BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi takimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko me gazetarët e ekonomisë

Data e publikimit: 22.10.2015

 

Sot, në datë 22 tetor 2015, në ambientet e Bankës së Shqipërisë, u prezantua në një takim informal ( off the records), Raporti i Stabilitetit Financiar për 6-mujorin e parë të vitit 2015. Në takim ishin të pranishëm gazetarët e rubrikës ekonomike të medias së shkruar dhe asaj vizive. Ky prezantim zhvillohet rregullisht nga Banka e Shqipërisë për të gjithë raportet periodike të publikuara prej saj, si pjesë e politikave të saj të komunikimit me median.

2015 10 22 takim me gazetaret copy 2 7706 0

Raporti i Stabilitetit Financiar është një nga dokumentet e rëndësishme periodike të përgatitura nga Banka e Shqipërisë me qëllim kryesor identifikimin dhe vlerësimin e rreziqeve me të cilat ndeshet sistemi financiar dhe infrastruktura e tij. Raporti i prezantuar sot është numri i katërmbëdhjetë që nga momenti i parë i publikimit dhe ai analizon zhvillimet e ndodhura në gjashtëmujorin e parë të vitit 2015.

Raporti i plotë mund të shfletohet këtu.

Në përfundim të këtij prezantimi, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko zhvilloi një takim me gazetarët pjesëmarrës, ku shprehu vlerësimet e tij për punën e tyre në përcjelljen e kujdesshme dhe të përgjegjshme të lajmeve që lidhen me sistemin bankar. Ai vuri në dukje se falë profesionalizmit të gazetarëve në punën e tyre është rritur ndjeshëm cilësia dhe analiza e lajmit ekonomik, duke shmangur kështu spekulimet e mundshme.

2015 10 22 takim me gazetaret1 7704 0

Gjatë takimit, Guvernatori iu përgjigj interesit të gazetarëve për çështje të aktualitetit ekonomiko-financiar. Ai, ndërmjet të tjerash, theksoi se sistemi bankar në vend është i qëndrueshëm, me situatë kapitali dhe likuiditeti në parametra të kënaqshëm. Siç tregojnë edhe ushtrimet e provës së rezistencës, sistemi bankar është në gjendje të përballojë rreziqet e veprimtarisë. Si institucion, Banka e Shqipërisë mbetet e angazhuar në përmbushjen e misionit të saj në ruajtjen e stabilitetit të sistemit financiar në vend.