BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit Sejko në Ceremoninë e Inaugurimit të Ndërtesës së Rikonstruktuar dhe Muzeut të Bankës së Shqipërisë

Data e publikimit: 30.10.2015

 

I nderuar z. Kryeministër,

Të nderuar zotërinj ministra,

Të nderuar shkëlqesi ambasadorë,

Të nderuar miq dhe kolegë,

Mirë se keni ardhur!


Ndjehem veçanërisht i privilegjuar t’ju uroj mirëseardhjen në ceremoninë e përurimit të ndërtesës së Bankës së Shqipërisë dhe të Muzeut të saj. Prania juaj në këtë holl nxjerr në pah vlerësimin e madh mbi rolin dhe rëndësinë e veçantë të këtij institucioni në ruajtjen e ekuilibrave makroekonomikë dhe të stabilitetit financiar të vendit.

Godina që inaugurojmë sot, përbën padyshim një nga arritjet më të spikatura arkitektonike në Shqipëri. Siç mund ta shikoni edhe vetë sot kemi një godinë të standardeve bashkëkohore, e cila njëkohësisht ruan të paprekur elementet kryesore të rrymës së cilës i përket: racionalizmit. Volumet e mëdha, simetria dhe linjat e forta në fasada janë në harmoni me godinën moderne që i është bashkangjitur tashmë asaj tradicionale. Puna plot pasion e arkitektit Morpurgo, e finalizuar në vitin 1938, është pasuruar më tej nga projekti interesant i profesor Petreschit, zbatimi i të cilit ka sjellë godinën që shohim sot.

Në aspektet strukturore, mekanike, teknike, ndërtesa është përditësuar me teknologjitë më të fundit të fushave përkatëse, duke garantuar plotësisht zbatimin e standardeve bashkëkohore në lidhje me kushtet e punës së personelit.

Nga pikëpamja funksionale, ajo mundëson kryerjen e aktiviteteve të natyrës parësore, përfaqësuese dhe ndihmëse. Ajo është e pajisur me salla mbledhjesh, sallë konference, si dhe me ambiente të tjera të natyrës sociale dhe edukative.

Përfitoj nga rasti të falënderoj Profesor Petreschin për idenë dhe realizimin e kësaj bashkëjetese të natyrshme mes godinës së re dhe asaj të vjetër.

Përurimi i ndërtesës ishte rasti më i mirë për të përuruar edhe një tjetër jubile modest të punës tonë në këto vite. Ashtu siç është traditë kudo në botë, më në fund edhe Banka e Shqipërisë do të ketë muzeun e saj, të cilin zyrtarisht po e çelim sonte. Në thelb të muzeut qëndron paraja, në të gjitha dimensionet e saj. Aty janë pasqyruar jo vetëm transaksionet fizike dhe roli i saj në periudha të ndryshme të zhvillimit ekonomik të vendit, por edhe forma se si ky aset i çmuar ka evoluar fizikisht, nga forma e çuditshme që ajo kishte në lashtësi, tek sofistikimi i saj përgjatë shekujve, deri në formën e sotme të dukshme dhe atë të padukshme përmes transaksioneve dixhitale.

Megjithatë, ky nuk është vetëm një muze monedhe, prandaj dhe ne e kemi quajtur Muzeu i Bankës së Shqipërisë. Banka e Shqipërisë është banka qendrore e vendit dhe ajo ka një mision të rëndësishëm për të përmbushur. Besoj se çdo grup-moshë apo grup interesi do të gjejë në të, fakte dhe informacion interesant në lidhje me të shkuarën dhe të tashmen e monedhës shqiptare. Për më tepër, në mënyrë të stilizuar do të gjeni edhe informacione të tjera interesante që lidhen me sistemin bankar, me funksionet e Bankës së Shqipërisë, me instrumentet që ajo përdor dhe sigurisht edhe me të ardhmen evropiane të vendit, përfshirë dhe integrimin monetar të tij. 
Të nderuar pjesëmarrës,

Inaugurimi i ndërtesës dhe muzeut përkon me një situatë sfiduese për ekonominë e brendshme dhe atë të jashtme. Banka e Shqipërisë, duke qenë plotësisht e përgjegjshme për misionin e saj, do të vazhdojë të jetë një zë i besueshëm në analizën dhe vendimmarrjen e rëndësishme ekonomiko-financiare të vendit. Për ne mbetet shumë i rëndësishëm stabiliteti ekonomik dhe financiar i vendit. Siç u trajtuan gjerësisht edhe në Konferencën e sotme, objektivat tona afatshkurtra dhe afatgjata janë të orientuara drejt gjallërimit të aktivitetit ekonomik të vendit, stabilitetit të çmimeve dhe shëndetit financiar të sistemit bankar.


Krijimi i premisave bashkëkohore të punës dhe të mendimit shkencor përbëjnë një ndihmë më shumë në përmbushjen me sukses të misionit kushtetues të Bankës së Shqipërisë.

Përpara se ta mbyll këtë fjalë të shkurtër mirëseardhjeje, e shoh të arsyeshme të bëj disa falënderime:

  • Dëshiroj ta nis me Bankën Qendrore Evropiane dhe Bankën e Italisë për ndihmesën që kanë dhënë në faza të caktuara të konsultimit dhe përzgjedhjes së projektit fitues.
  • Përfitoj nga rasti të falenderoj të gjithë bashkëpunëtorët e jashtëm si dhe institucionet publike të fushës, të cilat me ndihmesën e tyre mundësuan përfundimin në kohë dhe me cilësi të muzeut.
  • Mirënjohje  të veçantë do t’i drejtoj të gjithë punonjësve të Bankës së Shqipërisë që punuan me përkushtim dhe dhanë kontributin e tyre për realizimin e këtyre projekteve.
    Jam i bindur që kjo godinë do të jetë një burim motivimi dhe prosperiteti si për ne, ashtu dhe për brezat që do të vijnë.


Ju falenderoj për pjesëmarrjen tuaj.