BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi kërkesën për miratimin e ndryshimit të pjesëmarrjes influencuese (të tërthortë), të aksioneve të kapitalit të Bankës Kombëtare Tregtare sh.a.“Çalik Holding” A.S., Turqi

Data e publikimit: 10.01.2012

 

Banka Kombëtare Tregtare sh.a.“Çalik Holding” A.S., Turqi ka paraqitur pranë Bankës së Shqipërisë kërkesën  për miratimin e rritjes së pjesëmarrjes influencuese (të tërthortë) të saj nga 45.60 % në 99.99 %, duke tejkaluar 50 % të kapitalit të Bankës Kombëtare Tregtare sh.a. Kërkesa e Çalik Holding A.S. është e mbështetur në dispozitat e nenit 24, pika 1, shkronja “h” të ligjit nr. 9662, datë 18.12.2006 “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”. Çalik Holding A.S. blen 15,995,999 aksione të Aktif Yatirim Bankasi A.S., Turqi në shoqërinë Çalik Finansal Hizmetler A.S., Turqi, duke rritur pjesëmarrjen e saj në 99.9999 %.

Ky transaksion nuk do të ndryshojë kontrollin aktual, menaxhimin dhe pronësinë e Bankës Kombëtare Tregtare sh.a. Çalik Finansal Hizmetler A.S., Turqi do të vazhdojë të jetë aksioneri i vetëm i Bankës.

Shqyrtimi i kërkesës dhe i dokumentacionit shoqërues për rritjen e pjesëmarrjes influencuese (të tërthortë) të Bankës Kombëtare Tregtare sh.a., bëhet në mbështetje të ligjit “Për bankat”, i ndryshuar dhe të rregullores “Për licencimin dhe ushtrimin e veprimtarisë së bankave dhe të degëve të bankave të huaja në Republikën e Shqipërisë”, miratuar me vendimin nr. 14, datë 11.03.2009 të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, e ndryshuar.

Banka e Shqipërisë e bën këtë njoftim në zbatim të kërkesave të rregullores së licencimit.