sistemit bankar dhe kanë incentivuar kreditimin nëpërmjet krijimit të një ambienti më të përshtatshëm rregullator.

Banka e Shqipërisë pret një përmirësim të situatës gjatë muajve në vazhdim, si pasojë e masave makroprudenciale të ndërmarra për lehtësimin e kreditimit, si dhe nga ristrukturimi i kredisë dhe pastrimi i bilanceve për bankat e nivelit të dytë. Këtë panoramë të shpejtë përmbledhëse e përmend jo rastësisht, por për të pasqyruar realitetin ekonomik shqiptar në këtë moment dhe për të bërë të qarta sfidat e së ardhmes. Ajo që kuptohet lehtësisht është se rritja ekonomike e vogël kërkon zgjidhje të reja nga sektorë të rinj.

Mundësia për të financuar projekte fitimprurëse ekziston duke qenë se bankat vazhdojnë të mbledhin depozita dhe të ruajnë nivele të shëndetshme për treguesit financiarë. Tashmë është përgjegjësi e tërë politikëbërësve të ndihmojnë sipërmarrjen, në mënyrë që të identifikohen qartë investimet e duhura për të ardhmen. Në raportet e Bankës së Shqipërisë kemi theksuar se burimet e reja të rritjes duhet të vijnë nga sektorë konkurrues jo vetëm në tregun e brendshëm, por gjithmonë e më shumë në atë të jashtëm në mënyrë që dhe bilanci tregtar të vazhdojë përmirësimet e shfaqura gjatë vitit 2013.

Rritja e eksporteve është e rëndësishme në afatin e gjatë edhe për të kompensuar momente dobësie nga kërkesa e brendshme, duke diversifikuar burimet e të ardhurave. Megjithëse ekonomia përfiton nga rritja e eksporteve të lëndëve minerare, shpesh këto mallra eksportohen pa asnjë lloj përpunimi në tregun e brendshëm, e rrjedhimisht mëduhet të theksoj se këto sektorë në përgjithësi kontribuojnë pak nëpërmirësimin e produktivitetit dhe konkurueshmërisë së ekonomisë tonë.

Kërkimet dhe analizat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në mënyrë të vazhdueshme sektorët e mallrave të tregtueshme kanë shfaqur një produktivitet në rritje në krahasim me sektorin jo të tregtueshëm.

Gjatë viteve 2000, ekonomia shqiptare ishte fokusuar më shumë në sektorë si ndërtimi dhe hoteleri-turizmi, pjesë e sektorëve të patregtueshëm, të cilët kanë shfaqur nivele të ulëta në rritjen e produktivitetit. Përmirësimi i këtyre treguesve dhe përballimi më i suksesshëm i konkurrencës në tregjet e huaja duhet të jetë në themel të modelit të ri të rritjes ekonomike të vendit. Analizat e Bankës së Shqipërisë sugjerojnë se këto ndryshime strukturore do të ndihmojnë një rimëkëmbje më të shpejtë ekonomike gjatë viteve në vazhdim dhe në arritjen e normave të mëparshme të rritjes.

Sektori i bujqësisë i përmbush kriteret e sipërpërmendura për të qenë në themel të këtij modeli të ri, më mirë se çdo sektor tjetër ekonomik. Nga ana tjetër, duhet të pranojmë se megjithë burimet natyrore të shumta që ka vendi ynë, ne ende nuk kemi arritur t’i shfrytëzojmë këto burime potenciale për të krijuar një sektor bujqësor të gatshëm për t’u përballur me konkurrencën në tregjet botërore. Banka e Shqipërisë sheh potenciale të medha në sektorin e bujqësisë, që për arsye të ndryshme nuk janë materializuar gjatë këtyre viteve, por nga të cilat duhet të përfitohet më shumë në të ardhmen. Si rrjedhojë, ndryshe nga sektorë të tjerë ku përfitimet në të ardhmen ndoshta do të mbeten të kufizuara, sektori i bujqësisë mund të përfaqësojë një burim të rëndësishëm për një periudhë të dytë rritjeje ekonomike dinamike.

Ekonomia shqiptare duhet të riorientohet gjithmonë e më shumë drejt atyre sektorëve, ku aftësia për të konkurruar në tregjet e huaja është treguesi më i mirë i potencialit të zhvillimit. Fakti që sot ekonomia shqiptare është një importuese neto e produkteve ushqimore tregon për një nivel të ulët konkurrueshmërie dhe përfaqëson një nga sfidat kryesore për të ardhmen e ekonomisë së saj. Zona e Lushnjës është pikërisht një nga rajonet kryesore të bujqësisë shqiptare nga ku duhet të fillojë rimëkëmbja e ekonomisë shqiptare dhe jo rastësisht ky aktivitet mbahet pikërisht këtu.

