BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani në pritjen e organizuar me rastin e fundvitit.

Data e publikimit: 21.12.2011

 

I nderuar z. Ministër,

Shkëlqesi Ambasadorë,

Të nderuar zotërinj deputetë,

Të nderuar përfaqësues të medias dhe të sistemit bankar,

Të nderuar pjesëmarrës,

Ju uroj mirëseardhjen dhe ju falenderoj për pjesëmarrjen tuaj.

Mua personalisht por dhe Bankës së Shqipërisë, prania juaj sot na dhuron një kënaqësi të veçantë.

Një falenderim të veçantë do ta drejtoja për ish-anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, të cilët përfunduan mandatin e tyre ligjor të ushtrimit të detyrës. Shpreh vlerësimin tim personal se serioziteti dhe përkushtimi që karakterizoi punën e secilit prej tyre, ishte një kontribut i shquar në zhvillimin e mëtejshëm institucional të Bankës së Shqipërisë.

Duke i falenderuar edhe njëherë për punën profesionale që ata kanë bërë, më lejoni t’ju uroj mirëseardhjen anëtarëve të rinj të sapozgjedhur të Bankës së Shqipërisë, të cilët përfaqësojnë personalitete publike me një karrierë profesionale të padiskutueshme. Aktiviteti i tyre profesional është zhvilluar në fusha të ndryshme dhe kjo përbën një vlerë të shtuar për Bankën e Shqipërisë, pasi sjellin një mbulim më të gjerë të funksioneve të institucionit.

Shpreh besimin se Banka e Shqipërisë në veprimtarinë e saj do të vazhdojë të mishërojë standardet më të mira ndërkombëtare në drejtim të vendimmarrjes, pavarësisë, llogaridhënies, transparencës, e qeverisjes në përgjithësi.

Unë besoj se një ekonomi e shëndetshme që gjeneron rritje të qëndrueshme të aktivitetit ekonomik të vendit kërkon domosodshmërisht një sektor financiar të zhvilluar, në thellësi dhe në gjerësi; kërkon një sistem bankar elastik, i cili nga njëra anë menaxhon me kujdes depozitat e popullatës dhe nga ana tjetër i kanalizon ato me eficiencë në financimin e ekonomisë. Sot, nga kjo ceremoni e thjeshtë, ju siguroj se jemi plotësisht të përgjegjshëm për këtë mision sa të dobishëm aq dhe të vështirë. Banka e Shqipërisë do të jetë gjithmonë e kujdesshme për të siguruar stabilitetin makroekonomik dhe atë financiar vendit.

Në këtë atmosferë fund viti, nuk mund të rri pa përmendur edhe të rinjtë shqiptarë, të cilët janë frymëzim i përbashkët i punës së secilit prej nesh dhe fryt i investimeve tona për një të ardhme më të mirë.

Si çdo vit, Banka e Shqipërisë ka kënaqësinë të shpallë “Çmimin e Guvernatorit për Diplomën më të mirë 2011”. Këtë vit kemi zgjedhur që shpalljen e këtij çmimi ta bëjmë në këtë aktivitet të rëndësishëm midis miqsh e kolegësh. Ai është shprehje e vlerësimit tonë për punën studiuese të kryer nga këta të rinj, studentë të sotshëm dhe kolegë të ardhshëm.

Banka e Shqipërisë i kushton vëmendje të veçantë brezit të ri, veçanërisht edukimit të tij.

Kur kthej kokën prapa dhe shoh sesi e filluam edukimin me publikun pesë vite më parë, me duket një krahasim ndoshta naiv por shumë domethënës për mua; si zbritja e Armstrongut në hënë i cili përveç thënies së tij lapidar "...ky mund të jetë një hap i vogël për njeriun, por është hov i madh për njerëzimin...” dhe më pas vazhdon "...sipërfaqja është pluhur i imët. Unë lëviz ngadalë me hapa sa një pjesëz e inçit, ndoshta 1/8 e inçit, megjithatë arrij të shoh gjurmët e hapave që kam lënë pas...".  Edhe ne, nëse kthejmë kokën prapa shohim gjurmët tona. Pas një pune të shkëlqyer, të bërë në një ambient të panjohur për ne, sot shohim që janë 6900 nxënës të cilët kanë përzgjedhur në kurrikulat e tyre librin “Financat personale në duart tuaja” të botuar nga Banka e Shqipërisë. Në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit po bëhet e mundur që ky libër të jetë në çdo shkollë, për çdo nxënës, me qëllim që të edukohet financiarisht dhe të dijë të menaxhoje vetë financat personale. Vetëm për këtë vit akademik libri zgjedhur nga gjimnaze të 36 rretheve të vendit, gjë që na mbush me optimizëm dhe na bën të shohim përpara.

Ne besojmë se të rinjtë do të jenë protagonistët e jetës ekonomike të së nesërmes. Për këtë qëllim, investimi ynë në formimin e tyre duhet të jetë maksimal, për të siguruar jo vetëm të ardhmen e tyre, por edhe atë të vendit.

Të rinjtë janë të aftë të asimilojnë, përpunojnë dhe përcjellin më mirë se kushdo informacionet, shprehitë apo produktet e reja në çdo fushë të jetës. Ata janë përçuesit e inovacionit, pjesa më energjike dhe progresiste e shoqërisë. Është përgjegjësia jonë morale, profesionale dhe institucionale që të investojmë në drejtim të edukimit cilësor të brezit të ri.

