BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi pjesëmarrjen e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani në Forumin e 14-të të Evropës Qendrore dhe Lindore

Data e publikimit: 24.01.2009

 

Në datat 20 – 21 janar 2009, Euromoney organizoi Forumin e 14-të të Evropës Qendrore dhe Lindore, në Vjenë, Austri. Ky forum i përvitshëm mbledh në një tryezë të përbashkët diskutimi figura të njohura të fushës politike, ekonomike dhe financiare të Evropës Qendrore dhe Lindore, të cilët këtë vit kanë diskutuar mbi stabilitetin financiar, përballimin e krizës financiare botërore dhe efektet e saj në ekonomitë e vendeve të rajonit si dhe sfidat e të ardhmes.

Forumi ishte konceptuar në formën e paneleve me tema specifike, ku një rëndësi të veçantë kishte edhe paneli i guvernatorëve të bankave qendrore të vendeve joanëtare të Bashkimit Evropian. Në këtë panel merrnin pjesë Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, Guvernatori i Bankës së Serbisë, z. Radovan Jelašic, Guvernatori i Bankës Qendrore të Bosnje-Hercegovinës, z. Kemal Kozaric dhe Presidenti i Bankës Qendrore të Malit të Zi, z. Ljubiša Krgovic.

fullani në forumin e 14 te evropes lindore dhe qendrore

Foto nga paneli i Guvernatorëve të bankave qendrore të vendeve joanëtare të Bashkimit Evropian

Diskutimet e këtij paneli u përqendruan mbi sfidat e bankierëve qendrorë në fazën e tranzicionit drejt një ekonomie funksionale tregu, zgjidhjen e problemeve në zhvillimin e sektorit financiar dhe rritjen e kreditimit, harmonizimin të politikës monetare me politikën fiskale etj..

Një rëndësi të veçantë kishte edhe organizimi i tryezës së diskutimit mbi Shqipërinë, e cila u kryesua nga Guvernatori Fullani, me një audiencë të përbërë nga përfaqësues të ndryshëm të vendeve të këtij rajoni. Në këtë panel, Guvernatori bëri një ekspoze të përgjithshme të gjendjes së ekonomisë shqiptare dhe të ecurisë së saj. Në këtë tryezë ishte i pranishëm edhe Zëvendësministri i Financave, z. Sherefedin Shehu.

Në përfundim Guvernatori dhe Zëvendësministri i janë përgjigjur interesit të të pranishmëve mbi ekonominë shqiptare dhe ardhmërinë e saj.