BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Intervista e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë z. Ardian Fullani, për Zërin e Amerikës

Data e publikimit: 14.10.2008

 

Cila ka qenë dinamika e mbledhjeve të këtij viti? A është Shqipëria imune ndaj kësaj krize? Çfarë masash po merrni ju si institucion dhe qeveria për ta përballuar atë?

Mbledhja e kësaj radhe në Uashington ka qenë e veçantë, përveç diskutimeve të përhershme me Fondin Monetar dhe Bankën Botërore, prioritet përbënte diskutimi mbi situatën e rënduar financiare botërore, rrugëdaljen nga kjo krizë së bashku me zgjidhjet e mundshme. Njëkohësisht, u bë një analizë e veçantë për vende të veçanta, ku natyrisht për Shqipërinë, si një vend që ka një program me Fondin, ka qenë e rëndësishme pjesëmarrja në këto diskutime. Do të isha interesuar ta shikoja jo vetëm në kuadrin tonë si Shqipëri, po njëkohësisht në kuadrin rajonal dhe më gjerë, sepse kjo situatë duhet të shihet në perspektivë, jo vetëm për atë që ndodhi sot, por për atë se çfarë do të ndodhë nesër. Java ka qenë mjaft e ngjeshur, Uashingtoni ka qenë i përfshirë në një pështjellim të veçantë dhe unik diskutimesh ndërmjet institucioneve të rëndësishme ekonomiko-financiare, politikëbërësve dhe bankave ndërkombëtare, për të gjetur një zgjidhje jo vetëm për momentin, por për t'i dhënë një rrugëzgjidhje afatmesme dhe afatgjatë situatës si dhe për të diskutuar perspektivat e ekonomisë globale në të ardhmen. Shumë tabu janë thyer dhe janë diskutuar, tashmë sfida të reja e presin ekonominë globale në të ardhmen. Në këtë kuadër, është e rëndësishme të theksohet mbledhja e G7 -ës si dhe mbledhja e djeshme për eurozonën e organizuar nga Presidenti Sarkozy në Francë. Vendimet e këtyre mbledhjeve bëjnë thirrje për më shumë aksion - të shpejtë, të mirëorganizuar dhe efektiv - si dhe për më shumë bashkëpunim, koordinim dhe bashkërendim se sa konkurrencë, arbitrazh në ligje dhe në rregullore. Njëkohësisht, këto vendime bëjnë thirrje për të mbështetur paketat publike për një rikapitalizim të institucioneve bankare financiare, për vënien në funksionim të sistemit të kreditit dhe marrjen e të gjitha iniciativave përkatëse për të rritur kredibilitetin e publikut në këto institucione, me qëllim rigjallërimin e sistemit bankar dhe financiar dhe të jetës ekonomike të vendeve të ndryshme.

Specifikisht, ju si institucion çfarë masash keni marrë për të rritur besueshmërinë e këtij publiku, tashmë të shqetësuar për situatën financiare?

E kam thënë me kohë që kjo situatë e rënduar nuk është më prej kohësh një situatë e rënduar nga institucione financiare ndërkombëtare ose nga paketa të ndryshme që ata përdorën siç del sot, por është kthyer në një krizë besimi të madh. Tashmë kërkohet bashkërendim, koordinim si dhe një vëmendje më e madhe për sa i përket jo vetëm problemeve të momentit, por edhe perspektivës të situatës. Ne kemi qenë të kujdesshëm, dy vitet e fundit kam marrë disa iniciativa për një bashkërendim të veprimeve tona në kuadrin rajonal. Parvjet ne organizuam për herë të parë Konferencën e Stabilitetit Financiar në Shqipëri, ku morën pjesë shtatë guvernatorë të bankave qendrore të rajonit. Përveç Klubit të Guvernatorëve, kemi tashmë dhe një klub që funksionon posaçërisht për mbikëqyrjen, ku diskutojmë të gjitha problemet e mbikëqyrjes bankare dhe bëjmë një bashkërendim të ligjeve dhe rregulloreve përkatëse. Vitin e kaluar hyri në fuqi ligji i ri i sistemit bankar, ndërkohë që ky vit ka qenë një vit plot me ndryshime për sa i përket katër rregulloreve bazë të mbikëqyrjes, me fokusin kryesor në rritjen e cilësisë së menaxhimit të bankave, rritjes së transparencës së bankave, rritjes së kontrollit të brendshëm dhe menaxhimit të riskut.

Kriza financiare këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës filloi me rritjen fiktive siç thuhet të çmimit të shtëpive. Si e vlerësoni ju këtë treg në Shqipëri dhe sa i shqetësuar jeni ju për kreditë e këqija?

Dua të përsëris atë që kam deklaruar një javë më parë kur doli në publik deklarata e stabilitetit financiar, pra që sistemi bankar shqiptar nuk është i "kontaminuar" nga produktet "toksike" të tregut amerikan dhe tregjeve të tjera.

Megjithatë, bankat e huaja që operojnë në Shqipëri a kanë investuar në tregje që mund të jenë të "kontaminuara"?

Sistemi bankar shqiptar është i sigurt, siguria e këtij sistemi qëndron në parametrat e tij të kapitalit, të likuiditetit dhe të fitimit. Sistemi bankar shqiptar është fitimprurës dhe kreditë me probleme janë brenda parametrave të caktuar ndërkombëtarë. Standardi ynë i mbikëqyrjes është një tjetër element i shtuar i rrjetës mbrojtëse që krijon Banka e Shqipërisë. Kujdesi i veçantë që Banka e Shqipërisë i ka kushtuar mbikëqyrjes bankare sidomos dy vitet e fundit është një garanci e madhe për publikun, për të rritur besimin në këto institucione. Rritja e besimit në këto institucione është guri i themelit për një vazhdim të qëndrueshëm afatgjatë të çdo ekonomie botërore, sidomos në një situatë të tillë. Ne i kemi paraprirë gjithmonë situatave, duke e trajtuar problemin e stabilitetit financiar me mjaft rëndësi. Publikisht kam deklaruar më shumë se një vit më parë që stabiliteti financiar dhe politika makroekonomike ecin dora dorës. Sipas meje, çdo investim në cilësinë e sistemit financiar është një investim që bëhet për zbatimin sa më të mirë dhe me sukses të politikës monetare.

Në takimet tuaja me FMN-në sigurisht që ju keni diskutuar për perspektivën e zgjatjes së programit të FMN- së me Shqipërinë. A është arritur një rezultat paraprak? Ju kujt kampi i përkisni, kampit që mbron zgjatjen e këtij programi apo atij që thotë që duhen të rriten përgjegjësitë e qeverisë, duke u larguar FMN-ja tashmë?

Tashmë nuk ka kampe, në fakt nuk ka pasur asnjëherë. Personalisht, besoj se FMN -ja është certifikuesi më i mirë i bilanceve dhe statistikave tona kombëtare dhe garantuesi i politikave tona makrofinanciare; pa diskutim, garantuesi më i mirë për ta shoqëruar Shqipërinë drejt portave evropiane.