BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në Komisionin për Ekonominë dhe Financat për Prezantimin e Raportit Vjetor të Bankës së Shqipërisë për vitin 2012, 09.04.2013

Data e publikimit: 09.04.2013

 

I nderuar zoti Kryetar i Komisionit,

Të nderuar zonja dhe zotërinj deputetë,


Dëshiroj ta filloj këtë takim duke ju shprehur vlerësimin maksimal për mundësinë e dhënë që, në emër të Bankës së Shqipërisë, t’ju bëj një pasqyrë të punës dhe rezultateve të bankës qendrore gjatë vitit të shkuar. Gjithashtu, ky takim shërben për të ndarë me ju opinionet tona mbi zhvillimet më të fundit ekonomike e monetare, si dhe për të parashtruar disa nga sfidat të cilat sipas Bankës së Shqipërisë meritojnë vëmendje në të ardhmen.

Që në fillim, dëshiroj të theksoj se Banka e Shqipërisë ka arritur të përmbushë detyrat e saj ligjore, gjatë vitit 2012. Çmimet e konsumit kanë qenë të qëndrueshme, sikurse shprehet nga një nivel mesatar inflacioni prej 2% gjatë vitit. Po kështu, shëndeti i sistemit financiar, në nivel makro e mikroekonomik, është përmirësuar.

copy of dsc 1088 5737 0

Këto dy objektiva madhorë të Bankës së Shqipërisë janë arritur pavarësisht ambientit të pafavorshëm të brendshëm e të jashtëm, si dhe  goditjeve që ka pësuar ekonomia shqiptare gjatë kësaj periudhe. Përmbushja e tyre ka reflektuar në një masë të madhe politikën e kujdesshme monetare të Bankës së Shqipërisë, si dhe masat rregullatore dhe politikën tonë mbikëqyrëse të sistemit bankar. Ato janë favorizuar nga përmirësimi i vazhdueshëm i infrastrukturës së pagesave financiare, nga operacionet e kujdesshme dhe eficiente të administrimit të likuiditetit dhe nga komunikimi transparent me publikun. E gjithë puna jonë është mbështetur nga përmirësime cilësore në fushën e edukimit financiar të publikut, nga studimi analitik i një morie fenomenesh dhe çështjesh me interes për zhvillimin e vendit, si dhe nga prodhimi i statistikave financiare në përputhje me standardet ndërkombëtare. Së fundi, dëshiroj të theksoj se Banka e Shqipërisë ka qenë një aktor serioz dhe i rëndësishëm në projektin e integrimit të vendit, nëpërmjet plotësimit dhe përditësimit të të gjitha detyrave të saj ligjore dhe angazhimeve institucionale.

***

Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Në vijim të fjalës time do të bëj një trajtim më të detajuar të çështjeve kryesore të Raportit Vjetor, duke u fokusuar në drejtimet kryesore të punës së Bankës së Shqipërisë gjatë vitit të shkuar. Fjalimin  po e filloj me punën dhe rezultatet tona në përmbushjen e objektivit kryesor: arritjen dhe ruajtjen e stabilitetit të çmimeve.
1. Zhvillimet ekonomike, stabiliteti i çmimeve dhe politika monetare gjatë vitit 2012

Sikurse e thashë në hyrje të fjalës , viti 2012 ishte një tjetër vit i vështirë për ekonominë shqiptare. Dobësitë e partnerëve tanë tregtarë e financiarë janë manifestuar në një kërkesë të ulët për eksportet shqiptare, në kushte të shtrënguara financimi për kapitalin e huaj dhe në pasiguri të shtuara tek agjentët ekonomikë. Po ashtu, ekonomia shqiptare vijon të përballet me një kërkesë të dobët të brendshme, si në sektorin publik dhe në atë privat.

