BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi takimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, me përfaqësues të OJF-ve. Për prezantimin e broshurës "Ndërtoni të ardhmen - Planifikoni të ardhurat tuaja", Tirane 30 prill 2008

Data e publikimit: 02.05.2008

 

Të mërkurën në datë 30 prill, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë z. Ardian Fullani ftoi në hollin e Bankës së Shqipërisë përfaqësuese të organizatave joqeveritare dhe institucioneve të specializuara në fushën e edukimit dhe çështjeve sociale.

Takimi ndoqi 2 linja kryesore: prezantimi i broshurës "Planifikoni të ardhurat - Ndërtoni të ardhmen tuaj" dhe lançimi i programit të edukimit për punonjësit socialë në fushën e bankës qendrore. Ai u zhvillua si një bashkëbisedim midis z. Fullani dhe të pranishmeve, rreth bashkëpunimit që Banka e Shqipërisë synon të ketë me institucionet që ato përfaqësojnë.

Broshura "Planifikoni të ardhurat - Ndërtoni të ardhmen tuaj" është hartuar me qëllim që të ndihmojë në organizimin financiar të jetës së përditshme të gjithsecilit; në administrimin sa më të mirë të të ardhurave personale; në orientimin drejt mënyrave të duhura për të shtuar kursimet apo për të rritur fitimet.

E ndërtuar mbi 4 kapituj kryesorë, që lidhen përkatësisht me dobishmërinë e mbajtjes së buxhetit personal, përparësitë e përdorimit të llogarive bankare, alternativat për kursim apo për investim të të ardhurave, dhe mundësitë për financim; broshura synon të jetë e dobishme në jetën financiare të secilit; të ndihmojë në krijimin e një kulture ekonomike personale që reflektohet në administrimin e mirë e të mençur të të ardhurave vetjake dhe familjare.

Me një tirazh 10.000 kopje dhe e shpërndarë, sipas një liste të studiuar institucionesh, organizatash, grupesh interesi dhe individësh, broshura shumë shpejt do të ribotohet. Gjatë kësaj periudhe, rreth saj janë zhvilluar biseda me grupe studentësh, mësuesish, nxënësish, përfaqësuesish të medias.

Më pas, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani ndau me të pranishmit opinionin e tij rreth programit të edukimit, të ideuar për punonjësit socialë.

"Banka qendrore në jetën e përditshme", programi i ideuar dhe lançuar nga Banka e Shqipërisë vitin që shkoi, pas aktiviteteve të organizuara me përfaqësuesit e medias, mësuesit e lëndës së ekonomisë në shkollat e mesme, nxënësit e shkollave të mesme e studentët do të shtrihet këtë vit edhe në një grup të përzgjedhur të rinjsh, të sapodiplomuar në degën e punës sociale.

Hapi i parë do të jetë organizimi i një seminar njohës me Bankën e Shqipërisë dhe funksionet e saj dhe trajnues, njëkohësisht. Seminari do të zhvillohet në muajt maj - qershor të këtij viti, në seanca dyditore, për 4 herë.

Banka e Shqipërisë synon që nëpërmjet trajnimit të këtyre punonjësve socialë të arrijë tek një grup sa më i zgjeruar njerëzish ose më mirë tek të gjithë ata, që për arsye të ndryshme, kanë kontakt me punonjësit socialë.

Por pse pikërisht sot dhe jo më parë Banka e Shqipërisë merr iniciativa të tilla në fushën e edukimit financiar?

Për arsyen e thjeshtë se zhvillimi përgjithshëm i ekonomisë e veçanërisht shtimi i shërbimeve bankare e financiare, si dhe rritja e kërkesave të gjithsecilit për një jetesë më të mirë, kanë bërë akoma më të nevojshëm përmirësimin e formimit financiar të publikut. Nga ana tjetër, arritja e mirëqenies së çdonjërit kërkon një planifikim të suksesshëm të të ardhurave dhe të shpenzimeve.

Dikush mund të mendojë se sa u tha më sipër ka të bëjë thjesht me buxhete personale, të cilat po t'i referohesh të ardhurave për frymë nënkuptojnë shuma të vogla. Por, nëse ato mblidhen bëjnë një vlerë të madhe. Në fund të fundit, kjo është kërkesa e brendshme në ekonomi (konsumi dhe investimet e individëve), administrimi efektiv i së cilës është një nga objektivat kryesorë të Bankës së Shqipërisë. Ndërkohë, kursimet e individëve përbëjnë pjesën më të madhe të depozitave të sistemit bankar. Synimi i politikës monetare është administrimi i kërkesës së brendshme ndërsa depozitat lidhen me stabilitetin e sistemit bankar.

Prandaj është kaq i rëndësishëm të kuptuarit e këtyre problemeve dhe po për këtë arsye, Banka e Shqipërisë e gjykon edukimin e përgjithshëm të popullatës, jetik dhe të domosdoshëm.

Të pranishmit në takim bënë pyetje rreth produkteve të ndryshme dhe shërbimeve që bankat ofrojnë në Shqipëri; mundësive që njerëzit kanë për të investuar etj..

Gjithashtu, u këmbyen mendime rreth programit të edukimit për grupin e punonjësve socialë.

Në fund, z. Fullani theksoi, - "Ne në Bankën e Shqipërisë e dimë se krijimi i një kulture të mirëfilltë ekonomiko-financiare është një rrugë e gjatë dhe jo lehtë. Rezultatet e punës në fushën e edukimit nuk janë lehtësisht të matshme. Por, në afat të gjatë, ne jemi të bindur se do të jenë të dukshme dhe të dobishme. ".