BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, mbi vendimmarrjen e politikës monetare të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, 25 prill 2012

Data e publikimit: 25.04.2012

 

Në mbledhjen e datës 25 prill 2012, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin Tremujor të Politikës Monetare. Pasi u njoh me zhvillimet më të fundit ekonomike e monetare në vend, si dhe në vijim të diskutimeve mbi ecurinë e pritur të tyre në të ardhmen, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 4.25%. Ky vendim reflekton balancën e presioneve inflacioniste si dhe nevojën për ruajtjen e stimulit makroekonomik në ekonomi, në kushtet e një politike fiskale më të kujdesshme gjatë vitit në vazhdim.

(Më lejoni në vijim të bëj një pasqyrë të zhvillimeve ekonomike e të çështjeve kryesore të diskutuara në mbledhjen e sotme.)

Gjatë tremujorit të parë të vitit 2012, ekonomia shqiptare ka vijuar të ruajë parametrat e stabilitetit makroekonomik edhe në kontekstin e vazhdimit të krizës globale.

Tregjet financiare ndërkombëtare janë karakterizuar nga prime të larta rreziku dhe megjithë masat e marra në drejtim të zgjidhjes së krizës së borxhit publik në Eurozonë, mungojnë sinjalet për një vijueshmëri normale në afatin e shkurtër. Këto zhvillime, ashtu siç pritej, kanë dhënë një ndikim frenues për ekonominë tonë, i cili është  shprehur kryesisht prej  vazhdimësisë së rritjes ekonomike nën potencial.

Inflacioni vjetor u ngadalësua ndjeshëm në tremujorin e parë të vitit. Në terma mesatarë ai rezultoi 1.1% në këtë periudhë, duke rënë me 1.4 pikë përqindjeje kundrejt vlerës së shënuar në tremujorin paraardhës.

Reduktimi i shpejtë i normave vjetore të inflacionit, i nisur që në tremujorin e tretë të vitit të kaluar, është shkaktuar kryesisht nga frenimi i rritjes së çmimeve të mallrave ushqimorë në këtë periudhë si dhe qëndrueshmëria e çmimeve të mallrave të tjerë të shportës së konsumit.

Ecuria e inflacionit ka reflektuar veprimin e njëkohshëm të faktorëve të ofertës dhe kërkesës. Nga kahu i ofertës, ngadalësimi i çmimeve të mallrave kryesorë në tregjet botërore dhe i inflacionit në vendet partnere, kombinuar me një ecuri të qëndrueshme të kursit të këmbimit, kanë përcjellë vlera të reduktuara të inflacionit të importuar në ekonominë tonë. Njëkohësisht, kontributi i çmimeve të administruara ka qenë më i ulët.

Pritjet inflacioniste kanë qenë të ankoruara. Gjithashtu, presionet nga ana e kostove të prodhimit kanë qenë të përmbajtura.

Nga kahu i kërkesës, presionet mbeten të ulëta, të kushtëzuara nga vijimësia e hendekut negativ të prodhimit.

Reduktimi i vlerave faktike të inflacionit, zhvendosja e balancës së presioneve inflacioniste në kahun rënës dhe rritja e kërkesës agregate nën potencial, në kushtet e një politike fiskale të kontrolluar, krijuan hapësira për rritjen e mëtejshme të stimulit monetar në ekonomi gjatë tremujorit të parë të vitit. Banka e Shqipërisë uli dy herë normën bazë të interesit, duke e zbritur atë në nivelin më të ulët historik, prej 4.25%. Një vendim i tillë, përveç se është në linjë me ruajtjen e stabilitetit të çmimeve në periudhën afat mesme, njëkohësisht ofron kushte të përshtatshme monetare për nxitjen e kërkesës së brendshme private.

Sipas të dhënave më të fundit të INSTAT-it, ekonomia shqiptare përshpejtoi normën e rritjes në tremujorin e katërt të vitit të kaluar, duke shënuar një rritje vjetore prej 3.8%. Rritja e aktivitetit ekonomik është mbështetur kryesisht nga rritja e prodhimit në sektorin e shërbimeve. Vlera e shtuar e këtij sektori u rrit me 7.5% në terma vjetorë, me një kontribut të lartë të dhënë nga dega e tregtisë, transportit dhe shërbimet e tjera. Sektori i ndërtimit dhe ai i bujqësisë gjithashtu shënuan rritje vjetore pozitive  por të ulëta, prej përkatësisht 1.2% dhe 1.9%. Kontribut pozitiv në rritjen ekonomike kanë dhënë edhe dega e industrisë nxjerrëse dhe ajo e industrisë përpunuese por ato nuk kanë arritur të balancojnë tkurrjen e ndjeshme të aktivitetit në degën e “Energjisë elektrike, të ujit dhe të gazit”, çka ka rezultuar në një kontribut negativ të sektorit të industrisë në rritjen e prodhimit të brendshëm.