Përtej këtyre faktorëve, aktiviteti ekonomik në vend u përball edhe me dy goditje specifike gjatë vitit të shkuar. Kështu, moti i keq i tremujorit të parë u reflektua në një aktivitet të ngadaltë të sektorit të ndërtimit dhe të eksportit në këtë periudhë. Ndërkohë, goditja tjetër, e cila pati më tepër rëndësi dhe ndikim, ka qenë reagimi i sistemit bankar ndaj masave të reja dhe më të shtrënguara rregullatore të EBA-s (Autoritetit Evropian të Mbikëqyrjes). Efekti direkt i kësaj goditjeje në tregjet financiare dhe veçanërisht në atë të letrave me vlerë të qeverisë, përafrohet rreth nivelit 2% të PBB-së. Megjithatë, ndikimi indirekt i tyre ishte edhe më i madh. Ashtu si dhe në vendet e tjera të Europës Qendrore e Lindore, bankat që origjinojnë nga vendet e Eurozonës adoptuan  sjelljeje më konservatore, e cila u manifestua në  ngadalësim të mëtejshëm të kreditimit përgjatë vitit.

Në reflektim të tyre, ekonomia shqiptare u ngadalësua më tej gjatë vitit të shkuar, duke lënë kapacitete të pashfrytëzuara në tregjet e punës e të kapitalit.

Ky zhvillim u shoqërua me rritje të ulët të pagave e të kostove të prodhimit dhe u reflektua më tej në rritje të ulët të çmimeve të konsumit. Në të njëjtën kohë, gjatë vitit të kaluar, goditjet e ofertës kanë qenë të pakta dhe me intensitet të ulët, pritjet inflacioniste kanë mbetur të ankoruara dhe situata e likuiditetit ka qenë e favorshme për kontrollin e inflacionit. Kjo balancë faktorësh është materializuar në norma të ulëta të inflacionit vjetor dhe rritja vjetore e çmimeve të konsumit shënoi vlerën 2.4% në fund të vitit 2012.

Presionet e ulëta inflacioniste dhe mungesa e stimulit fiskal krijuan hapësira për lehtësimin e mëtejshëm të politikës monetare gjatë vitit 2012. Banka e Shqipërisë kreu tre ulje të normës bazë të interesit, duke e zbritur atë nga niveli 4.75% në nivelin 4.0%. Lehtësimi i kushteve monetare ka synuar stimulimin e kërkesës së brendshme dhe krijimin e kushteve më të mira për respektimin e objektivit të inflacionit në afat të mesëm.

Gjithashtu, Banka e Shqipërisë rriti në mënyrë të ndjeshme injektimet e likuiditetit në sistemin bankar, për të qetësuar agjentët financiarë, për të kontrolluar tendencat rritëse të normave të interesit dhe për të garantuar zhvillimin normal të aktivitetit në tregje. Në përgjithësi, përpjekjet tona rezultuan efektive në administrimin e problemeve të likuiditetit, por ekonomia shqiptare u përball me kushte më të shtrënguara financimi, si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat. Kjo tendencë reflekton në një masë të madhe dëshirën e ulët për rrezik në tregjet dhe agjentët financiarë. Trajtimi i saj ka qenë dhe do të mbetet sfida jonë kryesore gjatë vitit të ardhshëm.

Duke iu rikthyer zhvillimit të ekonomisë, të dhënat zyrtare tregojnë se rritja ekonomike në vitin 2012 mbeti në nivele pozitive, por ajo u ngadalësua në krahasim me ritmet e shënuara një vit më parë. Sipas të dhënave të INSTAT-it, prodhimi i brendshëm bruto u rrit me 1.6% gjatë vitit 2012, i mbështetur nga rritja e aktivitetit në sektorin e shërbimeve dhe në atë të bujqësisë.

Ndërkohë, aktiviteti i sektorit të industrisë ishte stanjant gjatë kësaj periudhe ndërsa sektori i ndërtimit shënoi tkurrje, duke reflektuar dobësinë e kërkesës së brendshme dhe probleme specifike të tyre. Ndonëse në një masë më të ulët, edhe gjatë vitit 2012, rritja e aktivitetit ekonomik u mbështet kryesisht nga kërkesa e huaj dhe rritja e eksporteve. Nga ana tjetër dhe edhe pse në prani të një politike monetare stimuluese, kërkesa e brendshme është shfaqur e dobët. Kjo dobësi reflekton uljen e gatishmërisë së konsumatorit dhe biznesit për konsum e investime, si dhe hapësirat e pakta për rritjen e shpenzimeve publike. Në vija të përgjithshme, Banka e Shqipërisë gjykon se këta faktorë përcaktues të rritjes ekonomike do të vijojnë të jenë të pranishëm edhe gjatë tremujorëve të ardhshëm. Ecuria e tregut të punës është ndikuar nga shkalla e ulët e shfrytëzimit të kapaciteteve ekzistuese. Rritja e punësimit në ekonomi ka ardhur duke u ngadalësuar, ndonëse norma e papunësisë ka mbetur në nivelin 13.3% prej më shumë se një viti.

