BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi seminarin trajnues për mësuesit e shkollave të mesme të kryeqytetit, organizuar nga Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Drejtorinë Arsimore të Tiranës, në kuadrin e programit "Banka Qendrore në Jetën e Përditshme"

Data e publikimit: 01.11.2007

 

Në kuadër të programit "Banka Qendrore në Jetën e Përditshme", i cili i kushtohet çështjeve të edukimit të brezit të ri, kryesisht nxënësve të shkollave të mesme, në datat 30-31 tetor, Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me Drejtorinë Arsimore të Tiranës, organizoi në mjediset e hotel "Mondial", një seminar trajnues për mësuesit e shkollave të mesme të kryeqytetit. Seminari u ndoq prej rreth 40 mësuesve të lëndës së ekonomisë së zbatuar. Në projektet e saj të edukimit të publikut, Banka Qendrore ka planifikuar tashmë që seminare të tilla të mbahen katër herë në vit.

guvernatori ne takimin 3

Gjatë dy ditëve të seminarit, mësuesit e shkollave të mesme publike dhe jopublike të kryeqytetit, morën pjesë në leksione dhe diskutime mbi funksionet e Bankës e Shqipërisë, mbi rolin e saj në ekonominë e vendit, si edhe mbi çështjet kyçe të bankingut qendror. Temat e përzgjedhura për seminarin e parë, ishin: "Banka Qendrore dhe objektivat e saj", "Shtyllat institucionale të Bankës së Shqipërisë: Pavarësi-Përgjegjshmëri-Transparencë", "Inflacioni: çfarë duhet të dimë rreth tij. Roli i Bankës së Shqipërisë në ruajtjen e stabilitetit të çmimeve", "Banka Qendrore dhe inflacioni i shënjestruar ".

Përmes trajtimit të temave kaq të rëndësishme jo vetëm për bankingun qendror, por edhe për ekonominë e vendit në përgjithësi, Banka e Shqipërisë po çon më tej objektivat e punës së saj për vendosjen e marrëdhënieve sa më ndërvepruese të edukimit me mësuesit e shkollave të mesme, pasi ajo vlerëson se janë pikërisht ata që më shumë se kushdo mund ta sjellin sa më pranë aktivitetin dhe mendësinë e Bankës sidomos tek të rinjtë, tek nxënësit e tyre, por edhe tek të afërmit, miqtë dhe kolegët e tyre.

Në këtë ndërmarrje të saj, Banka e Shqipërisë po ecën nën shembullin e më të mirëve, të bankave qendrore të shteteve te zhvilluara, si Banka e Anglisë, Banka Qendrore Evropiane etj., aktiviteti i të cilave, përditë e më shumë po i përkushtohet edhe çështjeve të edukimit dhe transparencës ndaj publikut të gjerë. Në morinë e detyrave dhe të punës së saj, Banka e Shqipërisë ka vënë kështu në qendër të vëmendjes edhe objektivin e edukimit të publikut, duke synuar të vendosë ura komunikimi me të gjitha grupet e interesit në vend, për të siguruar një mjedis të përshtatshëm të zhvillimit të veprimtarisë së saj.

Programi edukues "Banka Qendrore në Jetën e Përditshme" synon të pasurojë dhe përmirësojë traditën e re të edukimit dhe të transparencës ndaj publikut të gjerë. Krahas seminareve trajnuese për mësuesit e shkollave të mesme, në këtë program përfshihen edhe aktivitete të tjera, si shpërndarja e broshurave dhe publikimeve të Bankës së Shqipërisë në të gjitha shkollat e mesme të kryeqytetit, prezantime dhe bashkëbisedime mes nxënësve dhe specialistëve të Bankës, si dhe organizimi i konkursit "Vlera e vërtetë e parasë" për shkollat e mesme të kryeqytetit. Konkurse të këtij karakteri, të zhvilluara prej bankave qendrore më të suksesshme në fushën e edukimit dhe transparencës, u ofrojnë nxënësve një mundësi të mirë për të marrë njohuri të qëndrueshme mbi aktivitetin dhe rolin e Bankës Qendrore në fushën e ekonomisë në përgjithësi, si edhe në atë të politikës monetare, në veçanti. Por krahas kësaj, këto konkurse i pasurojnë të rinjtë me përvoja të reja të punës në grup, u japin atyre mundësinë e komunikimit të drejtpërdrejtë me specialistë e drejtues të Bankës së Shqipërisë, si dhe u krijojnë hapësirat e nevojshme për të shfaqur aftësitë e tyre analitike përpara një publiku të gjerë, dhe pse jo edhe për t'u argëtuar mes bashkëmoshatarësh nëpërmjet formave të edukimit.

2007 11 01 seminar mesuesit