Në analizat e kryera në Bankën e Shqipërisë, po i kushtohet një vëmendje gjithmonë e më e madhe zhvillimeve dhe perspektivave të zhvillimit në këtë sektor. Në momentin që flasim, 47% e popullsisë vendase dhe rreth 49% e forcës së aftë për punë jeton ende në zonat rurale dhe është e punësuar në aktivitete bujqësore. Nga të dhënat më të fundit të vitit 2012 rreth 24% e sipërfaqes tokësore të vendit përdoret për kultivimin e kulturave të ndryshme bujqësore. Por, megjithë burimet e shumta që janë përqëndruar në bujqësi dhe rolit të rëndësishëm që ajo luan si burim kryesor i të ardhurave për një pjesë të madhe të popullsisë, vetëm 20% e vlerës së shtuar bruto vjen nga ky sektor.

Pesha e ulët në ekonomi në raport me numrin e madh të popullsisë së angazhuar në bujqësi është tregues i produktivitetit të ulët që ka ky sektor. Nga të dhënat më të fundit, rezulton që eksporti i grup-mallrave “ushqim, pije, duhan” përbën 6.2% të totalit të eksporteve, nga ku produktet blegtorale dhe bujqësore përbëjnë përkatësisht 0.78% dhe 2.3% të totalit të eksporteve, ndërsa agroindustria zë 3% të totalit të eksporteve.

Qarku i Fierit përfaqëson një pjesë të konsiderueshme të faktorëve të prodhimit në sektorin bujqësor. Sipas të dhënave më të fundit, Fieri zotëron 18% të totalit të tokës bujqësore, duke u klasifikuar si qarku që zotëron pjesën më të madhe të saj në shkallë vendi.

Gjatë 2012-ës, në qarkun e Fierit janë regjistruar mbi 56 mijë ferma, që përbjnë njëkohësisht numrin më të madh të fermave në rang vendi. Ky numër është i barazvlefshëm me 16% totalit të të gjithë fermave në vend dhe prej tyre sigurohet përqindja më e lartë e të ardhurave nga shitja e prodhimeve bujqësore, rreth 20% e totalit të të ardhurave në rang vendi. Edhe për sa i përket blegtorisë, qarku i Fierit, dhe kryesisht rrethi i Lushnjës, zë një peshë të rëndësishme në prodhimet blegtorale. Në rang qarku, Fieri prodhon 20% të totalit të gjithë prodhimit blegtoral (qumësht), ndërsa vetë rrethi i Lushnjës prodhon 9% të totalit të gjithë prodhimit blegtoral (qumësht).

Panorama e mësipërme dëshmon përpjekjet dhe iniciativën private për ta zhvilluar këtë sektor. Në mënyrë që ky proces të vazhdojë me ritëm akoma më të shpejtë, politikëbërësit duhet të identifikojnë avantazhet, problemet që ka ky sektor, të cilave mund t’u jepet një zgjidhje sa më shpejt.

Në vitin 2012, Universiteti i Oksfordit botoi një libër të fokusuar mbi rritjen ekonomike në rajonin e Evropës Juglindore, ku preken në mënyrë të detajuar shumë nga problemet strukturore dhe sfidat me të cilat përballet ekonomia e Shqipërisë, në përpjekjen për zhvillim të mëtejshëm. Bujqësia zë një vend të rëndësishëm në këtë analizë.

Një pjesë e këtyre problemeve dihen dhe janë përmendur shpesh, si për shembull çështjet e rëndësishme të infrastrukturës që përfshijnë jo vetëm sistemin rrugor, por dhe atë vaditës, kullues, magazinues e përpunues. Problemet me pronësinë e tokës dhe transformimin e funksionit të saj për aktivitete të tjera vazhdojnë të ngelen një pengesë madhore e zhvillimit normal të vendit dhe krijojnë probleme të vazhdueshme në çmimin dhe përdorimin e këtij faktori të rëndësishëm të prodhimit, e më tej, në funksionimin normal të tregjeve të produkteve dhe faktorëve të tjerë të lidhur me tokën.

Sektori bujqësor preket nga probleme të tjera strukturore që kërkojnë një zgjidhje afatgjatë. Fermat mesatare vazhdojnë të mbeten relativisht të vogla, duke mos lejuar zhvillimin dhe rritjen e produktivitetit mesatar ose siç njihet ndryshe “ekonomive të shkallës”. Arsyet për këtë zhvillim janë të shumta. Këtu mund të përmendet trashëgimia e sistemit komunist dhe ndarja e tokës pas rënies së tij. Por ashtu siç u përmend më sipër, mungesa e një tregu normal toke edhe për shkak të problemeve të pronësisë natyrshëm luan një rol të rëndësishëm në krijimin e fermave më të mëdha e për rrjedhojë më konkurruese. Këto probleme ndikojnë dhe në marrëdhënien e sektorit bujqësor me bankat dhe aktivitetin kreditues në vend.