Tendenca rritëse e eksporteve dhe ngadalësimi i importeve kanë sjellë një reduktim me 13.8% të deficitit të llogarisë korente.

Ndonëse flukset hyrëse në llogarinë kapitale dhe financiare një rënie vjetore prej 11.3%, bilanci i përgjithshëm i pagesave rezultoi pozitiv dhe rezerva valutore e Bankës së Shqipërisë shënoi rritje gjatë vitit të shkuar. Në nivelet e saj aktuale, kjo rezervë është në përputhje me kriteret tona operacionale të mjaftueshmërisë dhe ajo është e aftë të përballojë 4.5 muaj importe mallrash e shërbimesh. Përmirësimi i deficitit strukturor të llogarisë korente duhet të jetë një nga objektivat e politikave tona afatgjata; ai ndihmon në ruajtjen e qëndrueshmërisë financiare të vendit dhe në rritjen e rezistencës ndaj goditjeve të huaja.

Politika fiskale ka shfaqur një natyrë përgjithësisht konsoliduese gjatë vitit 2012. Deficiti buxhetor shënoi një rënie vjetore prej 1.2%, duke u vlerësuar në 3.4% të PBB-së ose 0.3 pikë përqindje më i ulët se një vit më parë. Ngushtimi i deficitit buxhetor u arrit kryesisht nëpërmjet reduktimit të shpenzimeve publike, të cilat ishin rreth 0.3% më të ulëta se një vit më parë. Paralelisht me to, edhe të ardhurat publike shënuan një rënie vjetore prej rreth 0.2%, duke reflektuar gjendjen ciklike të ekonomisë.

Nga ana tjetër, borxhi publik kaloi nivelin 60% të PBB-së, në reflektim të një rritje më të lartë se parashikimi të deficitit buxhetor si dhe të rritjes së garancive publike. Qëndrimi i Bankës së Shqipërisë për këtë problem ka qenë gjithnjë transparent: ruajtja e borxhit publik në nivele të përballueshme dhe të padëmshme për ekonominë shqiptare, si dhe ruajta e besimit të tregjeve financiare ndaj borxhit publik shqiptar, duhet të mbetet objektivi parësor i politikës fiskale.

Treguesit monetarë kanë ecur në linjë me ato të ekonomisë reale, duke shfaqur ngadalësim gjatë vitit 2012. Kërkesa e ulët e bizneseve dhe individëve për kredi bankare, si dhe kushtet ende të shtrënguara të kreditimit, janë pasqyruar në një ecuri të dobët të kredisë për ekonominë. Rritja vjetore e saj zbriti në 2.4% në fund të vitit. Ecuria e dobët e kredisë ka qenë e pranishme në të gjitha segmentet e saj sipas qëllimit të përdorimit. Ndërkohë, përbërja valutore e kredisë vazhdon të evidentojë zhvendosjen e saj, nga monedhat e huaja në atë vendase. Një zhvillim i spikatur financiar i vitit të shkuar është zhvendosja e kursimeve të familjeve, nga depozita bankare në tituj të borxhit publik.

Kjo tendencë solli një rritje të financimit të deficitit buxhetor nga individët dhe ulje të këtij financimi nga sistemi bankar.

Situata e likuiditetit në tregun financiar dhe ecuria e primeve të rrezikut kushtëzuan përcjelljen e politikës monetare lehtësuese në tregjet financiare. Uljet e normës bazë u reflektuan menjëherë në tregun ndërbankar dhe në atë të depozitave ne lekë, por përcjellja e tyre në tregjet e letrave me vlerë të qeverisë dhe të kredisë në lekë ka qenë më e pakët, kryesisht si pasojë e zhvillimeve që përmenda më sipër. Megjithatë, kostoja e ndërmjetësimit në monedhë vendase shënoi rënie gjatë vitit 2012 dhe rritja e ndërmjetësimit në lekë krijoi premisat për një transmetim më të mirë të sinjaleve të politikës monetare në ekonomi gjatë vitit në vazhdim. Së fundi, tregu valutor dhe kursi i këmbimit kanë qenë përgjithësisht të qetë, si pasojë e një kërkese dhe oferte të balancuar për valutë.

