Materiale studimore

Materiale studimore

Materialet studimore përfshijnë studime, analiza kërkimore mbi çështje të ndryshme, të cilat prekin aspekte teorike dhe praktike me rëndësi për zhvillimet ekonomike, për jetën aktuale financiare të vendit dhe pritjeve për zhvillim.

Ato përgatiten nga punonjësit e Bankës së Shqipërisë, pikëpamjet e të cilëve nuk janë domosdoshmërisht ato të Bankës së Shqipërisë.

Materialet studimore

Vlerësimi afatshkurtër (nowcasting) i PPB-së tremujore ne Shqipëri
Autor: Armela Mançellari
Produkti i Brendshëm Bruto tremujor në Shqipëri publikohet rreth 12 javë (tre muaj) pas mbarimit të tremujorit referues. Gjatë periudhës “së pritjes” është e nevojshme të vlerësohet kërkesa dhe prodhimi i brendshëm për të pasur një vendimmarrje të mirinformuar dhe politika ekonomike të efektshme. Për këtë qëllim kemi vlerësuar aftësinë shpjeguese të indikatorëve të disponueshëm më herët se shifra e PBB-së për parashikimin e kësaj të fundit për tremujorin referues. Parashikimi afatshkurtër është testuar me ekuacione indikatore, të formës ADL (p,q), me vlerësim OLS. Studimi arrin në përfundimin se treguesit më të dobishëm në parashikimin e PBB-së janë shitjet dhe riparimet e automjeteve – indikator sasior (hard indicator), – vlerësimi i industrisë për kërkesën, vlerësimi i industrisë për prodhimin, pritshmëritë e industrisë për prodhimin, vlerësimi i ndërtimit për prodhimin, dhe vlerësimi i shërbimeve për kërkesën – indikatorë cilësorë (soft indicators), të cilët janë komponentë të vrojtimeve të bizneseve dhe konsumatorëve, zhvilluar nga Banka e Shqipërisë. Modeli më i mirë në parashikimin afatshkurtër përfshin shitjet dhe riparimin e automjeteve dhe vlerësimin e sektorit të ndërtimit për prodhimin në tremujorin aktual. Ekuacionet finale të përzgjedhura performojnë më mirë se modelet naive dhe ARIMA. Fjalët kyçe: parashikim afatshkurtër, variabla cilësorë, Produkti i Brendshëm Bruto Klasifikimi JEL: C22, C53, E17

Përcaktuesit e marzhit neto të interesave në sistemin bankar shqiptar
Autor: Irini Kalluci
Studimi i eficiencës së sistemit bankar ka qenë përherë një çështje e diskutuar dhe me interes. K y material trajton marzhin neto të interesave si një matës i eficiencës së bankave që operojnë në sistemin bankar shqiptar dhe fokusi kryesor është në identifikimin e faktorëve që ndikojnë në masën e këtij treguesi. Sipas vlerësimeve të bëra për sistemin bankar shqiptar, rezulton se marzhi neto i interesave ndikohet nga luhatshmëria e normave të interesit (kryesisht për monedhën euro, atë vendase dhe lehtësisht dollarin), nga niveli i shpenzimeve të veprimtarisë që përgjithësisht ka qenë në rritje si dhe nga masa e rezervave të detyruara që bankat mbajnë pranë bankës qendrore. Të tjerë faktorë që ndikojnë marzhin neto janë niveli i kapitalizimit të bankave, që sidoqoftë duhet interpretuar me kujdes; të ardhurat neto nga komisionet të cilat janë të lidhura negativisht me variablin e varur çka nënkupton se këta dy tregues janë zëvendësues të njëritjetrit; efektiviteti i punës së administrimit; rreziku i kredisë dhe niveli i përqendrimit në terma të kredive.

