BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në konferencën për shtyp mbi vendimmarrjen e politikës monetare të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, 30 nëntor 2011

Data e publikimit: 30.11.2011

 

Sot, në datën 30 nëntor 2011, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë shqyrtoi dhe miratoi Raportin Mujor të Politikës Monetare. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, pasi u njoh me zhvillimet më të fundit ekonomike e financiare në vend si dhe në vijim të diskutimeve mbi ecurinë e pritur të tyre në të ardhmen, vendosi të ulë me 0.25 pikë përqindjeje normën bazë të interesit. Pas këtij vendimi, interesi i marrëveshjeve të riblerjes me afat njëjavor zbret në nivelin 4.75 %. Ulja e normës bazë të interesit ndërmerret në kushtet e presioneve të kontrolluara inflacioniste përgjatë horizontit kohor të politikës monetare si dhe në mbështetje të pritjeve për një politikë fiskale më të përmbajtur gjatë periudhës së ardhshme. Në gjykimin e Këshillit Mbikëqyrës, një vendim i tillë ofron kushtet e përshtatshme monetare për përmbushjen e objektivit afatmesëm të inflacionit. Kjo lëvizje rrit njëkohësisht stimulin monetar dhe nxit aktivitetin ekonomik në vend.

(Më lejoni në vijim të bëj një pasqyrë të zhvillimeve ekonomike e të çështjeve kryesore të diskutuara në mbledhjen e sotme.)

***

Inflacioni vjetor në muajin tetor rezultoi 3.0%, duke shënuar një rritje të lehtë kundrejt vlerës së regjistruar një muaj më parë. Rritja vjetore e çmimeve të konsumit vijon të ndikohet në një masë të madhe nga çmimet e larta të produkteve ushqimore, të naftës dhe të artikujve të tjerë bazë në tregjet botërore. Këto çmime janë pasqyruar në një kontribut të lartë të inflacionit të importuar në inflacionin e brendshëm gjatë gjithë vitit 2011. Megjithatë, rritja e prodhimit bujqësor vendas, ecuria e qëndrueshme e kursit të këmbimit dhe stabilizimi i çmimeve në tregjet botërore, kanë reduktuar efektin e tij gjatë muajve të fundit. Këta faktorë, së bashku me shuarjen e inflacionit të çmimeve të rregulluara, kanë ndikuar në ngadalësimin e vazhdueshëm të inflacionit gjatë muajve të fundit.

Nga aspekti makroekonomik, ecuria e çmimeve të konsumit është ndikuar nga faktorë me kahe veprimi dhe intensitet të ndryshëm. Goditjet e ardhura nga çmimet e larta në tregjet botërore, nga rritja e disa çmimeve të rregulluara gjatë vitit 2010 dhe e disa akcizave gjatë fillimit të këtij viti, u kompensuan në kahun rënës nga ecuria nën potencial e aktivitetit ekonomik dhe nga presionet e dobëta të ardhura nga kahu i kërkesës. Në prani edhe të pritjeve të ankoruara inflacioniste si dhe të presioneve të ulëta me natyrë monetare, ambienti i përgjithshëm makrokonomik ka favorizuar uljen e presioneve inflacioniste gjatë gjysmës së dytë të vitit.

Në mungesë të të dhënave direkte, vlerësimet e Bankës së Shqipërisë për ecurinë ekonomike në vend, të bazuara në tregues të tërthortë sasiorë e cilësorë, sugjerojnë një rritje të moderuar të kërkesës agregate në tremujorin e dytë dhe të tretë, në linjë me atë të regjistruar në tremujorin e parë. Aktiviteti ekonomik ka vijuar të mbështetet kryesisht nga kërkesa e huaj dhe rritja e eksporteve, ndërkohë që ndikimi i sektorit publik ka ardhur në rënie dhe konsumi e investimet private mbeten të dobëta. Në veçanti, kërkesa e sektorit privat vlerësohet të jetë e ngadaltë. Edhe pse në kushtet e ecurisë pozitive të të ardhurave reale, shpenzimet konsumatore vlerësohen të dobëta, të ndikuara nga pasiguria për të ardhmen dhe nga orientimi i rritur i konsumatorit shqiptar drejt kursimit. Nga ana tjetër, edhe nevoja e bizneseve private për ndërmarrjen e investimeve të reja është e ulët, në kushtet e një kërkese të moderuar për mallra dhe shërbime, dhe në prani të shfrytëzimit jo të plotë të kapaciteteve të prodhimit.

Politika fiskale ka patur një karakter stimulues gjatë vitit 2011. Deficiti buxhetor për dhjetë muajt e parë të vitit rezultoi 30.9 miliardë lekë ose rreth 33.0% më i lartë se një vit më parë. Ecuria e deficitit buxhetor është përcaktuar nga rritja e ngadaltë e shpenzimeve dhe të ardhurave buxhetore, me përkatësisht 3.9% dhe 1.4% në terma vjetorë. Natyra stimuluese e politikës fiskale ka ardhur në zbehje pas tremujorit të parë të vitit, sikurse tregohet nga ngadalësimi i rritjes së shpenzimeve publike dhe të deficitit buxhetor. Kjo sjellje fiskale ka ndikuar në mbajtjen nën kontroll të nivelit të borxhit publik. Banka e Shqipërisë e vlerëson këtë të fundit si një nga treguesit më të qenësishëm të stabilitetit makroekonomik të vendit. Në këtë kontekst, ne inkurajojmë autoritetet fiskale në marrjen e masave të duhura për garantimin e qëndrueshmërisë afatgjatë të borxhit publik.

