BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi ceremoninë e ndarjes së çmimeve për fituesit e konkursit me vizatime “Paraja ime”

Data e publikimit: 01.04.2014

 

Banka e Shqipërisë organizoi në datë 31 mars 2014, ceremoninë e ndarjes së çmimeve për fituesit e konkursit me vizatime “Paraja ime”. Ky konkurs u organizua nga Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me Shoqatën Shqiptare të Bankave në kuadër të Javës Globale të Parasë, dhe i drejtohej nxënësve të klasave I-III që kanë zhvilluar paketën mësimore "1, 2, 3... derrkuci Çufo mëson të kursejë". Nëpërmjet këtij konkursi, nxënësit u ftuan të realizonin vizatime të thjeshta mbi konceptin e tyre të parasë.

copy of dsc0349 6535 0

Deri në datë 27 mars, në faqen zyrtare të Bankës së Shqipërisë në Facebook, u paraqitën 420 vizatime, nga rreth 400 fëmijë, nga 13 shkolla 9-vjeçare të vendit. Përzgjedhja e 10 vizatimeve fituese të konkursit u përcaktua nga numri i “pëlqimeve” në faqen zyrtare të Bankës së Shqipërisë në Facebook. 

Ndarja e çmimeve u krye në prani të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, Ministres së Arsimit dhe Sportit, zj. Lindita Nikolla, Kryetarit të Shoqatës Shqiptare të Bankave, z. Seyhan Pencabligil dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Bankës Raiffeisen, z. Christian Canacaris. Gjatë ceremonisë, Guvernatori Fullani dhe Ministria Nikolla theksuan rëndësinë që ka përvetësimi i një edukate financiare që në moshë të re. Në të njëjtën kohë, ata i cilësuan vizatimet e paraqitura nga nxënësit e shkollave 9-vjeçare, si hapat e tyre të parë drejt kultivimit të një kulture financiare. 

copy of dsc0197 6534 0

Për fituesit e këtij konkursi, Banka e Shqipërisë shpërndau certifikata dhe enciklopedi për fëmijë, ndërsa Banka Raiffeisen sponsorizoi për secilin nga fëmijët fitues çeljen e një depozite bankare me shumë fillestare 10,000 lekë.

Konkursi me vizatime “Paraja ime”, është aktiviteti i dytë i organizuar nga Banka e Shqipërisë për fëmijët e klasave I-III, në kuadër të Javës Globale të Parasë.  Aktivitetet e organizuara me rastin e Javës Globale të Parasë, nisën me shfaqjen teatrore për fëmijë “Çufo dhe Tipi - Një aventurë me verdhushka”, premiera e së cilës u shfaq në datë 10 mars 2014. Gjithashtu, në kuadër të Javës Globale të Parasë, u organizuan dhe disa vizita të gjimnazistëve që kanë përzgjedhur modulin “Financat personale në duart tuaja”, në filialet e bankave tregtare në vend, gjatë të cilave gjimnazistët u njohën nga afër me mënyrën e funksionimit të bankave, punën e përditshme dhe produktet që ato ofrojnë.

Java Globale e Parasë, 10-17 mars, është një festë mbarëbotërore e parasë, e cila ka për qëllim ndërgjegjësimin e brezit të ri për të qenë qytetarë të ardhshëm të përgjegjshëm dhe të aftë financiarisht.