Modelimi i PBB-së tremujore - Roli i treguesve ekonomikë dhe atyre të vrojtimeve
Autor: Evelina Çeliku, Ermelinda Kristo, Merita Boka
Modelet e parashikimit të PBB-së tremujore, të trajtuara në këtë material, kanë për qëllim të vlerësojnë prirjen e saj për Shqipërinë në terma afatshkurtër. Kohëvonesat deri në publikimin e PBB-së tremujore, bëjnë të domosdoshëm procesin e vlerësimit paraprak të këtij treguesi. Strategjia e ndjekur në modelimin e PBB-së tremujore, në këtë material është ajo e ndërtimit të disa modeleve për vlerësimin e saj. Ata konsistojnë në ARIMA me përbërës sezonalë dhe modele indikatorë, të ngjashëm me modelet urëlidhëse. Është bërë një përpjekje për modelimin e PBB-së me anë të një sistemi ekuacionesh që merr në konsideratë lidhjet ndërsektoriale, por që për shkak të kufizimeve të gjeneruara nga seritë e shkurtra kohore, nuk mund të aplikohet ende për qëllime parashikuese. Vlerësimet janë bërë për PBB-në totale dhe për atë të disagreguar sipas pesë sektorëve të ekonomisë, për periudhën T1:2003 – T1:2009. Gjatë vlerësimit janë përdorur variabla ekonomikë, financiarë si edhe tregues nga vrojtimet e besimit, të organizuar nga Banka e Shqipërisë. Rezultatet e vlerësimit të modeleve urëlidhëse tregojnë që variablat ekonomikë dhe financiarë veprojnë me vonesa të caktuara kohore, ndërsa ata të vrojtimeve kryesisht u paraprijnë zhvillimeve të PBB-së. Sjelljet e mësipërme të variablave mbështesin procesin e parashikimit të PBBsë tremujore, në terma kohorë dhe ekonomikë. Në këtë mënyrë, vendimmarrësit në Bankën e Shqipërisë, marrin një vlerësim paraprak (nowcast) mbi prirjen e aktivitetit ekonomik për tremujorin referues dhe deri në dy tremujorët në vijim. Në përgjithësi, rezultatet e vlerësimeve janë premtuese për modelet e trajtuara. Sugjerohet që parashikimi “më i mirë”, të konsiderohet mesatarja e parashikimeve nga të gjitha modelet e propozuara. Rezultatet e performancës së parashikimit jashtë periudhës, “do të vendosin” mbi modelet me cilësi më të mira në parashikimin e PBB-së tremujore.

Kuadri institucional dhe operacional në regjimi të orientuar drejt së ardhmes
Autor: Gramoz Kolasi, Bledar Hoda, Sofika Note
Politika monetare në Bankën e Shqipërisë ka evoluar drejt një përqasjeje në linjë me strukturat bashkëkohore, që plotësojnë pjesën më të madhe të elementeve që promovojnë eficiencën dhe efikasitetin. Në këtë material, ne bëjmë një përpjekje për të paraqitur në vija të përgjithshme hyrjen e aspekteve të reja dhe përmirësimet e atyre aktualisht në funksionim. Gjatë dy viteve të fundit, Banka e Shqipërisë ka organizuar dy forume, në dhjetor 2 005 dhe 2 006, për të vlerësuar kushtet për një rishikim formal të procedurave të saj institucionale dhe operacionale të politikës monetare. Veç kësaj, këto forume kanë kontribuar në përshkallëzimin dhe institucionalizimin e përpjekjeve të Bankës së Shqipërisë për të promovuar zhvillimin dhe infrastrukturën financiare, si edhe për të përmirësuar kuadrin e saj operacional dhe institucional, për një politikë monetare më efektive. Në takimin e këtij viti, ne prezantohemi me një pasqyrim të plotë të detyrave të realizuara, të propozuara dhe të diskutuara kryesisht gjatë dy forumeve të mëparshme, dhe një vlerësim të përgjithshëm të kushteve më të domosdoshme për adoptimin e plotë të regjimit të inflacionit të shënjestruar në Shqipëri.

