Materiale studimore

Materiale studimore

Materialet studimore përfshijnë studime, analiza kërkimore mbi çështje të ndryshme, të cilat prekin aspekte teorike dhe praktike me rëndësi për zhvillimet ekonomike, për jetën aktuale financiare të vendit dhe pritjeve për zhvillim.

Ato përgatiten nga punonjësit e Bankës së Shqipërisë, pikëpamjet e të cilëve nuk janë domosdoshmërisht ato të Bankës së Shqipërisë.

Materialet studimore

Instrumentet e pagesës siç perceptohen nga konsumatorët shqiptarë - Vlerësime të një ''Modeli Probit'' mbi një anketim publik
Autor: Alban Pllaha, Kliti Ceca, Valentina Semi
Ky material ka për qëllim të identifikojë nëse karakteristikat socio – demografike të tilla si: niveli i shkollimit, numri i anëtarëve të familjes, mosha, gjinia, statusi i punësimit dhe niveli i të ardhurave luajnë rol në mënyrën e realizimit të pagesave nga konsumatorët shqiptarë.

A jane pritjet inflacioniste në Shqipëri racionale? -Vlerësime empirike nga vrojtimet-
Autor: Merita Boka, Evelina Çeliku, Gent Hashorva
Rëndësia e pritjeve të inflacionit për politikën monetare kërkon analizën e natyrës së tyre: racionale apo adaptive? Kjo është thelbësore, veçanërisht në regjimin e inflacionit të shënjestruar zbatuar në vitet e fundit në Bankën e Shqipërisë (BSH). Kjo analizë është realizuar mbi seritë e pritjeve inflacioniste nga vrojtime të BSH-së për periudhën T2:2003-T1:2015. Seritë e pritjeve cilësore janë kuantifikuar duke përdorur përqasje të ndryshme probabilitare dhe të balancës, krahas atyre sasiore. Analizat statistikore tregojnë se pritjet e vrojtuara inflacioniste mbartin informacion të dobishëm, në lidhje me drejtimin e presioneve të ardhshme inflacioniste. Rezultatet e testimit të racionalitetit konfirmojnë natyrën mikse të pritjeve, ndërkohë që, deri në fillim të vitit 2009, ato rezultonin plotësisht adaptive. Ndonëse pritjet vijojnë të dominohen nga natyra adaptive, disa prej tyre kanë fituar veti racionale përgjatë viteve.

Rivlerësimi i Modelit Makroekonometrik të Ekonomisë Shqiptare (MEAM)
Autor: Ilir vika, Lorena skufi, Enian Çela, Esida abazaj
Makromodeli MEAM është përdorur kryesisht për të analizuar skenarë të ndryshëm të rrezikut në ekonominë shqiptare, por edhe për gjenerimin e projeksioneve të treguesve kryesorë makroekonomikë si inflacioni, komponentët e produktit të brendshëm bruto, tregu i punës etj. Aktualisht, MEAM-i është i vlerësuar me seri kohore deri në vitin 2006. Duke qenë se disa prej treguesve të rëndësishëm në model janë rishikuar gjatë kohëve të fundit, ky material ka për qëllim të hetojë nëse revizionimi i treguesve dhe ndryshimi i periudhës së vlerësimit, duke përfshirë edhe vitet e paskrizës globale, kanë ndikuar në qëndrueshmërinë e modelit.

Analizë e lidhjes mes zhvillimit financiar dhe rritjes ekonomike. Një vështrim i Evropës Juglindore
Autor: Arlind Rama
Në një sfidë të vazhdueshme për përshpejtimin e ritmit të rritjes, ekonomitë e Evropës Juglindore duhet të eksplorojnë potencialin e të gjitha kanaleve ekonomike kontribuuese në këtë proces. Ndërkohë, studime të mëparshme nuk gjejnë një lidhje domethënëse mes zhvillimit financiar dhe rritjes ekonomike në vendet e EJL-së, pasi mungojnë analizat e përditësuara në këtë drejtim. Ky studim synon të kuptojë lidhjet financë-rritje në një grup përfaqësues prej dhjetë ekonomish në EJL, duke analizuar empirikisht të dhënat më të fundit të disponueshme nëpërmjet teknikave të të dhënave panel. Gjithashtu, ai tenton të analizojë nëse implementimi i kuadrove rregullative dhe i reformave ekonomike gjatë dekadës së fundit, ka kontribuar në rëndësinë që zhvillimi i sektorit financiar ka në rritjen ekonomike.

Përcaktuesit mikro dhe makroekonomikë të marzhit neto të interesave në sistemin bankar shqiptar (2002-2014)
Autor: Meri Papavangjeli, Eralda Leka
Duke përfshirë për të parën herë variablat makroekonomikë në analizën empirike me të dhëna panel për bankat tregtare, ky punim synon të hedhë dritë mbi përcaktuesit e marzhit neto të interesave në sektorin bankar shqiptar. I konsideruar gjerësisht si një tregues i mirë i nivelit të eficiencës së ndërmjetësimit bankar, marzhi i interesave ndihmon në perceptimin e asimetrive në tregun bankar dhe kostove të transmetuara te klientët. Çështja merr rëndësi në kontekstin e politikës monetare, përderisa sa më të larta të jenë asimetritë në treg, aq më i vështirë bëhet transmetimi i sinjaleve të tij.

Kreditimi në valutë në Shqipëri
Autor: Gerti Shijaku
Rritja e kreditimit në valutë në shumë vende të Evropës Qendrore dhe Juglindore ka ndikuar në rritjen e analizave dhe materialeve kërkimore në këtë drejtim. Ashtu si edhe në vendet e tjera të rajonit, edhe në Shqipëri, studimi i përcaktuesve kryesorë ndaj kreditimit në valutë është mjaft i rëndësishëm, duke pasur parasysh se 65% e kredisë ndaj sektorit privat preferohet në këtë formë. Materiali vlerëson përcaktuesit e kreditimit në valutë ndaj sektorit privat, me metodën Autoregresive të Shpërndarjes së Vonesave Kohore, duke përfshirë tregues të ofertës dhe kërkesës. Rezultatet dëshmojnë se kreditimi në valutë është nxitur kryesisht nga mjaftueshmëria e likuiditetit në valutë që bankat zotërojnë dhe tendenca drejt portofoleve që mbartin më pak rrezik. Gjithashtu, kreditimi në valutë është më i preferuar në kushtet e spread-it pozitiv të normave të interesit për kreditimin në monedhë të ndryshme, luhatshmërisë së inflacionit dhe kursit të këmbimit të qëndrueshëm. Studimi identifikon një marrëdhënie afatgjatë të kointegruar dhe të qëndrueshme.

Roli i parasë si një shtyllë e rëndesishme për politikën monetare: Rasti i Shqipërisë
Autor: Gerti Shijaku
Fokusi kryesor i këtij materiali është vlerësimi i funksionit të kërkesës për para dhe të shpejtësisë së qarkullimit të parasë së gjerë, M3, në afatin e mesëm dhe të gjatë, duke pasur parasysh rolin e saj si një shtyllë e dytë e rëndësishme për politikën monetare të Bankës së Shqipërisë, në përputhje me objektivin e saj kryesor, atë të stabilitetit të çmimeve. Rezultatet tregojnë se kërkesa për para është e qëndrueshme edhe pas krizës financiare dhe ekonomike, si dhe ecuria e saj përmban informacion të rëndësishëm për ecurinë e inflacionit.
1 - 7 nga 7
Faqe 1 nga 1