Materiale studimore

Materiale studimore

Materialet studimore përfshijnë studime, analiza kërkimore mbi çështje të ndryshme, të cilat prekin aspekte teorike dhe praktike me rëndësi për zhvillimet ekonomike, për jetën aktuale financiare të vendit dhe pritjeve për zhvillim.

Ato përgatiten nga punonjësit e Bankës së Shqipërisë, pikëpamjet e të cilëve nuk janë domosdoshmërisht ato të Bankës së Shqipërisë.

Materialet studimore

Efektet makroekonomike të politikës fiskale në Shqipëri: Vlerësim me modelin Svar
Autor: Armela Mançellari
Politikat fiskale janë përcaktuese të rëndësishme të zhvillimeve ekonomike. Shpesh, vendimet e qeverisë mbi shpenzimet dhe taksimin luajnë rol të veçantë për përshpejtimin apo ngadalësimin e rritjes ekonomike. Krizat e fundit ekonomike dhe financiare ritheksuan rëndësinë e stimujve fiskalë për rimëkëmbjen e ekonomisë reale, sigurisht të koordinuara me politikën monetare. Ky studim heton efektet makroekonomike të politikave diskrecionare fiskale në rastin e Shqipërisë, me qëllim identifikimin e politikës më të efektshme kundërciklike që nxit rritjen ekonomike, duke ushtruar presione të moderuara mbi inflacionin.

Një vlerësim Bayesian i një modeli strukturor për ekonominë shqiptare
Autor: Elona Dushku Vasilika Kota
Në këtë material diskutimi autorët kanë paraqitur një model të vogël strukturor për ekonominë shqiptare dhe e kanë vlerësuar atë duke përdorur teknikën Bayesian. Modeli shpjegon më së miri lidhjet kryesore të një ekonomije të vogël e të hapur, me një regjim të luhatshëm të kursit të këmbimit që ekzistojnë midis instrumentit të politikës monetare (normës së repos) dhe variablave kryesore makroekonomikë si prodhimi, inflacioni, kursi i këmbimit dhe papunësia.

Ekuilibri i kursit real të këmbimit Lekë-Euro: Sa i shmangur është ai?
Autor: Ilir Vika, Erion Luçi
Shqipëria ka adoptuar regjimin fleksibël të kursit të këmbimit që në fillim të tranzicionit, jo vetëm thjesht prej rezervave të kufizuara ndërkombëtare të saj, por gjithashtu për të shmangur korrigjimet e kushtueshme të shmangieve të kursit nga nivelet “ekuilibër”, siç vërehet shpesh në regjimet fikse. Ndërkohë që zgjedhja e këtij regjimi mund të gjykohet intuitivisht si e suksesshme, një vlerësim më metodik që mat nëse kursi i këmbimit në Shqipëri pasqyron vërtet ecurinë e përcaktuesve të tij, na ndihmon gjithashtu për të kuptuar se sa e rëndësishme është disiplina fiskale dhe monetare për të siguruar stabilitetin e ekuilibrit të brendshëm dhe të jashtëm në mungesë të një ankore shumë të qartë. Ky material diskutimi është një përpjekje e parë për të vlerësuar lidhjen midis kursit të këmbimit Lek-Eur dhe disa mbështetësve të tij kryesorë, si dhe rolin e politikave dhe faktorëve të tjerë që mund të kërcënojnë ekuilibrin e tij.

Analizë e sistemit bankar Shqiptar nën këndvështrimin rrezik - performancë
Autor: Irini Kalluci
Industria bankare përbën segmentin më të rëndësishëm të sistemit financiar shqiptar dhe si i tillë kërkon një vëmendje më të madhe kur bëhet fjalë për analizat financiare të tij. Ky material trajton teorikisht dhe analitikisht, tregues të rrezikut dhe kthimit, si dhe për herë të parë, paraqet metodologjinë e përllogaritjes së një indeksi rreziku për sistemin bankar shqiptar.

Vlerësimi i peshave për indeksin e kushteve monetare në Shqipëri
Autor: Oriela Kodra
Indeksi i Kushteve Monetare (IKM) është paraqitur fillimisht nga Banka e Kanadasë [Freedman (1995)] dhe më pas ka filluar të përdoret nga shumë banka të tjera dhe institucione ndërkombëtare, si një mekanizëm për të interpretuar drejtimin e politikës monetare dhe efektet që ajo ka në ekonomi. IKM llogaritet si kombinim linear i variablave të cilët përfaqësojnë kanalet kryesore të transmetimit të politikës monetare në një ekonomi të hapur: norma reale e interesit dhe kursi real i këmbimit, ku koeficientët përfaqësojnë efektet e tyre reale mbi kërkesën agregate.

Persistenca e inflacionit në Shqipëri
Autor: Vasilika Kota
Qëllimi i këtij materiali studimi është të vlerësojë persistencën e inflacionit në Shqipëri, gjatë periudhës 1993-1998. Ne zbatojmë metodën me mesatare konstante dhe të ndryshueshme në varësi të kohës për inflacionin bazë dhe atë total, dhe gjithashtu testojmë nëse ka ndryshime strukturore të persistencës. Rezultatet empirike tregojnë se persistenca e inflacionit total ka qenë disi më e lartë gjatë periudhave inflacioniste, ndërsa filloi të ulej pas vitit 1997, kur pritshmëritë për inflacionin duket se u stabilizuan.

Pozicioni konkurrues i ekonomisë shqiptare në terma të produktivitetit e të kostos së punës
Autor: Evelina Çeliku, Iris Metani
Studimi synon të ekzaminojë eficiencën dhe profilin konkurrues të ekonomisë shqiptare, bazuar tek treguesit e produktivitetit të punës (PP) dhe kostove të punës për njësi të prodhuar (KPNj). Këta tregues janë llogaritur në përputhje me praktikat më të mira statistikore, të trajtuara në manualet përkatëse të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) (2001 dhe 2008)

Politika të stabilitetit monetar dhe financiar - leksione nga kriza
Autor: Banka e Shqipërisë
Në datën 17 shtator 2009, Banka e Shqipërisë organizoi në Tiranë Konferencën e 8-të Ndërkombëtare me temë “Politika të stabilitetit monetar dhe financiar – Leksione nga kriza”. Punimet e kësaj konference u përshëndetën edhe nga Kryeministri, z. Sali Berisha dhe Ministri i Financave, z. Ridvan Bode. Në këtë konferencë morën pjesë shumë guvernatorë, zëvendësguvernatorë, përfaqësues të lartë të bankave qendrore, emra të njohur të botës akademike ekonomike dhe financiare, përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare financiare, drejtues të bankave të nivelit të dytë që operojnë në Shqipëri si dhe shumë personalitete të tjera të vendit dhe të huaja. Konferenca u zhvillua në kushtet kur stabiliteti financiar qëndron në krye të axhendës së bankierëve qendrorë për të patur një sistem bankar e financiar të shëndoshë në kohë të vështira, i cili kontribuon fuqishëm në zhvillimin e qëndrueshëm makroekonomik të një vendi. Konferenca ishte e konceptuar me tre panele diskutimi. Në dy panelet e para të ftuarit nga bota akademike, bankare e financiare ndërkombëtare trajtuan krizën me të gjitha elementet e saj përbërëse dhe mësimet e deritanishme si dhe ndikimin që ka patur ajo në ekonomitë e Evropës Juglindore.
1 - 8 nga 8
Faqe 1 nga 1