BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi veprimtaritë e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, gjatë zhvillimit të mbledhjeve të Pranverës të Fondit Monetar dhe Bankës Botërore

Data e publikimit: 27.04.2012

 

Në datat 20-22 prill, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z.Ardian Fullani, mori pjesë në mbledhjet e Pranverës të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Grupit të Bankës Botërore, të zhvilluara në Uashington, SHBA.

Këto mbledhje të përvitshme zhvillohen në formën e një forumi të hapur, ku pjesëmarrësit diskutojnë mbi zhvillimet e fundit në ekonominë botërore, si dhe prezantojnë situatën makroekonomike të vendeve përkatëse.

Gjatë zhvillimit të mbledhjeve Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Fullani, zhvilloi takime të ndryshme, ndër të cilat mund të veçojmë ato me: zj. Nemat Shafik, Zëvendësdrejtore e Fondit Monetar Ndërkombëtar; zj. Sri Mulyani Indrawati, Drejtore e Menaxhimit në Bankën Botërore; z. Philippe Le Houerou, Zëvendëspresident i Bankës Botërore për Rajonin e Evropës dhe të Azisë Qendrore; z. Arrigo Sadun, Drejtor Ekzekutiv për Shqipërinë në FMN; z. Pierro Cipollone, Drejtor Ekzekutiv për Shqipërinë në Bankën Botërore; z. Reza Moghadam, Drejtor i Departamentit Evropian në FMN; zj. Jane Armitage, Drejtore për Vendin dhe Koordinatorja Rajonale për Evropën Juglindore në BB; z. Charles Enoch, Zëvendësdrejtor i Departamentit Monetar dhe i Tregjeve Kapitale në FMN; zj. Barbro Wickman-Parak, Zëvendësguvernatore e Bankës së Suedisë, si dhe z. Daniel Hardy, Përgjegjës Sektori në Departamentin Monetar dhe Tregjeve Kapitale në FMN.

Gjatë këtyre takimeve Guvernatori Fullani ka njohur të pranishmit me situatën aktuale makroekonomike në vend, si dhe masat e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë për ruajtjen e stabilitetit të sistemit financiar në vend.

Z. Fullani mori pjesë dhe në takimin e 25-të të Komitetit Ndërkombëtar Monetar dhe Financiar (IMFC) të Bordit të Guvernatorëve të FMN-së, ku ishin të pranishëm drejtuesit më të lartë të bankave qendrore, të FMN-së, ministra financash, si dhe drejtues të institucioneve të tjera të rëndësishme financiare ndërkombëtare. Gjatë këtij takimi, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë pati rastin të takohet me shumë drejtues të lartë të këtyre institucioneve e të shkëmbejë pikëpamje në lidhje me zhvillimet më të fundit ndërkombëtare në Evropë, me fokus të veçantë në rajonin e Evropës Juglindore.