BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Vendimmarrja e Këshillit Mbikëqyrës në mbledhjen e datës 6 prill 2016

Data e publikimit: 06.04.2016

 

Në mbledhjen e datës 6 prill 2016, përveç vendimit për uljen e normës bazë të interesit në nivelin 1.5%, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe vendosi:

  • Miratimin e disa ndryshimeve në rregulloret “Për depozitën njëditore” dhe “Për kredinë njëditore”

Depozita dhe kredia njëditore janë instrumente, në formën e lehtësive të përhershme, të cilat Banka e Shqipërisë i vendos në dispozicion të bankave tregtare për administrimin e likuiditetit të tyre. Normat e interesit të këtyre instrumenteve përcaktojnë korridorin brenda të cilit luhaten normat afatshkurtra të interesit në tregun ndërbankar.

Në mbledhjen e sotme, Këshilli Mbikëqyrës vendosi që norma e interesit të këtyre instrumenteve të mos përcaktohet më në rregulloret përkatëse për to, por me vendim të veçantë të Këshillit Mbikëqyrës.

Ky vendim synon të rrisë fleksibilitetin në përdorimin e këtij instrumenti dhe është në linjë me praktikat më të fundit të bankave të tjera qendrore.

  • Miratimin e normave të interesit të kredisë dhe të depozitës njëditore

Në vazhdim të vendimit të mësipërm, në mbledhjen e sotme, Këshilli Mbikëqyrës vendosi që norma e interesit të depozitës njëditore të jetë 0.25% dhe norma e interesit të kredisë njëditore të jetë 2.75%.

Pas këtij ndryshimi, korridori i normave të interesit në tregun ndërbankar ngushtohet nga 3.5 pikë përqindjeje në 2.5 pikë përqindjeje. Ngushtimi i korridorit synon të reduktojë luhatjet e normave të interesit në tregun ndërbankar dhe të ndihmojë transmetimin e politikës monetare lehtësuese të Bankës së Shqipërisë.

***

Në përfundim, Këshilli Mbikëqyrës u njoh edhe me informacione të tjera të lidhura me aktivitetin e përditshëm funksional dhe operacional të Bankës së Shqipërisë.