Modeli makroekonometrik i Shqipërisë: Studim vijues
Autor: Vasilika Kota, Elona Dushku
Ky punim është vazhdimi i një materiali paraardhës të titulluar “Modeli makroekonometrik për Shqipërinë”. Qëllimi i tij është prezantimi i ecurisë së makromodelit gjatë vitit 2007. Aktualisht, modeli është i pasuruar me anën e ofertës së ekonomisë dhe sektorin fiskal, si dhe përfshin kanalet kryesore të mekanizmit të transmetimit të politikës monetare. Kemi aplikuar një metodë të re të disagregimit të vlerave, nga vjetore në tremujore dhe gjithashtu, kemi përfshirë përkufizime të reja për disa variabla kryesorë, si për shembull të ardhurat e disponueshme. Rezultatet tregojnë që modeli është i qëndrueshëm, gjatë afatit të gjatë konvergon drejt ecurisë së dëshiruar, si edhe mund të jetë i përshtatshëm për simulime të ndryshme që i shërbejnë politikës monetare. Nga ana tjetër, deri tani aftësia parashikuese e modelit nuk është analizuar.

Matja e pritshmërive të inflacionit
Autor: Gent Hashorva, Elona Bollano, Elvana Troqe
Në këtë material autorë janë përpjekur që të zbatojnë disa teknika të kuantifikimit të përgjigjeve të mbledhura nëpërmjet vrojtimit të besimit të konsumatorit, që kryhet nga Banka e Shqipërisë. Në të njëjtën kohë bëhen disa përpjekje për të kuptuar më mirë natyrën e pritjeve të konsumatorëve shqiptarë, të cilat rezultojnë të jenë të një natyre adoptive. Kështu, nëse norma e inflacionit rritet, konsumatorët presin një rritje edhe më të madhe të inflacionit për periudhën në vazhdim.

Zhvillimi financiar dhe rritja ekonomike: Rasti i Shqipërisë
Autor: Elona Dushku
Ky material investigon lidhjen shkak-pasojë midis zhvillimit financiar dhe rritjes ekonomike për rastin e Shqipërisë, duke përdorur testin e Granger-causality për pesë tregues të ndryshëm të zhvillimit financiar. Kështu, për seritë që nuk janë as stacionare, as të kointegruara është ndërtuar modeli VAR dhe më pas është aplikuar testi i mësipërm. Ndërsa, për seritë jo stacionare, por që midis tyre gjendet një lidhje kointegruese, testi i Granger-causality është aplikuar pas ndërtimit të vector error correction model (VECM). Gjetjet empirike të këtij materiali tregojnë, që në afatin e gjatë vërtetohet lidhja pozitive midis të gjithë treguesve që matin zhvillimin financiar dhe rritjes ekonomike. Ndërsa, në afatin e shkurtër kjo lidhje nuk është mjaft e qartë, pasi tregues të ndryshëm japin rezultate të ndryshme. Të dhënat që analizuam i përkasin periudhës 1996-2007.

Mekanizmi i transmetimit monetar në Shqipëri
Autor: Gramoz Kolasi, Hilda Shijaku, Diana Shtylla
Ky studim ritrajton mekanizmin e transmetimit monetar në Shqipëri, duke bërë një përmbledhje të gjetjeve të studimeve të mëparshme dhe duke dhënë dëshmi të reja bazuar në një vlerësim SVAR. Ne kemi shqyrtuar efektin e kanaleve të transmetimit monetar mbi prodhimin agregat dhe mbi inflacionin total dhe atë bazë. Përfundimi në të cilin arritëm është se kanali i kursit të këmbimit nuk është aq i fortë sa është paraqitur në punimet e mëparshme dhe se kanali monetar dhe i pritshmërive luan rolin kryesor në mekanizmin e transmetimit. Gjetjet tona sugjerojnë gjithashtu, se Banka e Shqipërisë duhet të tregojë kujdes ndaj luhatjeve të kursit të këmbimit, pasi ato duket të kenë një efekt jo të favorshëm mbi luhatjet e prodhimit real.
1 - 8 nga 8
Faqe 1 nga 1
Për të vizituar faqen e vjetër të internetit, klikoni këtu