BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Festohet Java Globale e Parasë

Data e publikimit: 10.03.2014

 

Në kuadër të Javës Globale të Parasë, 10-17 mars, Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, si dhe Shoqatën Shqiptare të Bankave do të zhvillojnë disa aktivitete edukuese për fëmijët e shkollave 9-vjeçare dhe gjimnazistët.

Java Globale e Parasë është një festë mbarëbotërore e parasë, e cila ka për qëllim ndërgjegjësimin e brezit të ri për të qenë qytetarë të ardhshëm të përgjegjshëm dhe të aftë financiarisht. Gjatë javës 10 – 17 mars, partnerë të shumtë në mbarë globin, nën koordinimin e ChildandYouth Finance International, organizojnë aktivitete të larmishme për t’i përfshirë financiarisht fëmijët anembanë globit, duke u mësuar si të kujdesen për paratë, si të kursejnë, si t’i kuptojnë ndryshimet në sistemet ekonomike ku jetojnë, si të fitojnë të ardhura nëpërmjet sipërmarrjes dhe të vendosin bazat për të ardhmen e tyre.

Prej vitesh, Banka e Shqipërisë është e angazhuar në edukimin financiar të publikut nëpërmjet aktiviteteve të shumta, publikimit të broshurave edukative, si dhe modulit me zgjedhje të lirë “Financat personale në duart tuaja” dhe paketës mësimore “1, 2, 3 ... derrkuci Çufo mëson të kursejë”.

Sipari i aktiviteteve të organizuara me rastin e Javës Globale të Parasë, u ngrit me shfaqjen teatrore për fëmijë “Çufo dhe Tipi-Një aventurë me verdhushka”, premiera e së cilës u shfaq sot,në datë 10 mars 2014, në Teatrin e Kukullave, në praninë e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, përfaqësuesve të trupit diplomatik, të qeverisë dhe sektorit bankar. Gjatë ceremonisë së zhvilluar me këtë rast, Guvernatori Fullani theksoi rëndësinë e edukimit financiar të publikut dhe angazhimin serioz të Bankës së Shqipërisë në këtë drejtim.

Aktiviteti i dytë i realizuar për fëmijët e klasave I-III, i fton ata të marrin pjesë në konkursin me vizatime "Paraja ime". Vizatimet do të publikohen në faqen edukative të BSH në Facebook, ku do të mund të votohen nga publiku. 10 vizatimet që do të marrin më tepër “pëlqej” në Facebook deri në datën 27 mars 2014 do të përfitojnë dhurata simbolike, si dhe do t’iu hapet nga një depozitë bankare me shumë fillestare 10,000 lekë në një nga bankat tregtare të sistemit.Gjatë ceremonisë së organizuar me këtë rast, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, nënshkroi një memorandum bashkëpunimi me Kryetarin e Shoqatës Shqiptare të Bankave, z. Seyhan Pencabligil. Qëllimi i këtij memorandumi është nxitja e bashkëpunimit reciprok në fushën e edukimit të nxënësve të shkollave nëntëvjeçare, të mesme, si dhe studentëve të universiteteve në fushat e ekonomisë, financës dhe bankës.

Një tjetër aktivitet i organizuar në kuadër të Javës Globale të Parasë, për gjimnazistët që kanë përzgjedhur modulin “Financat personale në duart tuaja”, është mundësimi i vizitave të tyre në filialet e bankave tregtare në vend, ku do të njihen më nga afër me mënyrën e funksionimit të bankave, punën e përditshme dhe produktet që ato ofrojnë.

Të rejat më të fundit nga aktivitetet edukuese të organizuara gjatë Javës Globale të Parasë, do të postohen në faqen edukuese të Bankës së Shqipërisë në Facebook, në lidhjen https://www.facebook.com/pages/Banka-e-Shqip%C3%ABris%C3%AB/1409179109341075.