BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi ceremoninë e promovimit të librit “Rritja ekonomike në Shqipëri dhe Evropën Juglindore: rruga drejt së ardhmes”, të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z.Ardian Fullani

Data e publikimit: 12.03.2013

 

Në datën 7 mars 2013, Qendra për Studime të Evropës Juglindore të Universitetit të Oksfordit, organizoi një konferencë për inaugurimin e librit “Growth in Albania and South East Europe: The Way Ahead” (Rritja ekonomike në Shqipëri dhe në Evropën Juglindore: rruga drejt së ardhmes) me autor, Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, zotin Ardian Fullani. Libri përmban një grup çështjesh studimore të përgatitura nga zoti Fullani në 4 – 5 vitet e fundit, të cilat trajtojnë gjerësisht  rritjen dhe zhvillimin ekonomik të Shqipërisë dhe të Evropës Juglindore. Në këtë libër përmes një analize të zhvillimeve të 20 viteve të fundit në ekonominë shqiptare synohet të bëhen përgjithësime me vlerë për të ardhmen. Kjo analizë, e cila trajton gjerësisht  dinamikën dhe konsekuencat që rrjedhin nga procesi i integrimit mes vendeve të rajonit dhe më gjerë në Bashkimin Evropian, mundëson identifikimin në nivel makro dhe mikroekonomik të burimeve të rritjes në të ardhmen.

Libri trajton gjerësisht problematikat kryesore të zhvillimit të ekonomisë dhe të tregjeve të mallrave e të atyre financiare. Ai i vë një theks të veçantë evidentimit të avantazheve konkurruese dhe domosdoshmërisë për bashkëpunim rajonal, si dy nga elementët kryesorë, të cilët do të çlirojnë burime të mëdha rritjeje si për  Shqipërinë ashtu dhe për rajonin e Evropës Juglindore.

foto oksford 5701 0

Në konferencë morën pjesë profesorë dhe studentë të Universitetit të Oksfordit, akademikë të ftuar nga Shkolla Ekonomike e Londrës, përfaqësues nga universitete të tjera në Londër dhe në Shqipëri, drejtues të lartë të bankave qendrore të rajonit, përfaqësues nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, përfaqësues të biznesit dhe sistemit financiar në rajon, si dhe përfaqësues të Bankës së Shqipërisë. Në aktivitet ishin të pranishëm dhe Rektori i Universitetit të Tiranës dhe njëkohësisht Anëtari i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, profesor Dhori Kule, si dhe trupa diplomatike e Ambasadës Shqiptare në Londër.
Prezantimi i librit u hap me një përshkrim të shkurtër nga Drejtori i Qendrës së Studimeve Evropiane pranë Universitetit të Oksfordit z. Othon Anastasakis, i cili në fjalën e tij u shpreh: “Ky libër trajton konceptet e rritjes, krizës dhe rigjallërimit, integrimin evropian dhe veçanërisht bashkëpunimin rajonal midis vendeve të Ballkanit”. Më pas, Guvernatori Fullani bëri një ekspoze të zgjeruar të ideve të trajtuara dhe konkluzioneve  kryesore të librit. Në pjesën e dytë të aktivitetit,  Guvernatori Fullani bashkëbisedoi dhe iu përgjigj pyetjeve të të pranishmëve në lidhje me çështjet e trajtuara në libër. Libri i botuar në gjuhën angleze  mund të gjendet në formë elektronike në faqen zyrtare të Qendrës për Studime të Evropës Juglindore, të Universitetit të Oksfordit:  http://www.sant.ox.ac.uk/seesox/.  

Në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Bankës së Shqipërisë dhe Universitetit të Oksfordit, në datën 7 Mars 2013, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë z. Ardian Fullani u prit nga Presidentja e Kolegjit të St’ Antony të Universitetit të Oksfordit. Profesoresha Margaret MacMillan autore dhe fituese e shumë çmimeve ndërkombëtare për librat e saj me tematikë historike mbi Perandorinë Britanike dhe marrëdhëniet ndërkombëtare të fillimit të shekullit të njëzetë (Në Shqipëri është botuar libri i saj “Paris 1919: gjashtë muaj që ndryshuan botën”, bestseller i New York Times-it). Gjatë takimit u diskutuan çështjet e bashkëpunimit ndërmjet të dy institucioneve dhe zhvillimi i mëtejshëm i këtij bashkëpunimi në të ardhmen. Zonja MacMillan dhe zoti Fullani e vlerësuan bashkëpunimin si një përfitim të ndërsjellë, me vlera jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për gjithë rajonin e Evropës Juglindore. Njëkohësisht ata shprehën mirënjohje për përpjekjet e dy institucioneve në fushën e analizës dhe kërkimit shkencor mbi temat e ekonomisë politike të Shqipërisë dhe të rajonit. Profesoresha MacMillan, falënderoi Guvernatorin Fullani për kontributin e dhënë në lidhje me forcimin dhe zgjerimin e këtij projekti të Universitetit të Oksfordit në rajonin e Evropës Juglindore.

Inaugurimi i librit “Growth in Albania and South East Europe: The Way Ahead” nga Guvernatori Fullani, u ndoq në datën 8 mars nga një konferencë shkencore, e cila trajtoi gjerësisht nga këndvështrimi ekonomik, politik e diplomatik problemet dhe konkluzionet e trajtuara në libër. Çështjet e zhvillimit dhe bashkëpunimit ekonomik, e të integrimit evropian të ekonomive të Evropës Juglindore u diskutuan në seanca të veçanta nga profesorët e shkencave ekonomike e politike  të Universitetit të Oksfordit, Universitetit “College London”, Universitetit të Beogradit, përfaqësues të Këshillit të Evropës për marrëdhëniet ndërkombëtare, bankat qendrore dhe institucionet financiare të rajonit.