Kërkesa e huaj ka mbështetur rritjen e aktiviteti ekonomik në vend, pavarësisht zhvillimeve shqetësuese në ekonominë botërore dhe veçanërisht në ato vende që janë partnerët tanë tregtarë. Eksportet shqiptare vijojnë të rriten edhe pse jo me ritmet e shpejta të vërejtura në vitin e kaluar. Rritja e tyre në tremujorin e tretë të vitit shënoi vlerën 27.3%, ndërkohë që importet u rritën me 8.6% gjatë së njëjtës periudhë. Deficiti tregtar është rritur me rreth 6.8% gjatë nëntë muajve të parë të vitit. Banka e Shqipërisë është shumë e vëmendshme ndaj ekuilibrave të jashtëm të ekonomisë shqiptare, duke e konsideruar korrektimin e tyre si një nga prioritetet kryesore të politikave makroekonomike të vendit. Ky objektiv merr më tepër rëndësi në kontekstin e zhvillimeve të fundit në tregjet financiare ndërkombëtare. Në terma afatgjatë, përmbushja e tij kërkon vijimin e reformave strukturore, të cilat do të rrisin konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare dhe do të gjenerojnë të ardhura më të larta nga eksporti i mallrave e shërbimeve.

Presionet inflacioniste nga zhvillimet monetare mbeten të kontrolluara në periudhën afatmesme. Ekspansioni monetar ka ruajtur norma vjetore të qëndrueshme rritjeje gjatë vitit, duke shënuar vlerën 10.4% në muajin shtator. Kërkesa e sektorit publik për financim ka ardhur në ulje gjatë muajve të fundit, duke bërë që kontributin më të madh në rritjen e masës monetare ta japë kërkesa e sektorit privat. Kredia për sektorin privat u rrit me 14.0% në muajin shtator, duke shënuar një përshpejtim të lehtë krahasuar me ritmet e gjashtëmujorit të parë të vitit. Megjithatë, sikurse e kemi theksuar në vazhdimësi, ecuria relativisht e ngadaltë e kredisë së sektorit privat pasqyron më së shumti kërkesën e dobët të tij. Sektori bankar paraqitet likuid dhe i mirëkapitalizuar për të kredituar ekonominë shqiptare, por ai ka rritur kujdesin për kredidhënien, duke reflektuar realitetin e ri të ekonomisë shqiptare dhe të tregjeve financiare botërore. Banka e Shqipërisë vlerëson se, brenda parametrave të kujdesit, ka hapësira për një rritje më të shpejtë të kredisë dhe për mbështetjen e projekteve të shëndosha të investimit nga sektori bankar. Nga ana jonë, ne do të vazhdojmë të mbështesim sistemin financiar me likuiditet dhe me stimuj monetarë për rritjen e kreditimit.

Tregjet financiare vijojnë të evidentojnë prime në rënie të likuiditetit dhe të inflacionit. Në tregun ndërbankar normat e interesit kanë shënuar rënie të mëtejshme, duke qëndruar më pranë normës bazë dhe duke shfaqur luhatshmëri të ulët. Kërkesa më e moderuar e qeverisë për financim dhe reduktimi i normave afatshkurtra të interesit në tregun e parasë janë pasqyruar në një rënie të përgjithshme të yield-eve të letrave me vlerë të qeverisë, në tregun primar.

Analizat dhe projeksionet tona për të ardhmen sugjerojnë një rritje të moderuar të aktivitetit ekonomik, gjatë pjesës së mbetur të këtij viti dhe vitit të ardhshëm. Pasiguritë e shtuara në ekonominë botërore mbartin ndikimin e tyre në zhvillimet aktuale dhe të pritura të ekonomisë shqiptare. Në veçanti, situata e partnerëve tanë tregtarë pritet të pasqyrohet në një kërkesë të huaj të dobët për mallra dhe shërbime shqiptare. Gjithashtu, nevoja për të ruajtur parametrat e deficitit buxhetor dhe të borxhit publik pritet të materializohet në një kontribut më të ulët të sektorit publik në kërkesën agregate, gjatë periudhës në vazhdim. Në këto kushte, ecuria e aktivitetit ekonomik në vend do të përcaktohet në një masë të madhe nga masa dhe shpejtësia e rigjallërimit të kërkesës së sektorit privat të ekonomisë- konsumit dhe investimeve private. Pavarësisht rritjes pozitive, kërkesa agregate pritet të mbetet nën nivelin potencial të ekonomisë shqiptare, duke përcaktuar shfrytëzimin jo të plotë të kapaciteteve në ekonomi dhe duke gjeneruar presione të ulta inflacioniste, të cilat e kanë origjinën nga kërkesa. Në materializim të këtyre pritjeve si dhe të parashikimeve për dobësim të mëtejshëm të presioneve inflacioniste nga koniunktura botërore, inflacioni vjetor parashikohet të jetë brenda objektivit të Bankës së Shqipërisë, gjatë periudhës afatmesme.

***

Duke vënë në balancë informacionin e përmbledhur më sipër, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se presionet inflacioniste janë në rënie dhe mbeten të kontrolluara përgjatë horizontit kohor të politikës monetare. Po ashtu, pritjet e agjentëve ekonomikë për inflacionin mbeten të ankoruara rreth objektivit të Bankës së Shqipërisë.

Në përfundim të diskutimeve, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të ulë normën bazë të interesit me 0.25 pikë përqindjeje, duke e çuar atë në nivelin 4.75 %. Ky vendim i shërben përmbushjes së objektivit afatmesëm për inflacionin dhe njëkohësisht ofron kushtet monetare të nevojshme për mbështetjen e aktivitetit ekonomik në vend. Banka e Shqipërisë do të ndjekë me vëmendje të veçantë zhvillimet e ardhshme ekonomike dhe financiare brenda dhe jashtë vendit, dhe mbetet vigjilente në marrjen e masave të duhura për përmbushjen e mandatit të saj.