Në aspektin operacional, Banka e Shqipërisë përmirësoi infrastrukturën e rolit të saj si huadhënës i radhës së fundit për bankat tregtare.

Fryt i kësaj pune ishte rishikimi dhe miratimi i rregullores “Për kredinë për mbështetje me likuiditet”, e cila ofron një kuadër më të përshtatshëm për mbështetjen e bankave në kushtet e vështirësive të përkohshme të likuiditetit. Gjithashtu, Banka e Shqipërisë rishikoi rregulloren e saj për rezervat e detyruara të bankave, duke rritur fleksibilitetin e tyre në mënyrën e mbajtjes së saj dhe duke krijuar më shumë mundësi për rritjen e ekspozimit të sektorit bankar ndaj ekonomisë shqiptare.

***

Një tjetër aspekt i rëndësishëm i detyrave të bankës qendrore është edhe mbikëqyrja e rregullimi i sistemit bankar, çka përbën edhe një kontribut të qenësishëm në forcimin e stabilitetit financiar. Në vijim, do të ndalem në disa tregues kryesorë të performancës dhe rreziqeve të sistemit bankar dhe në zhvillimet më të rëndësishme në fushën e  mbikëqyrjes, licencimit dhe në kuadrin ligjor e rregullator.

2. Mbikëqyrja bankare dhe stabiliteti financiar

Aktivet e sistemit bankar shënuan 87.9% të PBB-së në fund të vitit 2012, me një rritje prej 3.1% kundrejt një viti më parë. Rezultati financiar është përmirësuar dhe është reflektuar në përmirësimin e treguesve të kthimit ndaj aktiveve mesatare (RoAA) dhe të kthimit ndaj kapitalit mesatar (RoEA). Në fund të vitit 2012, treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit për sistemin bankar qëndron në nivelin 16.2%, duke shënuar rritje kundrejt një vitit më parë. Si në nivel sistemi, ashtu edhe për të gjitha bankat individuale, ky tregues mbetet mbi normën minimale të kërkuar prej 12%.

Aktiviteti mbikëqyrës ka synuar të vlerësojë e të kontrollojë rreziqet me të cilat përballet sistemi në aktivitetin e tij. Kujdes i veçantë i është kushtuar mbikëqyrjes së cilësisë së portofolit të kredisë dhe rreziqeve të sistemit nga aktiviteti i kredisë, si dhe efekteve të tyre aktuale apo potenciale në shkallën e kapitalizmit të sistemit. Ekspozimi i sistemit bankar ndaj rrezikut të kredisë është rritur gjatë vitit 2012.

Raporti i kredive me probleme ndaj totalit të kredisë rezultoi 22.5% në fund të këtij viti, nga 18.8% që qëndronte në fund të një viti më parë. Megjithatë, pjesa e kredive me probleme të mbuluara me kolateral është më e madhe se vitin e kaluar, duke përbërë rreth 81% të portofolit të kredive me probleme. Gjithashtu, sistemi bankar ka rritur me 31% fondet rezervë për përballimin e humbjeve të mundshme nga rreziku i kredisë.

Treguesit e likuiditetit janë përmirësuar në vitin 2012. Raporti i aktiveve likuide ndaj detyrimeve afatshkurtra rezultoi 36.7%, duke qenë mbi nivelin minimal si për lekun ashtu edhe për monedhat e huaja. Depozitat përbëjnë burimin kryesor të financimit të aktivitetit bankar dhe linjat e kredisë nga bankat mëma kanë shënuar rënie të dukshme në krahasim me fundin e një viti më parë. Ulja e varësisë së financimit të bankave në Shqipëri nga bankat mëma përbën një zhvillim pozitiv në drejtim të rritjes së qëndrueshmërisë së sistemit bankar vendas nga goditjet e huaja.


