Materiale studimore

Materiale studimore

Materialet studimore përfshijnë studime, analiza kërkimore mbi çështje të ndryshme, të cilat prekin aspekte teorike dhe praktike me rëndësi për zhvillimet ekonomike, për jetën aktuale financiare të vendit dhe pritjeve për zhvillim.

Ato përgatiten nga punonjësit e Bankës së Shqipërisë, pikëpamjet e të cilëve nuk janë domosdoshmërisht ato të Bankës së Shqipërisë.

Materialet studimore

Vlerësimi i densiteteve për variablat ekonomike - një zbatim autentik
Autor: Altin Tanku, Kliti Ceca
Ky material studion dhe propozon metodologjinë e vlerësimit të densiteteve si një alternativë për modelimin e ekonomisë si një grup variablash ekonomikë. Në këtë studim, ne paraqesim vlerësimet e densiteteve për variablat ekonomikë në rastin e një dimensioni të vetëm dhe të atij shumëdimensional. Kjo mundësohet duke përdorur disa kernelë, të cilët përzgjidhen si funksione të densitetit të probabilitetit. Në rastin e një dimensioni të vetëm, përdoren kernelë Gaussian, trekëndorë, drejtkëndorë dhe Epanechnikov. Ndërkohë që në atë shumëdimensional, përdoren kernelë Gaussian dhe Epanechnikov. Për herë të parë, ne i paraqesim densitetet (vlerësimet e densiteteve) e variablave ekonomikë në formën e tyre të përgjithshme, duke u bazuar në metodat e vlerësimit të densiteteve. Në rastin e ekonomisë shqiptare, metodologjia ilustrohet mbi një grup të dhënash ekonomike. Paraqitjet grafike të vlerësimit të densiteteve jepen për disa variabla shkallarë dhe për vektorë dy-dimensionalë. Gjithashtu, materiali përfshin algorit et për llogaritjen e vlerësimeve të densiteteve të paraqitura në punim, diskutime të përgjithshme mbi metodologjinë, si dhe referenca të qarta mbi literaturën e përdorur.

Modeli financiar në Shqipëri: Qasje ndaj të dhënave të panelit
Autor: Elona Dushku, Vasilika Kota
Kriza e fundit globale nxori në pah rolin e rëndësishëm të bankave dhe institucioneve të tjera financiare në transmetimin dhe zmadhimin e goditjeve ekonomiko-financiare. Studimi paraqet një Model Financiar për Shqipërinë, me përmasa mesatare dhe që është ende në fazën e zhvillimit. Ai bazohet në bilancet e detajuara të bankave në Shqipëri dhe synon të trajtojë ndikimin e goditjeve makrofinanciare ndaj variablave më të rëndësishme. Ky studim përdor metodat e të dhënave të panelit për të vlerësuar ekuacionet kryesore të sjelljes, si: volumin e huadhënies, të ardhurat neto nga interesat, aktivet e rrezikut të kredisë, kreditë me probleme (për individë dhe biznese), si dhe ekuacionin e kostove të kredisë.

Roli i Kursit të Këmbimit në Modelet e Tregtisë Ndërkombëtare: A Plotësohet Kushti Marshall-Lerner në Rastin e Shqipërisë?
Autor: Bledar Hoda
Elasticitetet e të ardhurave dhe çmimeve janë faktorë përcaktues të madhësisë së transmetimit të aktivitetit real ndërmjet partnerëve tregtarë. Ngadalësimi i aktivitetit ekonomik në ekonomitë e zhvilluara gjatë viteve të fundit është kthyer në një shqetësim për normën e rritjes në vendet me ekonomi në zhvillim. Me interes të veçantë është roli i eksporteve si burim i nxitjes ekonomike. Vlerësimi i elasticiteteve të të ardhurave dhe çmimeve të vëllimeve të tregtis reale mundëson vlerësimin e shkallës së kësaj marrëdhënieje dhe të kushtit Marshall-Lerner. Rezultatet tregojnë se ndërsa të ardhurat përbëjnë nxitësin kryesor të flukseve tregtare në Shqipëri, kursi i këmbimit luan një rol të rëndësishëm në nxitjen e rritjes së eksporteve dhe në zëvendësimin e importeve.

Efekti i ''kurbës-J'' në tregtinë dypalëshe: Ndikimi i nënçmimit të monedhës në bilancin tregtar ndërmjet Shqipërisë dhe partnerëve kryesorë tregtarë
Autor: Alban Pllaha
Ky studim vlerëson ndikimin e kursit të këmbimit në flukset tregtare dypalëshe ndërmjet Shqipërisë dhe partnerëve kryesorë tregtarë, përkatësisht: Eurozona, Italia, Greqia, Gjermaia, Kosova dhe Turqia. Materiali synon të evidentojë ekzistencën e fenomenit të “kurbës – J” në tregtinë dypalëshe për periudhën 1998 – 2012. “Modeli i korrektimit të gabimit” duket se është modeli ekonometrik i duhur në identifikimin e ndikimeve afatshkurtra dhe afatgjata të nënçmimit real të kursit të këmbimit vendas (LEK) në bilancin tregtar dypalësh ndërmjet Shqipërisë dhe partnerëve të saj kryesorë tregtarë. Një nga gjetjet kryesore të këtij materiali është fakti se hipoteza e “kurbës – J” gjen mbështetje vetëm në rastet e tregtisë me Italinë dhe Turqinë.

Kultura financiare në Shqipëri: Rezultatet e vrojtimit për matjen e nivelit të njohurive financiare të popullatës, 2011
Autor: Kliti Ceca, Arlinda Koleniço, Egnis Isaku, Borana Haxhimusaj
Në krijimin dhe përshtatjen e programeve edukuese, rol të rëndësishëm luan edhe identifikimi i mangësive dhe gjetja e mënyrave të duhura për një përqasje sa më eficiente ndaj nevojave reale të publikut. Për herë të parë në vendin tonë, këtë informacion e ofrojnë të dhënat e marra nga “Vrojtimi për matjen e kulturës financiare të popullatës, 2011”, i cili ishte një ndër aktivitetet e parashikuara në kuadër të projektit të binjakëzimit mes Bankës së Shqipërisë dhe Bankës së Italisë e Bankës së Francës, financuar nga Bashkimi Evropian.

Përcaktuesit e kredisë bankare për sektorin privat: Rasti i Shqipërisë
Autor: Gerti Shijaku, Irini Kalluci
Ky material diskutimi përqendrohet te identifikimi dhe vlerësimin i përcaktuesve afatgjatë të kredisë për sektorit privat në rastin e Shqipërisë, duke përdorur metodën e Mekanizmit të Korrigjimit të Vektorit të Gabimit, bazuar në treguesit e kërkesës dhe ofertës. Vlerësimet tregojnë se ekziston një mekanizëm korrigjimi që e sjell kreditimin në ekuilibër. Rezultatet dëshmojnë se kreditimi lidhet pozitivisht me rritjen ekonomike. Nga ana tjetër, ndërmjetësimi bankar e financiar dhe liberalizimi financiar do të stimulonin një kërkesë më të lartë për kredi.
1 - 6 nga 6
Faqe 1 nga 1
Për të vizituar faqen e vjetër të internetit, klikoni këtu