Nga këndvështrimi i komponentëve të kërkesës agregate, rritja e aktivitetit ekonomik në vend edhe gjatë tremujorit të fundit të vitit të kaluar, ka vijuar të nxitet nga kërkesa e huaj. Pavarësisht zhvillimeve jo të favorshme në ekonominë botërore, eksportet neto në terma realë kanë shfaqur një rritje më të lartë në këtë periudhë. Krahas kërkesës së huaj edhe kërkesa e sektorit publik dha  një kontribut më të lartë në tremujorin e katërt të vitit të kaluar, në formën e shpenzimeve të rritura kapitale. Ndërkohë, konsumi dhe investimet private, ndonëse kanë dhënë sinjale gjallërimi, u vlerësuan të ngadalta edhe gjatë tremujorit të katërt të vitit 2011.

Informacioni statistikor për ekonominë reale për tremujorin e parë të vitit 2012 është i pjesshëm. Nga të dhënat e tërthorta të disponuara,  rezulton se kërkesa agregate ka mbartur norma pozitive të rritjes por rritja e saj mbetet ndjeshëm nën potencialin e ekonomisë shqiptare.

Faktorët makroekonomikë përcaktues të konsumit dhe investimeve private, si dhe politika e kujdesshme fiskale, mbështesin vlerësimin për rritje të përmbajtur të kërkesës së brendshme në tremujorin e parë të vitit. Ndërkohë, në mungesë të të dhënave të plota dhe në terma realë mbi zhvillimet në sektorin e jashtëm të ekonomisë, vlerësimet sugjerojnë se kontributi i kërkesës së huaj në rritjen e aktivitetit ekonomik do të jetë nën nivelin e vitit të kaluar.

Politika fiskale ka patur një natyrë konsoliduese gjatë tremujorit të parë të vitit 2012, në linjë me objektivat e saj për të kontrolluar deficitin buxhetor dhe borxhin publik. Sjellja e përmbajtur fiskale është reflektuar në një rritje minimale të shpenzimeve publike gjatë tremujorit të parë të vitit, me një normë vjetore prej 0.7%. Në të njëjtën kohë, edhe të ardhurat fiskale kanë vijuar të rriten me ritme të ulëta, të cilat gjatë këtij tremujori shënuan 1.2%.

Deficiti buxhetor rezultoi 11.5 miliardë lekë, ose rreth 2.5% më i ulët se në tremujorin e parë të vitit të kaluar.

Zhvillimet në tregtinë e jashtme në dy muajt e parë të vitit tregojnë për një tkurrje të shkëmbimeve tregtare në terma vjetorë. Eksportet në vlerë në këta dy muaj u reduktuan me 20.5% kundrejt të njëjtës periudhë të vitit të mëparshëm, duke reflektuar moderimin e kërkesës së huaj dhe zhvillimet në çmimet në tregjet botërore. Ndërkohë, edhe importet kanë ngadalësuar ndjeshëm ritmin e rritjes së tyre, duke shënuar një rritje vjetore nominale prej 1.8% gjatë kësaj periudhe.

Këto zhvillime janë reflektuar në thellimin e deficitit tregtar në dy muajt e parë të vitit, me një normë vjetore prej 21.9%. Ky deficit përcaktohet më së shumti  nga shkëmbimet tregtare të energjisë elektrike. Duke përjashtuar këtë efekt, importet e mallrave rezultojnë më të ulëta kundrejt një viti më parë, dhe deficiti tregtar rezulton i ulur me rreth 9.2% në terma vjetorë. 

Analiza e treguesve monetarë tregon për ekzistencën e presioneve të kontrolluara me natyrë monetare në ekonomi. Zgjerimi i ofertës monetare vlerësohet në linjë me kërkesën e agjentëve ekonomikë për para reale. Rritja vjetore e agregatit M3 shënoi 9.1% në muajin shkurt, duke mbetur e njëjtë me nivelet e fundit të vitit të kaluar. Zgjerimi i parasë në ekonomi është mbështetur më shumë nga komponenti në valutë të huaj i saj, ndërkohë që kërkesa e brendshme për para është shfaqur më e ngadaltë. Sektori publik ka shfaqur një kërkesë më të ulët për financim, në përputhje edhe me zhvillimet fiskale të tremujorit të parë të vitit.

Ndërkohë, kërkesa e sektorit privat për para është rritur me norma të moderuara, sikurse tregohet nga rritja e ngadaltë e kredisë për sektorin privat me 9.2% në fund të muajit shkurt.