Sistemi bankar paraqitet i mbrojtur nga rreziqet e tregut. Kështu, vlerësimet tona tregojnë se sistemi bankar është pak i ekspozuar ndaj rrezikut të luhatjeve të normave të interesit. Po ashtu, ky sistem është pak i ekspozuar ndaj efekteve direkte të luhatjeve të kursit të këmbimit dhe pozicioni i tij i hapur valutor është dukshëm poshtë limiteve tona. Por, sistemi bankar vijon të jetë i ekspozuar ndaj rrezikut indirekt të kursit të këmbimit si rrjedhojë e kredive në valutë dhënë kredimarrësve që nuk kanë të ardhura në monedhë të huaj.

Kontrolli i rrezikut operacional është përmirësuar gjatë vitit 2012, nëpërmjet përmirësimit të kuadrit të procedurave. Sistemi bankar zotëron infrastrukturën teknologjike të nevojshme për përmbushjen e kërkesave rregullative, duke siguruar zhvillimin e aktiviteteve edhe në kushte ekstreme. Transparenca dhe publikimi i informacionit vijojnë të mbeten në qendër të vëmendjes së Bankës së Shqipërisë, si shtylla të rëndësishme në funksion të mbrojtjes së klientit dhe forcimit të disiplinës e konkurrencës së tregut.

Me qëllim rritjen e transparencës dhe konkurrencës midis bankave në treg, Banka e Shqipërisë në korrik të vitit 2012, filloi publikim në faqen e saj zyrtare të internetit të normave të interesit dhe komisioneve të produkteve të ofruara nga bankat. Pavarësisht përmirësimeve, mbetemi të ndërgjegjshëm se ka ende hapësira për përmirësim, në drejtim të normës referencë të interesit të përdorur në kontratat e kredisë dhe në drejtim të informacionit të publikuar në faqet e internetit të bankave.

Pjesë e rëndësishme e proceseve rregullative e mbikëqyrëse gjatë vitit 2012 ka qenë edhe adresimi i parandalimit të pastrimit të parasë dhe financimit të terrorizmit. Përveç përmirësimit të bazës rregullative në kuadër të përshtatjes me ligjin e ri dhe me standardet e BE-së, është forcuar bashkëpunimi me Drejtorinë e Parandalimit të Pastrimit të Parasë dhe procesi mbikëqyrës i institucioneve financiare. Nga analizat dhe inspektimet në vend, ka rezultuar se subjektet kanë marrë masa të përshtatshme parandaluese dhe kanë krijuar infrastrukturën e përshtatshme për identifikimin dhe raportimin e rasteve të dyshimta.

Viti 2012 ka shënuar zhvillime të rëndësishme në fushën e licencimit të aktivitetit financiar. Kështu, dy degë të bankave të huaja u shndërruan në filiale të tyre, duke ulur rrezikun e ekspozimit të tyre ndaj rreziqeve të bankave mëma dhe duke rritur pavarësinë e tyre dhe nivelin e kontrollit të ushtruar mbi to nga Banka e Shqipërisë. Një ndryshim i rëndësishëm gjatë këtij viti ishte edhe transferimi në masën 100% i aksioneve të Bankës Emporiki nga Emporiki Bank of Greece tek IUB Holding Francë, duke ndihmuar në zhvillimin afatgjatë dhe të qëndrueshëm të industrisë bankare. Së fundi, gjatë vitit 2012 është rritur numri i institucioneve jo-banka, si dhe gama e produkteve dhe shërbimeve financiare të ofruara në treg nga i gjithë sistemi financiar.

Gjatë vitit 2012 u ndërmorën ndryshime të rëndësishme në kuadrin ligjor e rregullator të sistemit bankar. Banka e Shqipërisë dhe ASD, duke marrë shkas nga ndryshimet rregullative që ka ndërmarrë Bashkimi Evropian, përgatitën ndryshimet përkatëse në ligjin "Për sigurimin e depozitave”.

