BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Pyetje - përgjigjet e konferencës për shtyp të datës 1 shkurt 2017

Data e publikimit: 01.02.2017

 

Pyetje: Z. Guvernator, dje qeveria lançoi nismën "1 miliardë euro investime" me Partneritet Publik Privat. A ju duket se qeveria me këtë nismë do të përdorë kursimet e qytetarëve në banka dhe a është e rrezikuar pjesa tjetër e biznesit, d.m.th. a është i rrezikuar kreditimi i biznesit që nuk do të jetë pjesë e këtij projekti?

Guvernatori: Natyrisht që kursimet e popullatës nuk do të cenoheshin. Kursimet janë në formën e depozitave në bankat e nivelit të dytë, të destinuara për tu investuar nga këto banka, pasi dhe ato vetë janë qendra biznesi. Kreditimi bazohet mbi likuiditetin që bankat kanë nga kursimet, por ne nuk shikojmë këtu ndonjë problem për përdorimin e tyre në një drejtim të caktuar.

E rëndësishme për të theksuar është që kreditimi do të vazhdojë të rritet nëpërmjet projekteve të suksesshme dhe të shëndetshme, projekteve të mëdha. Kemi vënë re që rritja e kreditimit në monedhën vendase ka ardhur si pasojë e transmetimit të politikës tonë monetare lehtësuese dhe e politikave të bankave për diversifikimin e rrezikut të kredisë në disa segmente të caktuara, kryesisht për individët dhe për bizneset e vogla dhe të mesme. Natyrisht që mungesa e projekteve si pasojë e faktorëve të brendshëm dhe të jashtëm, të krizës në eurozonë dhe në rajon, ka ndikuar kreditimin.

Ne gjykojmë që ky projekt i qeverisë do të jetë i bazuar në projekte madhore dhe këto projekte do të tërheqin edhe investimet nga ana e bankave të nivelit të dytë dhe institucioneve financiare. Pra, ato përbëjnë një potencial jo vetëm për zhvillimin ekonomik, por njëkohësisht edhe një potencial investimi nga ana e bankave. Sigurisht që këto projekte do të studiohen për fizibilitetin e tyre në bazë të kritereve të rrezikut që do të kenë vetë bankat. Në përgjithësi, ky është një sinjal pozitiv i cili tregon për perspektivën e mëtejshme të zhvillimit dhe kreditimit nëpërmjet prezantimit të projekteve kundrejt bankave të nivelit të dytë.

Pyetje: Cilat janë efektet e prekshme në ekonomi të politikës monetare lehtësuese që ka ndërmarrë deri më tani Banka e Shqipërisë?

Guvernatori: Ne jemi shumë të kënaqur që vendimmarrja e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë në raport me politikën monetare është transmetuar në tregjet financiare. Vetë rritja e kredisë në monedhën vendase prej 10.4 % tregon për një transmetim të kësaj politike.

Synimi ynë i politikës monetare lehtësuese nëpërmjet uljes së normës bazë të interesit është stimulimi i investimeve, konsumit dhe kreditimit. Ne kemi një rritje të kreditimit në monedhën vendase në raport me atë në monedhë të huaj. Njëkohësisht, rritja ekonomike ka ardhur si pasojë e rritjes së konsumit të brendshëm dhe e zhvillimit në sektorin e turizmit. Pra, në këto terma, ne mund të themi që deri tani është provuar që transmetimi i politikës monetare dhe efektet e saj në sistemin financiar dhe më gjerë janë pozitive. Mbetet për tu parë në vijim, por parashikimet tona janë ato që theksova gjatë fjalës time. Parashikojmë që inflacioni të arrijë në objektivin tonë prej 3% në vitin 2018, ndërsa kthimi i ekonomisë në ekuilibër parashikohet të ndodhë gjatë këtij viti.

Pyetje: Sapo përmendët që niveli i kredive të këqija ka rënë në vlerën 18.2%, është një rënie thelbësore, por mendoj se do të ishte me interes të dinim pasi kemi pasur edhe rënie të mëparshme, por që i janë atribuar fshirjes së kredive të këqija nga bilancet e bankave. Jemi në të njëjtën situatë apo kemi dhe faktorë të tjerë që ndikojnë në këtë rënie?

Guvernatori: Rënia është kombinim i disa faktorëve:

  • Së pari, si pasojë e rritjes së portofolit të kredisë, në total në nivelin e 3.4% në fund të muajit nëntor, pasi nuk i kemi shifrat përfundimtare të vitit 2016;
  • Së dyti si pasojë e ristrukturimeve të disa kredive nga ana e bankave të kryera më herët, pasi efektet e ristrukturimit pasqyrohen në bilancet financiare të bankave me një periudhë prej gjashtë muaj vonesë;
  • Së treti, si pasojë e fshirjes së kredive të humbura në periudhën përkatëse.

Kombinimi i këtyre tre faktorëve ka sjellë rënien e nivelit të kredive me probleme në shifrën prej 18.2%. Kjo është një rënie e konsiderueshme krahasuar me raportet e mëparshme. Ne arritëm ta ulnim normën e kredive me probleme nga niveli 25% që ishte dy vjet më parë, më pas në nivelin e 21% dhe tashmë kemi raportin prej 18.2% që është një raport pozitiv, në trendin rënës. Natyrisht kjo është një sfidë shumë e vështirë, kemi parë luhatje në raportin e kredive me probleme. Në fund të vitit të kaluar, kemi pasur një rënie të përafërt në këtë nivel dhe më pas, përsëri u rrit me 2 pikë përqindjeje, në nivelin 21%.

Banka e Shqipërisë, në koordinim me qeverinë shqiptare dhe me aktorët e tjerë ka përgatitur dhe ndjekur një plan masash, i cili do të vazhdojë të zbatohet edhe gjatë vitit 2017. Elementet që përmenda më lart janë pika të këtij plani. Ne do të përpiqemi në bashkëpunim me bankat të bëjmë një ndarje të qartë të atyre klientëve të cilët kanë mundësi ristrukturimi. Ne do të koordinojmë punën me bankat, për të qenë më proaktive në ristrukturimin e portofoleve të kredive dhe në mbështetjen e bizneseve, të cilët kanë vështirësi, por paraqesin projeksione pozitive për të ardhmen, si dhe për të pasur eficencë në proceset e ekzekutimit të kredive, të cilat nuk kanë të ardhme. Pra, menaxhimi i këtyre portofoleve me qartësi dhe me një vendimmarrje të përshpejtuar nga ana e bankave, me koordinimin tonë si autoritet rregullator, do të bëjë që plani i masave për reduktimin e kredive me probleme të jetë më eficient gjatë vitit 2017. Jemi duke punuar dhe do të shikojmë rezultatet gjatë vitit.