BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Tryezë diskutimi me sistemin bankar: “Ekonomia dhe bankat: sfidat e tashme dhe të ardhme”

Data e publikimit: 17.09.2015

 

Në datën 16 shtator 2015, Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me Qeverinë Shqiptare dhe pjesëmarrjen e Shoqatës Shqiptare të Bankave, organizoi tryezën e diskutimit me temë: “Ekonomia dhe bankat: sfidat e tashme dhe të ardhme”. Ky takim ishte në vijim të forumit financiar të zhvilluar në muajin qershor 2015, me praninë edhe të institucioneve financiare ndërkombëtare, FMN dhe BB.

x dsc0052 copy 7621 0

Në këtë tryezë diskutimi merrnin pjesë Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, Ministri i Financave, z. Shkëlqim Cani, Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, z. Arben Ahmetaj, Zëvendësministri i Drejtësisë, z. Arben Isaraj, Kryetari i Shoqatës Shqiptare të Bankave z. Christian Canacaris, si dhe drejtues të bankave të nivelit të dytë e përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare.

Në qendër të diskutimeve të kësaj tryeze ishte dinamika e zhvillimeve më të fundit në ekonomi, veçanërisht në drejtim të ecurisë së kredisë për ekonominë dhe të nevojës për të vazhduar aksionin e përbashkët ndërinstitucional për të ulur më tej nivelin e kredive me probleme.

Në fjalën e tij, Guvernatori Sejko fillimisht theksoi se “Niveli i lartë i raportit të kredive me probleme nuk ka cënuar qëndrueshmërinë e sektorit bankar. Nivelet e likuiditetit dhe të kapitalizimit mbeten në nivele të mira. Performanca financiare ka qenë pozitive dhe në përmirësim, ku numri i bankave me fitim është rritur.”.

Më tej ai u ndal në kompleksitetin e procesit të trajtimit të kredive me probleme, i cili kërkon angazhimin maksimal të të gjitha institucioneve të përfshira. Ai u shpreh se, ulja e kredive me probleme, ka një rëndësi jetike jo vetëm për sistemin bankar, por për të gjithë ekonominë e vendit. Për të realizuar këtë proces nevojitet një koordinim sa më i mirë i politikave institucionale.

Rëndësi të veçantë Guvernatori i kushtoi ekzekutimit në kohë të kolateraleve. “Përcaktimet jo të plota ligjore dhe implementimi i tyre jokonsistent në praktikë, e bëjnë procesin e ekzekutimit të kolateralit të ngadaltë, të pasigurt dhe të kushtueshëm për palët”, u shpreh zoti Sejko.

Në fjalën e tij, Kryeministri i Shqipërisë, zoti Edi Rama identifikoi korrupsionin në gjykata si shkakun kryesor që pengon uljen e nivelit të kredive të pakthyera në afat. Kryeministri theksoi se zvarritjet e procedurave nga ana e gjykatave në këtë drejtim po bëhen pengesë për kreditimin dhe zhvillimin ekonomik të vendit. “... tani jemi në një fazë kyçe, ku kemi nevojë për një rritje të konsiderueshme të kreditimit dhe ku e konsiderojmë realisht një moment strategjikisht shumë të rëndësishëm për të ardhmen e afërt të ekonomisë, çlirimin e bankave nga kthetrat e korrupsionit të sistemit të drejtësisë”, u shpreh Kryeministri Rama.

Ai premtoi se qeveria do të thellojë më tej reformat e ndërmarra në të gjithë sektorët strategjikë për të garantuar kushtet e nevojshme për një rritje të qëndrueshme ekonomike. Në këtë kuadër, Kryeministri e cilësoi aksionin e ndërmarrë nga qeveria kundër informalitetit, si mjaft të dobishëm edhe për sektorin bankar.

Si pjesë e planit të dakordësuar tashmë midis gjithë institucioneve të përfshira, së shpejti do të shqyrtohet në Kuvend ligji ‘Për falimentin”; do të përgatiten disa ndryshime në Kodin e Procedurës Civile dhe në ligjin “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, do të saktësohen disa përkufizime në ligjin “Për barrat siguruese” etj.

x dsc0040 7622 0

Në prezantimin e saj, Shoqata Shqiptare e Bankave theksoi se, ndryshe nga shumë vende të tjera të rajonit, kredia për ekonominë ka regjistruar norma pozitive rritjeje. Pavarësisht kësaj, nga ana e Shoqatës pranohet fakti që sistemi bankar duhet të jetë më agresiv në drejtim të kredidhënies në mbështetje të përshpejtimit të rritjes ekonomike të vendit. Për këtë qëllim, Shoqata apeloi për një mbështetje më të madhe në praktikat e ekzekutimit të kolateralit, të cilat shpeshherë karakterizohen nga një shkallë e lartë subjektiviteti dhe arbitrariteti nga ana e gjykatave dhe shoqërive përmbarimore.
Në përfundim të këtij takimi, të pranishmit shprehën nevojën për të vazhduar konsultimet e mëtejshme ndërinstitucionale në nivel teknikësh, për t’u pasuar më tej nga një takim tjetër të nivelit të lartë.

Për të lexuar fjalën e plotë të Guvernatorit Sejko, kliko këtu

Për të lexuar fjalën e plotë të Kryeministrit Rama, kliko këtu