Në përputhje me direktivat e BE, u zgjerua baza e kontribuuesve në skemën e sigurimit, duke përfshirë dhe shoqëritë e kursim-kreditit si dhe u qartësuan dhe thjeshtuan formulat për llogaritjen e kompensimit. Ndryshimet u miratuan nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë në 26 korrik 2012. Miratimi i rregullores së re “Për krijimin, licencimin dhe funksionimin e bankës urë”, përmirësoi ndjeshëm kuadrin rregullativ në drejtim të administrimit të bankave në rast falimentimi. Ndryshime dhe përmirësime të tjera rregullative të rëndësishme janë ndërmarrë në drejtim të drejtimit të bankave, të administrimit të rrezikut dhe strukturave përkatëse, të vendimmarrjes në procesin mbikëqyrës, si dhe të ushtrimit të veprimtarisë së sigurimit dhe të ri-sigurimit.

***

Krahas drejtimeve kryesore të punës së Bankës së Shqipërisë të përshkruara më lart, në vijim do të doja të ndalesha edhe në disa aktivitete të tjera të punës sonë. Këto aktivitete, përveçse përmbushin detyrimet tona ligjore, i shërbejnë njëkohësisht zhvillimit të sistemit financiar dhe të ekonomisë së tregut në Shqipëri.

3. Aktivitete të tjera të Bankës së Shqipërisë

Emisioni i monedhës

Banka e Shqipërisë ka të drejtën ekskluzive të emetimit dhe të qarkullimit të monedhës kombëtare, si dhe mbikëqyr dhe siguron cilësinë e monedhës dhe të kartëmonedhës. Një nga investimet më të mëdha të Bankës së Shqipërisë për garantimin e integritetit të monedhës sonë është ndërtimi i ndërtesës së re të Emisionit të Parasë, e cila u vu në përdorim në vitin 2012. Në këtë ndërtesë realizohet cikli i mbyllur dhe i automatizuar i kontrollit, i përpunimit, i ambalazhimit dhe i asgjësimit të kartëmonedhave dhe së shpejti do të mundësohet ekspertimi profesional i kartëmonedhave dhe monedhave të dyshuara si të falsifikuara, duke përmbushur një nga detyrimet e shtetit shqiptar në kuadër të MSA-së.

Administrimi i rezervës valutore

Funksion tjetër kushtetues i Bankës së Shqipërisë, është ruajtja dhe administrimi i rezervës valutore të vendit në shërbim të ruajtjes së qëndrueshmërisë financiare të ekonomisë.

Rezerva valutore bruto është rritur me rreth 65 milionë euro gjatë vitit 2012, duke regjistruar në fund të muajit dhjetor vlerën 1,972 milionë euro.

Nxitja e sistemit të pagesave

Në përmbushje të përgjegjësisë së saj ligjore, Banka e Shqipërisë nxit funksionimin normal të sistemit  të pagesave me qëllim mbështetjen e zbatimit të politikës monetare dhe ruajtjen e stabilitetit financiar. Gjatë vitit 2012, transaksionet ndërbankare në Lek janë kleruar dhe shlyer në kohë, me efikasitet dhe siguri, sipas rregullave dhe procedurave të dy sistemeve (AECH dhe AIPS). Gjithashtu, janë rishikuar dhe janë hartuar një sërë rregulloresh dhe manualesh të cilat konsistojnë në fuqizimin e mbikëqyrjes dhe zhvillimin e mëtejshëm të sistemit shqiptar të pagesave.

Përmirësimi i statistikave

Viti 2012 ka shënuar përmirësimin e sistemit të statistikave pasi publikimi i informacionit statistikor lidhur me bilancin e pagesave është përgjegjësi ligjore e Bankës së Shqipërisë.

Gjatë këtij viti u hartua një model për përmirësimin e statistikave të bilancit të pagesave dhe të pozicionit të investimeve ndërkombëtare, i cili synon përafrimin e sistemit statistikor kombëtar me standardet e BQE-së dhe SEBQ-së. Gjithashtu, u realizuan me sukses objektivat e projektit IPA-2009, “Programi rajonal i bashkëpunimit statistikor për vendet e Ballkanit” nga koordinatorët e të cilit Banka e Shqipërisë mori komente mjaft pozitive.

