BANKA E SHQIPËRISË

KONFERENCË PËR SHTYP
Pyetje-përgjigjet e konferencës për shtyp të Guvernatorit, 27.03.2013

Data e publikimit: 01.04.2013

 

Pyetje- Z. Guvernator, kam disa pyetje lidhur me krizën e fundit në Qipro. Së pari, a gjykoni se kriza qipriote mund të ketë goditje të drejtpërdrejtë apo të tërthortë në stabilitetin e sistemit financiar të rajonit të Ballkanit Perëndimor? Së dyti, a është kriza qipriote një shenjë që tregon se gjërat në Eurozonë akoma nuk kanë gjetur stabilitetin e duhur? Kemi përsëritje të njëpasnjëshme të goditjeve, fillimisht në Greqi, pastaj në Spanjë, Itali, e tani në Qipro. A shikoni rreziqe të tjera për sistemin financiar evropian?

Përgjigje- Një shprehje anonime thotë se është e vështirë të parashikosh, sidomos kur parashikon të ardhmen. Pyetja është mjaft komplekse dhe përgjigjja kërkon më shumë kohë sesa ajo që unë kam në dispozicion. Do të doja të saktësoja se kriza në ditët tona nuk është më një krizë siç pretendohej më përpara, me mundësinë e përhapjes së saj në disa vende të tjera. Tashmë trojka ka lokalizuar dhe ka marrë të gjitha masat që kriza të jetë e lokalizuar, pra qipriote, si për sa i përket përgjegjësisë ashtu edhe zgjidhjes së saj. Do të vihen në balancë përgjegjësitë e vendit dhe shkëputja e saj nga ambienti tjetër makroekonomik e financiar. Hapja e bankave dje në Greqi, sepse siç dihet kanë qenë të mbyllura për disa ditë, tregoi se nuk kishte influencë të kësaj krize, natyrisht pritet hapja e bankave në Qipro për të gjykuar më mirë lidhur me të. Pra, është lokalizuar problemi në bankat qipriote. Më e rëndësishme është që sistemi bankar shqiptar nuk ka ekspozim direkt apo indirekt me to. Në këtë mënyrë, ne garantojmë qëndrueshmërinë e sistemit bankar shqiptar nga kjo krizë e bankave qipriote dhe sidomos e disa bankave në veçanti.