BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit midis Bankës së Shqipërisë dhe Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës

Data e publikimit: 12.06.2012

 

Në datën 11.06.2012, Banka e Shqipërisë nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës. Marrëveshja u nënshkrua nga z. Ardian Fullani, Guvernator i Bankës së Shqipërisë dhe z. Gani Gërguri, Guvernator i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës. 

Qëllimi i nënshkrimit të marrëveshjes është zhvillimi i mëtejshëm i marrëdhënieve të ndërsjella ndërmjet dy institucioneve për zhvillimin profesional të punonjësve të tyre, nëpërmjet shkëmbimit të përvojave të punës, dhe marrjen e njohurive të rëndësishme për realizimin e projekteve që synojnë zhvillimin e institucioneve.

foto kosove 4918 0

Ky bashkëpunim do të realizohet nëpërmjet organizimit të vizitave studimore reciproke për punonjësit, organizimit të seminareve, si dhe diskutimeve në tryeza të rrumbullakëta e prezantimeve të dokumenteve shkencorë.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, të dy titullarët ndanë të njëjtin mendim duke e konsideruar këtë një hap të rëndësishëm në kuadër të krijimit të një sistemi bankar dhe financiar të zhvilluar dhe të qëndrueshëm.

Gjatë qëndrimit në Kosovë, Guvernatori Fullani zhvilloi një konferencë të përbashkët me Guvernatorin Gërguri, me temë: “Sistemi bankar dhe zhvillimi ekonomik”. Fjalën e Guvernatorit Fullani e gjeni në adresën www.bankofalbania.org