Të tjera (puna kërkimore, burimet njerëzore, komunikimi e transparenca, proceset integruese)

Përveç realizimit të detyrave të sanksionuara me ligj, Banka e Shqipërisë është e angazhuar në realizimin e objektivave të tjera që ndihmojnë përmbushjen e rolit që ka një bankë qendrore moderne në ekonominë e vendit. Gjatë vitit 2012, puna kërkimore dhe aktivitetet akademike të Bankës së Shqipërisë në arenën ndërkombëtare u intensifikuan më tej. Vlen të përmenden mbajtja e Konferencës së 10-të Ndërkombëtare “Politika monetare në Shqipëri: nga e shkuara tek e ardhmja”, e cila ishte një ndër aktivitetet  e organizuara nga Banka në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shtetit.

Gjithashtu, nëpërmjet Institutit të Studimeve Ekonomike  dhe Bankare të Bankës së Shqipërisë, kemi nxitur interesin e gjerë të kërkuesve shqiptarë dhe të huaj, si dhe kemi organizuar dy workshop-e rajonale.

Banka e Shqipërisë prej vitesh ka vënë në qendër të strategjisë së zhvillimit institucional përmirësimin e urave të komunikimit me publikun dhe rritjen e transparencës. Gjatë vitit 2012 ka vijuar plotësimi i informacionit të publikuar dhe diversifikimi i tij sipas segmenteve të dëgjuesve. Ky vit është karakterizuar nga thellimi i kontakteve me mediat dhe rritja e përpjekjeve në fushën e edukimit financiar, me qëllim rritjen e kulturës financiare dhe përçimin sa më të qartë të mesazheve të Bankës së Shqipërisë.

Banka e Shqipërisë ka qenë pjesëmarrëse aktive në përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga MSA, nga Marrëveshja e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore, e të tjera angazhime kombëtare. Vlerësimet e autoriteteve ndërkombëtare lidhur me progresin e Bankës së Shqipërisë kanë qenë pozitive. Për çështjet që lidhen me veprimtarinë e institucionit kanë dhënë vlerësime maksimale: Komisioni Evropian, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore.

***

Të nderuar zonja dhe zotërinj anëtarë,

Në mbyllje të fjalës sime, më lejoni të evidentoj edhe disa probleme të cilat kanë kushtëzuar dhe do të vazhdojnë të kushtëzojnë funksionimin e ekonomisë dhe të tregjeve financiare shqiptare. Ne gjykojmë se këto probleme kërkojnë vëmendje parësore dhe rrugëzgjidhje të kujdesshme.

  Së pari, integrimi i ekonomisë shqiptare me tregjet dhe sistemet financiare evropiane nënkupton që goditjet dhe luhatjet e partnerëve tanë tregtarë e financiarë përcillen shpejt në ekonominë shqiptare. Ecuria afatmesme dhe afatgjatë e ekonomisë shqiptare është e lidhur me atë të partnerëve tanë tregtarë. Baticat dhe zbaticat në tregjet botërore ngrenë dhe ulin aktivitetin ekonomik në vend. Në tërësinë e tij, integrimi mbetet një proces dobiprurës për ekonominë shqiptare, por ai paraqet edhe sfida.

Për këtë arsye, dua të theksoj se ekonomia shqiptare dhe sistemi financiar duhet të bëhen më të kujdesshëm ndaj zhvillimeve në tregjet botërore. Reformat tona strukturore duhet të synojnë rritjen e rezistencës sonë ndaj luhatjeve të tyre, ndërsa politikat tona ekonomike duhet të orientohen me kujdes ndaj trendeve afatgjata botërore.

 Së dyti, çështja e stabilitetit financiar të vendit duhet kuptuar si detyrë e të gjithëve dhe jo si çështje e një apo disa institucioneve. Stabiliteti financiar i vendit është një e mirë publike, e cila i shërben zhvillimit afatgjatë të vendit. Zhvillimet e fundit botërore kanë provuar se sistemi financiar është një mozaik tejet i integruar; stabiliteti i tij ka shumë dimensione dhe ai përcaktohet nga bashkëveprimi i shumë segmenteve e aktorëve. Në këtë drejtim, e gjej me vend të përsëris thirrjen time të vazhdueshme për gjetjen e një konsensusi politik, i cili do të mundësojë vendosjen e një rregulli fiskal, në interes të ruajtjes së qëndrueshmërisë afatgjatë të financave publike dhe të besimit të investitorëve në ekonominë shqiptare.