Për ne rritja e kulturës dhe thellimi i njohurive financiare në vend ka një rëndësi të madhe. Një komb i mirëedukuar garanton mirëqenien dhe përparimin e vendit. Prandaj, tashmë kemi vendosur që partneri ynë strategjik në përmbushjen e kësaj sfide të jetë pikërisht brezi i ri. Ne besojmë në idealizmin, energjinë pozitive dhe shpirtin e dlirë të tyre.

Një falenderim i veçantë i takon edhe medias, të cilën përfitoj nga rasti ta përgëzoj për punën e bërë. Ajo ka përcjellë në kohë reale dhe në mënyrë të besueshme tek publiku vendimmarrjen dhe veprimtarinë e Bankës së Shqipërisë.

Viti 2011 ishte kompleks për mbarë ekonominë botërore e veçanërisht për atë evropiane, ndaj së cilës ekonomia shqiptare është më e ndjeshme. Nga ky këndvështrim roli i mediave merr një rëndësi të veçantë. Konstatoj me kënaqësi se në Shqipëri, media ka rritur hapësirën kushtuar ekonomisë, financave dhe veçanërisht përcjelljes së informacionit që vinte nga Banka e Shqipërisë. Vendimet e marra prej nesh janë pasqyruar në mënyrë profesionale, ndërkohë që media ka qenë aktive edhe në nxitjen e një reflektimi real nga ana e palëve të interesuara.

Media ka mbështetur politikat e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë, duke shmangur përhapjen e pasigurive në publik. Karakteri vetëkorrigjues, ka qenë një element tjetër i rëndësishëm që ka karakterizuar veprimtarinë e medias në vend. Pothuajse pa përjashtim, është arritur me sukses amortizimi i efektit alarmant, nëpërmjet analizave më të thelluara të lajmit, duke i dhënë atij nuancat e të vërtetës jashtë teprimeve dhe spekullimeve.

Një shembull i freskët i sjelljes së përgjegjshme përkon me luhatjen e kursit të këmbimit të euros në fillim të muajit dhjetor të këtij viti. Në analizat dhe raportimet e para mediatike u krijua një gjendje “paniku” te qytetarët, për tu cilësuar më pas nga vetë mediat, pa ndërhyrjen e autoriteteve përkatëse, si një lëvizje jo reale e kursit.

Të nderuar pjesëmarrës,

Në përfundim të fjalës sime do të doja të sillja në vëmendjen tuaj edhe një botim vjetor të Bankës së Shqipërisë, tashmë të konsoliduar, Kalendarin e vitit 2012, vit i cili përkon me përvjetorin e 100-të të shpalljes së Pavarësisë së shtetit tonë.

Kësaj radhe në kalendarin e vitit 2012, zgjodhëm t’ju prezantojmë një cikël veprash arti bashkëkohore, i cili shkrin me elegancë traditën dhe modernen. Gjetja artistike synon të përshkruajë me larmishmëri dhe besnikëri rrugën e gjatë dhe të vështirë që Banka e Shqipërisë dhe Leku kanë përshkuar në ditë të mira dhe të këqija, në luftë dhe në paqe, në kohë pezullimi dhe në kohë ndryshimesh të mëdha. Këta bashkudhëtarë ia kanë dalë mbanë gjithmonë të ripërtërijnë dhe të forcojnë themelet mbi të cilat ngrihet bashkëjetesa e tyre, që është besimi juaj. Ky është filli që lidh në kalendar artin dhe bankën, si dy elementë që ruajnë dhe promovojnë vlera.

Duke shfletuar kalendarin do të gjeni të shprehur me shumë art tiparet e bankës sonë qendrore si stabiliteti, pavarësia, siguria, pavarësia, transparenca, edukimi financiar, të cilat ushqejnë shpresën në të ardhmen e përbashkët evropiane. Kjo e ardhme tashmë qëndron në duart tona si një glob i artë prosperiteti dhe lumturie.

Duke ju falenderuar për vëmendjen, më lejoni të prezantoj fituesit e çmimeve për diplomën më të mirë, për këtë vit:

  • Çmimi i tretë i jepet Ardit Azizaj, student masteri në Universitetin e New-Yorkut në Pragë, për temën e tij të masterit “Çfarë mund të bëjë Shqipëria në të ardhmen lidhur me ndarjen botërore të punës”. Punimi i tij përqendrohet në pamundësinë e vendit për të transformuar ekonominë e tij me sukses nga një ekonomi e varfër dhe e centralizuar në një ekonomi të zhvilluar.
  • Çmimi i dytë i jepet Ledia Sulejmanit, studente në Universitetin e Tiranës për temën e saj të diplomës “Zhvillimet ekonomike të Ballkanit Perëndimor dhe sfidat për të ardhmen”. Tema e saj përshkruan ndryshimet dhe karakteristikat ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor për sa i përket treguesve ekonomikë, duke trajtuar konceptin e një rajoni të përbashkët dhe sfidat e të ardhmes.
  • Çmimi i parë i jepet Borana Angjelit, studente në Universitetin “Marin Barleti” për temën e saj të masterit “Sistemet e pensioneve”. Me anë të rezultateve të një ankete drejtuar individëve të punësuar dhe afër daljes në pension, tema vë në dukje disa nga mangësitë e sistemit të pensioneve të Shqipërisë si dhe rekomandon se si duhet të ndryshojë skema aktuale e pensioneve, në përputhje me parimet evropiane, por nga ana tjetër pa qenë një barrë e rëndë për buxhetin e shtetit.