BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi veprimtaritë e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, gjatë zhvillimit të mbledhjeve të Pranverës të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore

Data e publikimit: 26.04.2013

 

Në datat, 19-21 prill 2013, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani mori pjesë në mbledhjet e Pranverës të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të Grupit të Bankës Botërore (BB), në Uashington  DC, SHBA.

Këto mbledhje të përvitshme shërbejnë si një forum ku pjesëmarrësit diskutojnë mbi zhvillimet më të fundit në ekonominë botërore, si dhe shkëmbejnë opinione mbi politikat dhe masat e duhura për trajtimin e problemeve.

copy of usa spring 2013 274 5764 0

Në këtë kuadër, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani zhvilloi disa takime të rëndësishme ku ndër to veçojmë ato me: zj. Nemat Shafik, Zëvendësdrejtore e Përgjithshme e Fondit Monetar Ndërkombëtar; z. Philippe Le Houerou, Zëvendëspresident i Bankës Botërore për Rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore; z. Andrea Montanino, Drejtor Ekzekutiv për Shqipërinë në FMN; z. Piero Cipollone, Drejtor Ekzekutiv për Shqipërinë në Bankën Botërore; z. Reza Moghadam, Drejtor i Departamentit Evropian në FMN; zj. Ellen Goldstein, Drejtore Vendore dhe Koordinatorja Rajonale për Evropën Juglindore në BB; si dhe z. Charles Enoch, Zëvendësdrejtor i Departamentit Monetar dhe i Tregjeve Kapitale në FMN. Gjatë këtyre takimeve, u diskutuan zhvillimet më të fundit në ekonomitë botërore, me fokus të veçantë në ekonomitë e Eurozonës dhe në partnerët tanë kryesorë. Nga ana e tij,  Guvernatori bëri një ekspoze të situatës ekonomike në vend ku një pjesë të veçantë ju kushtua sektorit bankar dhe paketës së masave makroprodunciale të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë kohët e fundit për të nxitur rritjen e kredisë për ekonominë. Gjatë takimeve u arrit në përfundimin  se stabiliteti ekonomik e financiar i vendit janë një bazë e mirë për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë dhe ai duhet të ruhet e të forcohet më tej. Gjithashtu, u  theksua  se nxitja e rritjes ekonomike mbetet sfida kryesore në afat të shkurtër e të mesëm.

Përveç takimeve të rregullta me personalitet e mësipërme, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, zoti Ardian Fullani, zhvilloi dhe një sërë takimesh të tjera. Zoti Fullani zhvilloi një takim të rëndësishëm me z. Jingdong Hua, Zëvendëspresident i Thesarit në Korporatën Ndërkombëtare (International Finance Coorporation - IFC), ku u diskutua mbi thellimin e mëtejshëm të tregut financiar në Shqipëri dhe rolin e IFC në këtë drejtim. Së shpejti, Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me IFC do të organizojnë një forum të përbashkët, me qëllim identifikimin e drejtimeve kryesore ku duhet të fokusohemi bashkarisht me IFC për thellimin dhe zgjerimin e tregut financiar në Shqipëri.

Gjithashtu, Guvernatori Fullani, në vijim të kontakteve të institucionalizuara tashmë mes Bankës  Shqipërisë dhe Bankës Qendrore të Republikës së Kinës, zhvilloi një takim me Guvernatorin e kësaj të fundit, zotin Zhou Xiaochuan. Në qendër të bisedimeve ishin gjetja e rrugëve më efektive, për një akses të mundshëm të Shqipërisë në tregun e instrumenteve financiarë të denominuara në juan kinez. Kjo iniciativë pritet të pasohet shumë shpejt me hapa konkretë midis të dy insitucioneve në muajt në vijim.

Një takim i veçantë u zhvillua ndërmjet Guvernatorit Fullani dhe z. Andrew Spindler, President i Korpusit Vullnetar për Shërbime Financiare (Financial Services Volunteers Corps - FSVC), ku një pikë e veçantë e diskutimeve ishte rritja më tej e asistencën teknike nga ana e këtij institucioni. FSVC mbledh rreth vetes ekspertë të njohur të botës akademike dhe financiare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët kanë dhënë dhe do të vazhdojnë të ndihmojnë reformat strukturore në sistemin financiar në Shqipëri me fokus të veçantë në reformat e sistemit bankar.

Guvernatori Fullani zhvilloi një takim dhe me z. Phil Bennet, Zëvendëspresident  i Parë i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD). Gjatë këtij takimi u diskutua mbi projektet e përbashkëta të zhvillimit që autoritetet shqiptare kanë me EBRD, si dhe mbi mundësinë e rritjes së pranisë dhe të mbështetjes së EBRD në sistemin financiar shqiptar.

Gjatë qëndrimit në Uashington u zhvillua dhe mbledhja e  Komitetit Drejtues të Nismës së Vjenës II, ku ishin të pranishëm të gjithë anëtarët e këtij komiteti. Ndër të tjera, Guvernatori Fullani bëri një pasqyrë përmbledhëse të rezultateve të Forumit Financiar Shqiptar, të mbajtur në fillim të muajit prill 2013 në Tiranë. Gjithashtu, si anëtar i Komitetit Drejtues të Nismës së Vjenës II, Guvernatori Fullani informoi anëtarët se ka kontaktuar drejtuesit e bankave qendrore të vendeve të rajonit, për t’i njohur ata me  çështjet prioritare që janë diskutuar në këtë komitet si dhe për të vjelur opinionin dhe idetë e tyre në lidhje me rolin e Nismës së Vjenës II për të ardhmen. Në rendin e diskutimeve të komitetit, anëtarët diskutuan  rreth nismës më të fundit mbi krijimin e unionit bankar europian, si dhe kërkesën e Bankës së Shqipërisë për të qenë e informuar në vazhdimësi me nismat dhe rregulloret evropiane që lidhen me mbikëqyrjen bankare.