Nga të dhënat më të fundit, kredia për sektorin e bujqësisë ka qenë mesatarisht rreth 1.25% e totalit të kredisë për biznesin gjatë viteve të fundit, një shifër mjaft e ulët dhe që duhet të përbëjë shqetësim për të gjithë, duke pasur parasysh që ky sektor kontribuon me 1/5 e prodhimit të brendshëm bruto.

Besoj që janë dy, arsyet kryesore që kanë çuar drejt këtij hezitimi nga sistemi bankar për të financuar projekte të ndryshme në këtë sektor. E para, klasifikimi dhe kategorizimi i riskut për kreditë e sektorit bujqësor është një sipërmarrje e ndryshme nga aktivitetet e tjera. Mungesa e një formalizimi, edhe për çështje si mbajtja e rregullt e informacioneve dhe statistikave të pronësisë, e atyre financiare, dëmton kredibilitetin e fermerëve që në hapat e parë të procesit të kredidhënies. Gjykoj se ka hapësirë për një ndërhyrje të kujdesshme të institucioneve publike, jo për të dënuar fermerët, po për t’i përgatitur ata më mirë dhe për t’i ndihmuar në formalizimin e aktivitetit të tyre.

Banka e Shqipërisë në këtë kuadër ka nisur prej disa vitesh një fushatë për përmirësimin e edukatës financiare të publikut shqiptar. Rezultatet më të fundit nga anketimet tona tregojnë se popullsia urbane shqiptare shfaq një dituri gjithmonë e më të plotë për problemet e ndryshme financiare me të cilat hasen. Por rezultatet për zonat rurale tregojnë se niveli i edukimit vazhdon të jetë ndjeshëm më i ulët.

E dyta, sektori bujqësor shqiptar ka mungesa informacioni dhe vlerësimi. Ashtu siç theksova më sipër, një nga arsyet pse bankat hezitojnë të rrisin kreditimin e tyre është mospasja e një informacioni të plotë mbi fermat dhe produktet e tyre. Akoma më tej, nivelet e certifikimit të cilësisë për produktet shqiptare mbeten të ulëta. Një nga arsyet kryesore që pengojnë një eksport më të madh, e për rrjedhojë edhe prodhim më të madh, ngelet mungesa e certifikimit sipas standardeve më të larta të tërë produkteve bujqësore shqiptare. Ky lloj certifikimi jo vetëm provon sigurinë elementare ushqimore për të cilën kanë nevojë tregjet evropiane, por krijon dhe një pikënisje për konkurrencë në treg.

Prania e këtyre standardeve, në një nivel të besueshëm do të sillte një përmirësim të gjithë mekanizmave të tregut duke ndihmuar dhe financimin nga bankat në raport me cilësitë e produkteve. Në kuadër edhe të problemeve që hasen në sektorin e bujqësisë, Banka e Shqipërisë ka filluar të vëzhgojë gjithmonë e me më shumë interes institucionet e mikrokredisë.

Janë këto institucione që në mjaft vende të tjera në zhvillim kanë sjellë një rritje të kreditimit sidomos për sektorin bujqësor dhe popullsinë rurale në përgjithësi duke u përpjekur të zgjidhin pikërisht problemet e formalizimit dhe vlerësimit që përmenda më sipër. Gjykoj se eksperienca e suksesshme e institucioneve të mikrokredisë në vende të tjera mund të importohet në Shqipëri. Si rrjedhojë lind nevoja që politikëbërësit në tërësi të jenë sa më pranë këtyre institucioneve e të ndihmojnë rritjen e tyre pasi më shumë se çdo ndërhyrje tjetër nga ana e institucioneve financiare e atyre publike, janë pikërisht institucionet e mikrokredisë ato që kanë mundësi të kthehen në kredidhënës dhe financues të rëndësishëm të sipërmarrjeve private bujqësore.

Më lejoni ta mbyll duke thënë dhe njëherë se sektori i bujqësisë duhet të jetë një burim i rëndësishëm për zhvillimin e mëtejshëm të vendit. Por zgjidhja e problemeve që has ky sektor kërkon jo vetëm një vëmendje më të madhe, por mbi të gjitha një mendësi të re një bashkëpunim më konkret nga të gjithë aktorët e interesuar. Si rrjedhojë, shpresoj se takimi i sotëm do të shërbejë për të tërhequr vëmendjen te ky sektor i rëndësishëm dhe për të shtyrë përpara reformat e nevojshme strukturore që do të nxisnin dhe bashkepunimin e bujqësisë me sektorin bankar e financiar.