Materiale studimore

Materiale studimore

Materialet studimore përfshijnë studime, analiza kërkimore mbi çështje të ndryshme, të cilat prekin aspekte teorike dhe praktike me rëndësi për zhvillimet ekonomike, për jetën aktuale financiare të vendit dhe pritjeve për zhvillim.

Ato përgatiten nga punonjësit e Bankës së Shqipërisë, pikëpamjet e të cilëve nuk janë domosdoshmërisht ato të Bankës së Shqipërisë.

Materialet studimore

Stabiliteti bankar dhe lidhja e tij me konkurrencën midis bankave pas krizës financiare globale. Dëshmi të reja nga sektori bankar shqiptar
Autor: Gerti Shijaku
Ky material analizon lidhjen midis konkurrencës dhe stabilitetit bankar në sektorin bankar shqiptar, përgjatë periudhës 2008–2017. Për këtë arsye, u ndërtua një tregues i konkurrencës bankare, i tillë si treguesi Boone.

Analiza dhe zhvillimet strukturore të ekonomisë shqiptare: përqasje sipas Matricave të Kontabilitetit Social
Autor: Enian Cela, Iris Metani, Evelina Celiku
Materiali përpiqet të ndërtojë një analizë të përgjithshme strukturore të ekonomisë dhe dinamikës së saj për vitet 2009 – 2013, duke u bazuar në statistikat e Matricave të Kontabilitetit Social, si edhe të dhënat shtesë nga tregu i punës. Qëllimi kryesor i punimit është të analizojë ekonominë për sa i takon intensitetit të vlerës së shtuar, importit dhe punësimit, sipas sektorëve dhe në agregat. Një hapësirë e veçantë i kushtohet produktivitetit të inputeve, për të kuptuar aftësinë sektoriale dhe intensitetin e kthimit të inputeve në produkt përfundimtar.

Formimi i çmimeve në ekonominë shqiptare – një përqasje makromodeluese (2019)
Autor: Lorena Skufi, Eglent Kika
Ky material paraqet modelimin e bllokut të çmimeve në modelin makroekonometrik të ekonomisë shqiptare. Struktura e modelit është bazuar në teorinë “Neo-Kejnesiane”, e cila nënkupton një] kurbë oferte vertikale në afatin e gjatë, kombinuar me elemente të kërkesës që ndikojnë në afatin e shkurtër.

Vrojtimi për matjen e kulturës financiare: Analiza e rezultateve për Shqipërinë, 2015 (nëntor 2018)
Autor: Egnis Isaku, Kliti Ceca, Arlinda Kolenico
Ky material paraqet një analizë të të dhënave të mbledhura nga Vrojtimi për Matjen e Kulturës Financiare të popullatës shqiptare në nivel vendi, sipas metodologjisë së ndërtuar nga OECD/INFE. Ai sjell në vëmendjen e publikut gjetjet kryesore, duke u përqendruar në aspektet më të rëndësishme të tre elementeve përbërëse të kulturës financiare të matur nga pyetësori: njohurive financiare, sjelljes dhe qëndrimeve, si dhe treguesit e përfshirjes financiare.

Rezultatet e vrojtimit të situatës financiare dhe huamarrëse të ndërmarrjeve bujqësore në Shqipëri
Autor: Elona Dushku, Kliti Ceca

Sektori bujqësor ka qenë dhe vazhdon të mbetet një sektor me kontribut të konsiderueshëm në ekonominë shqiptare, si në terma të vlerës së shtuar ashtu edhe në terma të numrit të punësuarve. Duke marrë në konsideratë rëndësinë dhe rolin e tij në ekonomi, vëmendja ndaj këtij sektori dhe zhvillimi i tij ka qenë dhe vazhdon të mbetet prioritet si për sektorin privat, ashtu edhe për sektorin publik.


Rezultatet e vrojtimit të gjëndjes financiare dhe huamarrëse të ndërmarrjeve mikro në Shqipëri
Autor: Kliti Ceca, Elona Dushku
Ky raport paraqet një përmbledhje të rezultateve të marra nga Vrojtimi mbi Gjendjen Financiare dhe Huamarrëse të Ndërmarrjeve Mikro, që kanë 1 deri 4 të punësuar, në lidhje me aksesin në financim, si dhe situatën financiare të këtyre ndërmarrjeve. Kjo anketë u realizua për herë të parë në qershor të vitit 2017, nga Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me INSTAT-in, dhe synon të japë një vështrim të përgjithshëm mbi situatën financiare të ndërmarrjeve mikro (1-4 të punësuar), si dhe duke plotësuar informacionin mbi ndërmarrjet e vogla dhe të mëdha që prej vitit 2010 janë pjesë e këtij vrojtimi

Monedhat virtuale, risitë teknologjike të tyre dhe bankingu qendror
Autor: Natasha Ahmetaj, Bledar Hoda
Monedhat virtuale janë një formë dixhitale private e parasë, të pagarantuara nga asnjë shtet sovran apo institucion ndërkombëtar. Bitcoin është monedha e parë virtuale e emetuar privatisht në vitin 2009 nga një autor anonim. Infrastruktura dixhitale që mundëson kryerjen e pagesave me Bitcoin ka zgjuar interesin e autoriteteve monetare.

Një vlerësim i ciklit financiar për Shqipërinë
Autor: Vasilika Kota, Arisa Goxhaj (Saqe)
Vlerësimi i ciklit financiar dhe fazave të ndryshme të tij është i rëndësishëm për ndërtimin e politikave dhe instrumenteve të përshtatshme makroprudenciale, të cilët synojnë zbutjen e rrezikut sistemik. Ky material ka si qëllim kryesor të vlerësojë ciklin financiar në Shqipëri, duke krijuar një tregues sintetik si matës të mundshëm të tij. Ky tregues përfshin elemente nga segmente të ndryshme të sistemit financiar apo të ndërlidhura me të.
1 - 8 nga 8
Faqe 1 nga 1