BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
NJOFTIM PER SHTYP

Data e publikimit: 11.08.2016

 

Ditët e fundit, disa media kanë transmetuar lajmin se disa banka të nivelit të dytë kanë përfituar padrejtësisht nga procesi i trajtimit të kartëmonedhave të dëmtuara të papërshtatshme për qarkullim. Lidhur me këtë çështje, Banka e Shqipërisë sqaron publikun se lajmi është i pavërtetë.

Banka e Shqipërisë administron kartëmonedhat e papërshtatshme për qarkullim sipas rregullave plotësisht të mirëpërcaktuara dhe së fundmi të përafruara me standardet e Bankës Qendrore Evropiane. Rregullat që normojnë shkëmbimin e kartëmonedhave të dëmtuara janë gjerësisht në të njëjtën linjë me ato që aplikohen për kartëmonedhat EURO, sipas vendimit të Bankës Qendrore Evropiane (ECB/2013/10 të 19 prillit 2013). Ekspertë evropianë kanë dhënë vlerësimin e tyre se proceset dhe regjimet e ndjekura nga Banka e Shqipërisë për prerjet, specifikimet, riprodhimin, këmbimin, trajtimin e monedhave të dëmtuara dhe të papërshtatshme për qarkullim si dhe tërheqjen e tyre, janë të njëjta me ato evropiane.

Praktika e trajtimit të kartëmonedhave të papërshtatshme për qarkullim, e verifikuar edhe gjatë inspektimeve të kryera në bankat tregtare, dëshmon se nuk ka pasur asnjë fakt apo rast që mbështet atë çka është komentuar së fundmi në këto media. Shkrimi në media, - se banka të nivelit të dytë i kanë kompensuar klientët e tyre vetëm 80% të vlerës së kartëmonedhave të dëmtuara të sjella për asgjësim pranë Bankës së Shqipërisë dhe nga ana tjetër, këto banka janë kompensuar me 100% të vlerës nga Banka e Shqipërisë, - është i pavërtetë.

Banka e Shqipërisë ka bërë gjithë verifikimet e nevojshme të parashikuara edhe nga rregullorja "Mbi transparencën për produktet dhe shërbimet bankare e financiare", duke inspektuar bankat tregtare. Nga shqyrtimi, nuk rezultoi asnjë komision i mbajtur nga bankat, që të pasqyronte se është mbajtur një penalitet në vlerën prej 20% për kartëmonedhat e dëmtuara. Nuk rezulton gjithashtu, asnjë ankesë e paraqitur nga klientët e bankave të inspektuara nga Banka e Shqipërisë për këtë çështje. Procesi i përpunimit është plotësisht i dokumentuar.

Në mbështetje të analizës si më sipër, Banka e Shqipërisë ka bindjen se nuk i është shkaktuar asnjë dëm buxhetit të shtetit apo edhe vetë klientëve të bankës që kanë këmbyer kartëmonedha të dëmtuara me bankat e nivelit e dytë.

Raporti i përmendur i KLSH-së është trajtuar institucionalisht me komunikime zyrtare midis dy institucioneve.

Banka e Shqipërisë është e angazhuar në garantimin e funksionimit cilësor të emetimit e qarkullimit të kartëmonedhës kombëtare, në përputhje të plotë me ligjet e vendit e standardet ndërkombëtare.