Deklarata e politikës monetare për gjashtëmujorin II '99

Authori: Departamenti i Politikës Monetare
Data e prodhimit: 16.01.2000
Data e shtypjes: 16.01.2000
Kategoria e materialit: Publikime Periodike / Raporti gjashtemujor i Politikes Monetare
Gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 1999, situata financiare ka vazhduar të jetë e stabilizuar, si dhe u arrit të ruhej rritja ekonomike pa presione inflacioniste. Ulja e inflacionit i krijoi mundësi Bankës së Shqipërisë të zvogëlonte normat e interesit për depozitat disa herë gjatë kësaj periudhe, duke i çuar ato në fund të vitit në 9.25, 9.25 dhe 9.0 për qind përkatësisht për depozitat tre, gjashtë dhe dymbëdhjetëmujore. Niveli i ulët i inflacionit kontribuoi edhe në forcimin e vlerës së lekut. Nga muaji qershor e deri në fund të muajit dhjetor, kursi i këmbimit të lekut është mbiçmuar lehtë, por pothuajse në vazhdimësi kundrejt monedhave kryesore europiane dhe dollarit amerikan. Kjo ka sjellë mosndërhyrjen (në shitje) të Bankës së Shqipërisë në tregun e këmbimeve valutore, pothuajse gjatë gjithe vitit. Rezervat ndërkombëtare bruto të vendit edhe këtë vit u rritën duke arritur gjithsej në 31 dhjetor, në rreth 482 milionë dollarë amerikanë.