  Së treti, një aspekt tjetër, i cili mbetet problematik në kontekstin e qëndrueshmërisë afatgjatë të vendit është edhe reforma e sistemit të sigurimeve shoqërore e shëndetësore. Deficitet e krijuara prej tyre janë në rritje dhe ato mund të cenojnë shumë parametra fiskalë e financiarë në të ardhmen. Kjo reformë duhet ti hapë rrugë zhvillimit të segmenteve relativisht të prapambetura të sistemit financiar, atyre të fondeve private të pensioneve dhe të sigurimeve. Ky do të ishte një kontribut real në zgjerimin dhe thellimin e tregut financiar të vendit.

  Së katërti, duke qëndruar ende në çështjen e stabilitetit financiar do të doja të sillja në vëmendjen tuaj ndryshimet në Kodin e Procedurës Civile që lidhen me lehtësimin e ekzekutimit të kolateraleve. Në vijim të paketës së prezantuar para pak kohësh nga Banka e Shqipërisë dhe të letrës që i kam nisur para disa ditësh partive kryesore të Kuvendit, do të apeloja edhe njëherë për miratimin e shpejtë të tyre.

Bëhet fjalë për një grup propozimesh, të cilat si nga ana jonë ashtu edhe nga ana e ekspertëve ndërkombëtare vlerësohen të domosdoshme për stabilitetin  e sistemit bankar, për garantimin e depozitave të popullatës si dhe për  gjallërimin e  kreditimit të ekonomisë.

 Së fundi, çështja e zhvillimit afatgjatë të vendit dhe e politikave e strategjive të mbështetjes së tij, meriton një vëmendje më të madhe. Banka e Shqipërisë mbetet e bindur në perspektivat afatgjata të zhvillimit të vendit. Këto perspektiva favorizohen nga burimet natyrore dhe nga kostoja e ulët e fuqisë punëtore, por, mbi të gjitha, ato duhet të mbështeten në mundësitë dhe aftësitë tona për t’u integruar në zinxhirin e vlerës së shtuar të ekonomive evropiane. Rruga që kemi përpara do të jetë e gjatë dhe e mundimshme. Në afat të shkurtër e të mesëm, ajo do të kërkojë vullnet dhe zgjuarsi në kryerjen e reformave si dhe në rritjen e vëmendjes ndaj çështjeve të shëndetit makroekonomik e financiar të vendit.

Në afat të gjatë, struktura e ekonomisë shqiptare duhet të përafrohet më shumë me ato të vendeve evropiane; rritja ekonomike duhet të mbështetet me shumë në produktivitetin e faktorëve të prodhimit, dhe bizneset shqiptare duhet të tregohen më të vëmendshëm në gjetjen dhe eksplorimin e tregjeve të reja.

Duke qenë e vëmendshme dhe e ndërgjegjshme për sfidat që kemi përpara, Banka e Shqipërisë ka filluar të analizojë mjete dhe teknika të reja në përmbushjen e misionit të saj. Duke evidentuar ngadalësimin ekonomik si rrezikun kryesor me të cilin përballen ekonomia dhe sistemi financiar shqiptar, si dhe duke vlerësuar rolin që ka kredia bankare në aktivitetin ekonomik, Banka e Shqipërisë miratoi në muajin mars, 2013 një paketë masash makroprudenciale të orientuara drejt nxitjes së kredisë dhe uljes së rrezikut në sistemin bankar. Shkurtimisht, këto masa konsistojnë në lehtësimin e kërkesave për kapital për rritjen e kredisë, në lehtësimin e kërkesave për likuiditet, në uljen e provigjionimit për kredinë e ristrukturuar, si dhe në rritjen e kërkesave për kapital për aktivet jashtë vendit mbi normat e kërkuara nga Banka e Shqipërisë.

Këto masa të përkohshme janë një tjetër shenjë e vullnetit tonë për respektimin e misionit dhe të detyrave tona ligjore.

***

Në mbyllje të fjalës , dëshiroj të theksoj se Raporti Vjetor dhe Pasqyrat Financiare të aktivitetit të Bankës së Shqipërisë për vitin 2012 janë paraqitur pranë jush. Mbetem i hapur për pyetje dhe sqarime.

Ju faleminderit për vëmendjen.