Roli i Bankave në Transmetimin e Politikës Monetare në Shqipëri

Authori: Ilir Vika
Data e prodhimit: 13.05.2009
Data e shtypjes: 13.05.2009
Kategoria e materialit: Publikime jo periodike / Materiale Studimore
Ky studim kontribuon me gjetjen e evidencave empirike mbi kanalin e kredisë bankare të politikës monetare në Shqipëri duke përdorur të dhënat individuale të 12 bankave kryesore. Në veçanti, synohet të studiohet nëse ecuria e kredisë bankare ndaj sektorit privat mund të shpjegohet nga ndryshimet në treguesin e politikës monetare, i matur me normën e interesit të marrëveshjeve të riblerjes njëjavore. Gjetjet empirike sugjerojnë se për periudhën 2004-2006 sjellja e kredisë bankare është ndikuar në mënyrë modeste nga vendimet e politikës monetare. Koeficientët e treguesit të politikës monetare janë statistikisht të rëndësishëm dhe me shenjën e pritshme negative, që mbështet lidhjen teorike midis normës së interesit dhe vëllimit të kredisë. Megjithatë, evidencat empirike për të mbështetur ekzistencën e një kanali të kredisë bankare në Shqipëri janë mikse. Në kundërshtim me teorinë dhe pritjet intuitive në vend, rezultatet e nxjerra tregojnë se bankat e vogla janë më pak të ndjeshme ndaj qëndrimit të politikës monetare se sa ato më të mëdha. Ndërkohë, bankat me likuiditet më të madh duket se janë më të mbrojtura ndaj ndryshimeve të politikës monetare, në linjë me teorinë mbi kanalin e kredisë bankare.