Ngadalësimi i ritmeve të kreditimit ka reflektuar njëkohësisht një kërkesë të ulët të individëve dhe bizneseve për financim bankar dhe rritje të kujdesit të bankave në kredidhënie, të materializuar në kushte të shtrënguara të kreditimit. Pavarësisht kësaj ecurie, faktorët përcaktues të kredidhënies nga ana e ofertës ofrojnë kushte të përshtatshme për rritjen e mëtejshme të kredisë. Sistemi bankar shqiptar mbetet i  mirëkapitalizuar dhe likuid, i aftë të mbështesë kërkesën për financim të sektorit privat të ekonomisë.

Tregjet financiare në tremujorin e parë të vitit 2012 kanë shfaqur ecuri të qetë, në pasqyrim të primeve relativisht të ulëta të rrezikut të likuiditeti dhe të inflacionit. Normat e interesit në tregun ndërbankar kanë ndjekur shpejt uljet e normës bazë që ndodhën gjatë tremujorit në fjalë.

Përçimi i sinjaleve lehtësuese të politikës monetare është vënë re edhe në tregun e depozitave, ndërkohë që në të ardhmen pritet që ato të transmetohen edhe në segmente të tjera të tregut, në përputhje me kohëvonesat e mekanizmit të transmisionit. Në tregun primar, yield-et e letrave me vlerë të qeverisë kanë shfaqur prirje në rritje. Ecuria e tyre ka reflektuar zhvillime në faktorët strukturorë të kërkesës dhe ofertës për to, pa sinjalizuar për prime të shtuara të rrezikut apo të inflacionit.

Zhvillimet e faktuara deri tani ndryshojnë projeksionet bazë për zhvillimet ekonomike në të ardhmen. Viti 2012 pritet të jetë nën ndikimin e zhvillimeve të pafavorshme në ekonominë botërore, të cilat do të kushtëzojnë edhe ekonominë vendase. Kërkesa e huaj pritet të japë një kontribut më të ulët në vitin në vazhdim, e ndikuar nga ngadalësimi ekonomik në vendet partnere.

Ndërkohë, orientimi i politikës fiskale drejt konsolidimit të mëtejshëm të parametrave fiskalë, kufizon hapësirat për një stimul të qenësishëm fiskal në mbështetje të rritjes së aktivitetit ekonomik. Në këto kushte, ecuria e kërkesës së brendshme private mbetet përcaktuese për rritjen e kërkesës agregate në të ardhmen. Në tërësi, analizat sugjerojnë një ecuri më të mirë të konsumit dhe shpenzimeve private, të ndihmuara edhe nga stimuli lehtësues i politikës monetare.

Për vitin në vazhdim, vlerësimet e Bankës së Shqipërisë sugjerojnë se rritja e kërkesës nën potencialin e ekonomisë do të vijojë të ushtrojë presione të dobëta inflacioniste nga kahu i kërkesës. Në të njëjtën kohë, balanca e presioneve inflacioniste të prodhuara nga faktorë të ofertës vlerësohet e përmbajtur, në kushtet e reduktimit të inflacionit të importuar dhe pritjeve të ankoruara inflacioniste.

Duke faktorizuar zhvillimet e deritanishme dhe pritjet për të ardhmen, projeksionet e Bankës së Shqipërisë tregojnë se, me një probabilitet ndodhjeje 90%, inflacioni i çmimeve të konsumit gjatë vitit 2012 do të luhatet në bandën 0.7%–2.8%. Materializimi i këtij skenari bazë do të reflektohet  në ruajtjen e natyrës stimuluese të politikës monetare në vitin në vazhdim. Ndërkohë, Banka e Shqipërisë mbetet e vëmendshme ndaj zhvillimeve të ardhshme dhe e gatshme të përgjigjet në kohën dhe masën e duhur në funksion të përmbushjes së objektivit të saj për inflacionin.

Duke vënë në balancë informacionin e përmbledhur më sipër, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se presionet mbi çmimet e konsumit në vend mbeten të ulta përgjatë horizontit kohor të politikës monetare, por ato janë zhvendosur në kahun rënës gjatë muajve të fundit.

Nga ana e kërkesës, rritja ekonomike nën potencial do të vazhdojë të gjenerojë presione të ulëta inflacioniste, ndërkohë që edhe goditjet e kahut të ofertës pritet të jenë të moderuara.

Në përfundim të diskutimeve, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 4.25%. Ky vendim synon të krijojë kushte të përshtatshme monetare për përmbushjen e objektivit të inflacionit në afat të mesëm. Në këto kushte, vlerësojmë se politika monetare ofron mbështetjen e duhur për stimulimin e kërkesës agregate.